“Vitin e Ri do e hamë këtu në shesh, Lapaj: Do ketë reagim popullor kundër regjimit të Ramës

Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se protesta e tij dhe e mbështetësve të tij do të vazhdojë edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve. “Krishtlindjet i hëngrëm këtu. Nesër, Vitin e Ri, besoj, të jemi mirë me shëndet, do ta konsumojmë këtu dhe unë them që do jemi këtu gjatë dhe do rezistojmë për të dhënë një model proteste qëndrese”, tha Lapaj gjatë një bisedë në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN. Sipas tij, modeli i protestës qëndrestare do të inkurajojë qytetarët të shtohen në shesh edhe pas Vitit të Ri. “Ata që thoshin ‘Ku janë numrat?’, ditën e shtunë besoj e morën një mesazh të qartë. Nuk ishin jashtëzakonisht shumë, po ishin shumë në raport me atë që nisi. Të mbledhësh sot 2,000 qytetarë të lirë pa i detyruar, pa i marrë me kërcënim, pa i marrë me para, pa u ofruar vende pune dhe t’u ngjallësh shpresën, është një fillim i mirë,” tha Lapaj. Ai shtoi se ditën e diel numri i pjesëmarrësve do të rritet dhe protesta do të shndërrohet në një “reaksion të madh popullor” kundër qeverisë.