Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të përshtasë dinamikën e numërimit të votave gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një ndërprerje të përkohshme të procesit për shkak të festave të fundvitit. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi konfirmoi për Telegrafin se procesi i numërimit më 31 dhjetor do të zhvillohet deri në mesditë, konkretisht deri në ora 12:00, pas së cilës do të pezullohet për pjesën e mbetur të ditës. "Po, numërimi i votave do të zhvillohet sot (31 dhjetor) deri në ora 12:00, për t'u rikthyer më 1 janar, duke nisur nga ora 16:00", tha ai. Ky vendim erdhi pas shqyrtimeve në kuadër të Këshillit për Operacione Zgjedhore, ku u diskutua për mënyrën e organizimit të punës së stafit gjatë ditëve festive. Çështja ka hapur debat edhe brenda vetë KQZ-së, me anëtarë që kanë shprehur qëndrime të ndryshme lidhur me angazhimin dhe ngarkesën e punës për administratën zgjedhore në këtë periudhë. / Telegrafi /