Zelensky: Disa dokumente për t'i dhënë fund luftës gati për nënshkrim në janar

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se disa nga dokumentet që synojnë zgjidhjen e luftës, të zhvilluara gjatë procesit të negociatave, do të jenë gati për t'u nënshkruar në janar. Zelensky gjatë një konference për shtyp online më 30 dhjetor, siç raportohet nga European Pravda, foli për hapat diplomatikë të planifikuar për muajin e ardhshëm. "Ne propozojmë këtë: këshilltarët takohen në janar, udhëheqësit takohen në janar. Ne besojmë se janari ofron mundësinë që udhëheqësit e Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës të takohen të gjithë së bashku. Ka dokumente që patjetër do të jenë gati në janar për nënshkrim", shtoi presidenti ukrainas. Zelensky nuk i specifikoi dokumentet, transmeton Telegrafi. Ai tha se "tani varet nga aftësia dhe gatishmëria e palëve për të nënshkruar". Lideri ukrainas tha se i kishte përcjellë presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësve evropianë gatishmërinë e tij për "çdo format takimi me Putinin". "Nuk kam frikë nga asnjë format i takimit tonë. Gjëja kryesore është që rusët të mos kenë frikë të takohen", shtoi për fund ai. /Telegrafi/