100 familje në nevojë përfitojnë pako ushqimore dhe higjienike në Podujevë

Njëqind familje me kushte të vështira ekonomike janë mbështetur me pako ushqimore dhe higjienike, në kuadër të një aksioni humanitar të realizuar në prag të festave të fundvitit nga Komuna e Podujevës. Ndihma është siguruar nga një donator anonim, ndërsa shpërndarja është organizuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila ka përgatitur listën e familjeve përfituese bazuar në kriteret sociale. Drejtoresha e kësaj drejtorie, Lirie Hoti, e pranishme gjatë shpërndarjes së ndihmave, ka falënderuar donatorin për kontributin e dhënë, duke theksuar se mbështetja për familjet në nevojë ka rëndësi të veçantë, sidomos në këtë periudhë festive. Ajo theksoi se institucionet komunale do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me donatorë dhe organizata të ndryshme për të ndihmuar qytetarët që përballen me vështirësi ekonomike.