“Shqipëria e Re” në dokumentet arkivore gjermane: Strategjia naziste në tokat shqiptare

Nga: Xhezair Zaganjori Në artikujt e mëparshëm, bazuar kryesisht në dokumentacionin arkivor të Ministrisë së Jashtme gjermane (Auswärtiges Amt), dokumentacion që në atë kohë konsiderohej “tepër sekret”, kemi parë se në prill 1939, Rajhu gjerman ishte krejt indiferent ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Drejtori i përgjithshëm politik i kësaj ministrie, Ernst Woermann, që kishte pritur po atë ditë ambasadorin shqiptar në Berlin, diplomatin e shquar Rauf Fico, u shkruante më 5 prill 1939 shefave të tij se i thashë ambasadorit që “... ai duhej ta dinte se marrëdhëniet gjermano-italiane janë tepër të ngushta ...” dhe se “Gjermania nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Adriatik ...”, pasi aty do të jetë prezente Italia ... Po ashtu, ambasadori gjerman në Tiranë, Pannwitz, udhëzohej nga zëvendësministri i Jashtëm i tij, Ernst von Weizswcker që “... të mos bënte asnjë veprim që do të vinte në dyshim pëlqimin tonë të pakufizuar për veprimet e italianëve në Shqipëri”. Jo vetëm kaq, por me 15 prill 1939, numri dy i Rajhut gjerman, Hermann Göring, do t’i niste një telegram Mussolinit në emër të Hitlerit, përmes të cilit i dërgonte “... Urimet më të përzemërta për rregullimin e problemit shqiptar (albanische Angelegenheit)”. Kjo indiferencë e Hitlerit në Ballkan do të ndryshonte rrënjësisht dy vjet më vonë. Nxitur fillimisht nga dështimet e operacionit ushtarak italian kundër Greqisë dhe më pas nga zhvillimet politike në Jugosllavi, ku më 27 mars 1941, ushtarakë jugosllave të mbështetur nga Britania detyruan princin regjent Pavël, që kishte nënshkruar dy ditë më parë (25 mars) një Pakt Bashkëpunimi me Fuqitë e Boshtit, ta lëshonte fronin mbretëror jugosllav, për t’ia kaluar atë Princit Pjetri i II, me argumentin se tashmë ai kishte mbushur moshën madhore 18 vjeç. Natyrisht që princi i ri ishte i orientuar nga bashkëpunimi me Forcat Aleate. Këtë veprim Hitleri e konsideroi si grusht shteti, ndaj duke shtyrë edhe sulmin kundër ish-Bashkimit Sovjetik, urdhëroi përgatitjen për të ndërmarrë pas rreth 10 ditësh, më 6 prill 1941, operacionin ushtarak Fushata Ballkanike (Balkanfelzug), përmes të cilit u pushtuan Jugosllavia dhe Greqia. Në këtë operacion, forcat gjermane u mbështetën edhe nga trupa të disa prej aleatëve të tjerë në koalicionin e Boshtit Qendror, konkretisht Italia, Bullgaria dhe Hungaria. Përveç sa më sipër, interesi gjerman në Ballkan, e veçanërisht ndaj Shqipërisë, do të shtohej dukshëm në periudhën në vijim. Faktor vendimtar ishte suksesi i Forcave Aleate në Afrikën e Veriut si dhe zbarkimi i forcave anglo-amerikane në Sicili (10 korrik - 17 gusht 1943) përmes Operacionit Husky. Në këtë situatë, Hitleri krijoi bindjen se pas kapitullimit të shpejtë të Italisë, duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik të Shqipërisë pranë Kanalit të Otrantos, si dhe boshllëkun që do krijohej nga largimi trupave italiane, Forcat Aleate do të zbarkonin në bregdetin shqiptar për të ndërmarrë nga aty veprime ushtarake kundër Vermahtit. Për këto arsye, Rajhu gjerman mendoi të marrë masa urgjente për të vënë nën kontroll sa më të plotë vijën bregdetare shqiptare, në një kohë që situata në Shqipëri nuk njihej mire. Për arritjen e këtij qëllimi, në ndryshim nga Italia që në periudhën prill 1939 - shtator 1943, e ktheu Shqipërinë thjeshtë në koloni, fillimisht nën petkun e protektoratit e më pas në atë të Bashkimit Personal nën kurorën e Victor Emmanuelit III, Gjermania planifikoi e zbatonte një strategji të tillë që formalisht bazohej në rishpalljen, rikrijimin e garantimin e një shteti të pavarur shqiptar, i cili duhej të drejtohej nga një qeveri që do të ishte “bashkëpunuese e miqësore” me Rajhun, pra duhej të ishte një qeveri kukull apo kuislinge, ashtu siç ishte vepruar edhe në disa prej territoreve evropiane të pushtuara nga Vermahti. Sigurisht që qeveria hitleriane në asnjë rast nuk mund të bashkëvepronte për këtë qëllim me forcat komuniste, të cilat Hitleri i luftonte kudo pa hezitim, ndaj objektivi kryesor i “gjuetisë apo joshjes” së saj për bashkëpunim do të ishin kryesisht shtresat intelektuale e forcat nacionaliste, të cilat ishin të prirura apo më të ekspozuara të ëndërronin me idealizëm bashkimin kombëtar. Në këtë grup duhej të bënin pjesë veçanërisht intelektualët e nacionalistët e shumtë që kishin kundërshtuar me forcë që në fillim pushtimin italian, e që pikërisht për këtë arsye ishin lënë pa punë, përndjekur e internuar nga qeveria e Mussolinit. Nga ana tjetër, duket qartë se në rastin e Shqipërisë, përveç forcave nacionaliste brenda kufijve të përcaktuara nga Konferenca e Londrës me 1913 (Shqipëria e Vjetër), do të kërkohej bashkëpunim i veçantë sidomos me forcat nacionaliste të trojeve shqiptare të lëna jashtë shtetit amë nga kjo konferencë, të cilat me ndihmën e Gjermanisë duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë, duke krijuar kështu në vitin 1943, me emrin joshës, të ashtuquajturën Shqipëri e Re. Duhej “punuar” që banorët e këtyre trojeve t’i shihnin gjermanët si çlirimtarë të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë mund të tentohej të garantohej edhe besnikëria e shtresave intelektuale dhe forcave nacionaliste shqiptare brenda e jashtë vendit. FUQITË ALEATE Nxitimi i udhëheqjes naziste në këtë drejtim imponohej edhe nga rritja e vazhdueshme e simpatisë së shqiptarëve ndaj Forcave Aleate, të cilat sigurisht që kishin shumë interes të kishin një mbështetje sa më të gjerë morale e praktike në luftën kundër Boshtit Qendror. Kjo konstatohet edhe në deklaratat e rëndësishme që tri Fuqitë Aleate kryesore bënë për Shqipërinë në dhjetor 1942, kohë kur realisht, pas fitoreve në frontin sovjetik dhe zbarkimit të parë të suksesshëm anglo-amerikan në Afrikën e Veriut (8 nëntor 1942), fillon furishëm kundërofensiva e tyre ndaj Boshtit. Kështu, më 10 dhjetor 1942, sekretari amerikan i Shtetit, Cordel Hull, do të bënte një deklaratë, në të cilën thuhet se, “Qeveria e ShBA-së nuk është e pavëmendshme ndaj rezistencës së vazhdueshme të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë. Përpjekjet e forcave të ndryshme guerile që veprojnë ndaj armikut të përbashkët në Shqipëri janë për t’u admiruar e vlerësuar shumë. Qeveria dhe populli amerikan mezi presin të vijë dita që t’u japin ndihmë ushtarake efektive këtyre burrave trima, që duan ta përzënë pushtuesin nga vendi i tyre”. Më 17 dhjetor, Sekretari i Shtetit të Britanisë, Anthony Iden, bëri gjithashtu një deklaratë të përafërt në Dhomën e Komuneve, duke theksuar se, “Qeveria e Madhërisë së Tij shpreh simpatinë e thellë për shqiptarët, një popull që ka qenë ndër viktimat e para të agresionit fashist. Prandaj, ne dëshirojmë që Shqipëria të çlirohet nga zgjedha italiane dhe të rishpallë pavarësinë”. Më 19 dhjetor 1942 bëri një deklaratë edhe qeveria sovjetike, ku thuhej se “Bashkimi Sovjetik solidarizohet plotësisht me luftën kurajoze për liri të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë dhe nuk njeh asnjë pretendim të imperialistëve italianë ndaj Shqipërisë ... Qeveria sovjetike është e sigurt se lufta për pavarësi e popullit shqiptar do të bashkohet me luftën e popujve të tjerë të Ballkanit ndaj pushtuesve italo-gjermanë”. Pavarësisht nuancave, duket qartë se në thelb, në të tria deklaratat e Fuqive Aleate synohet që edhe në Shqipëri të zgjerohej më tej simpatia e mbështetja sa më e gjerë popullore kundër Fuqive të Boshtit Qendror, e veçanërisht kundër Italisë Fashiste e Gjermanisë naziste. Kjo vëmendje e shtuar e Forcave Aleate ndaj Shqipërisë do të kishte impakt edhe në territoret shqiptare. Jo me kot, mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Shqipëri, Francesco Jacomoni, do t’i thoshte në fillim të shkurtit 1943, konsullit gjerman në Tiranë, se kohët e fundit është rritur së tepërmi “armiqësia e shqiptarëve kundër Italisë, sepse besimi i tyre në fitoren e Boshtit ka humbur gjithnjë e më shumë terren. Tashmë në Shqipëri në modë është dëgjimi i Radio Londrës”. Por, siç theksuam, në korrik-gusht 1943, Hitleri ishte i detyruar të zbatonte strategjinë e re për Shqipërinë, me fokus kryesor ndalimin e zbarkimit të Forcave Aleate në bregdetin shqiptar. Në zbatim të këtyre ideve është edhe telegrami sekret që ministri i Jashtëm, Joachim Ribbentrop, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Hitlerit, i dërgon Ambasadës gjermane në Romë më 21 gusht 1943 (pra katër ditë pas zbarkimit Aleat në Sicili), me porosinë që ai (telegrami) t’i jepej konsullit të përgjithshëm gjerman në Tiranë, Martin Schliep. Ndër të tjera, Ribbentropi i kërkonte Schliepi t’i raportojë me hollësi lidhur me: a) Situatën politike në Shqipëri, duke dhënë mendim se kush mund ta drejtonte në një të ardhme të afërt qeverinë e re shqiptare, e cila “duhet të ketë objektiva të qarta”; b) Si paraqitet gjendja për realizimin e misionit kryesor të ardhjes së trupave gjermane, që është kontrolli dhe siguria e bregdetit shqiptar; c) Shqiptarët të qetësohen politikisht me argumentin se misioni i ushtarëve gjermanë është kalimtar; d) Të jepej mendimi se si do të organizohej deklarimi i pavarësisë së Shqipërisë së Re dhe i qeverisë së saj, e cila “duhet të ishte pozitive” ndaj Rajhut. Për këtë qëllim duhej gjetur ndonjë personalitet shqiptar, që me mbështetjen politike e ushtarake gjermane, të merrte në dorë drejtimin e vendit; e të tjerë. “BASHKËPUNIMI AKTIV” Dy ditë më vonë, në përgjigje të telegramit të mësipërm, konsulli Schliep do të shprehej skeptik lidhur me “bashkëpunimin aktiv” me shqiptarët në këtë fazë, ndaj propozon që fillimisht të dërgohej sa më shpejt për këtë qëllim në Kosovë bashkëpunëtori i tij në konsullatë, Franz von Scheiger, i ardhur vetëm një muaj më parë në Tiranë. Ai shton se Scheiger e njihte mjaft mirë terrenin gjeografik dhe situatën politike e ekonomike në hapësirën shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Kishte qenë në këto troje si oficer i ushtrisë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kishte qëndruar aty edhe me mbarimin e kësaj lufte, duke u marrë me studimin e historisë, gjuhës e kulturës shqiptare. Fliste shumë mirë shqip dhe kishte kontakte me personalitete të jetës politike, shkencore e kulturore shqiptare. Në vitin 1923 kishte punuar edhe si atashe tregtar në ambasadën e parë gjermane në Tiranë. Mbi bazën e këtij propozimi, që në fund të gushtit 1943 Scheiger do të shkonte menjëherë me mision të veçantë në Kosovë, me detyrën që përmes premtimeve të ndihmës gjermane për realizimin e pavarësisë dhe bashkimit kombëtare, të rekrutonte sa më shumë figura të jetës politike e shoqërore të Shqipërisë së Re. Ai do të lëvizte kryesisht në këmbë, me uniformë ushtarake, aparat marrës-dhënës (Funkgerate) dhe sipas disa autorëve gjermanë, kishte me vete edhe rreth gjashtë kilogramë monedha ari. ÇËSHTJA SHQIPTARE Paralelisht me këto masa, në fund të gushtit 1943, në Shtabin Qendror të Hitlerit në Berlin do të bëheshin disa ndryshime mjaft të rëndësishme të karakterit organizativ. Ndër të tjera, ambasadori Karl Ritter, i afërt me Ribbentropin dhe drejtues i rëndësishëm i Ministrisë së Jashtme gjermane (kishte marrë pjesë në përgatitjen e Anshlusit me Austrinë në mars 1938; marrëveshjen famëkeqe të Munihut të 30 shtatorit 1938 për t’i dorëzuar Hitlerit krahinën e Sudetlandit; Marrëveshjen Molotov-Ribbentrop të 24 gushtit 1939 për ndarjen e Polonisë dhe të territoreve të tjera në Evropën Veriore, e të tjerë), duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare gjatë diskutimit të saj në Shtabin Qendror. Po kështu, në këtë shtab do të paraqitej për çështjen shqiptare edhe diplomati e oficeri i lartë gjerman, Franz von Sonnleithner (një vit më vonë, më 20 gusht 1944, ky oficer i lartë do të ishte i pranishëm, por pa u dëmtuar, në atentatin me shpërthimin e bombës me kurdisje që iu bë Hitlerit në Berlin, në një dhomë ku ai dhe disa anëtarë të Shtabit të tij po diskutonin planet e Vermahtit). Përveç sa më sipër, më 24 gusht 1943, Hitleri do të emëronte austriakun dhe diplomatin nazist, Hermann Neubacher, si të dërguar të veçantë të Rajhut për Evropën Juglindore, me zyrë qendrore në Beograd, por që duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare. Me këtë cilësi, Neubacheri do të mbërrinte në Beograd më 8 shtator 1943 dhe të nesërmen, më 9 shtator, do t’u përgjigjej me një telegram sekret disa çështjeve të ngritura një ditë më parë nga Ribbentrop, të cilat i ishin përcjellë nga Berlini, përmes ambasadorit Karl Ritter. Në këtë përgjigje, ndër të tjera Neubacher thekson: “1) Nesër do nisem nga Beogradi në Tiranë, pasi aeroporti është tashmë në dorën tonë, pavarësisht hezitimit të kryekomandantit të trupave italiane për të dorëzuar armët. Megjithatë, për siguri ka shkuar aty sot edhe një kompani parashutistësh. Parashutistë të tjerë do të jenë aty nesër. Kam rënë dakord me Gjeneralin von Weich për të qenë në çdo moment i gatshëm për të na mbështetur në rast nevoje ...; 2)Sot bisedova me disa shqiptarë të besueshëm mbi situatën politike në vend. Ata ishin entuziastë dhe e vlerësonin ardhjen tonë si moment historik për kombin e tyre. Gjithashtu mbështesnin ... deklaratën time se suksesi i kombit shqiptar mund të garantohet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të sinqertë me ne ...; 3) Për shkak të deklaratës së bërë nga komandanti i forcave gjermane në Ballkan që menjëherë pas pushtimi edhe në Shqipëri e Malin e Zi, i gjithë pushteti ekzekutiv të merret në dorë nga ushtria gjermane, pasi diskutova edhe me Gjeneralin von Weichs ... unë rekomandoj që këto dy raste duhen trajtuar në mënyra të ndryshme. Në Shqipëri duhet të heqim dorë nga krijimi i mjaft mekanizmave ushtarakë, duke ua lënë shumicën e tyre pushtetit vendas. Parulla politike “Shqipëria e Pavarur” nuk duhet të cenohet nga skema politike e zakonshme e krijimit të administratës sonë ushtarake ...; 4) Për arsye politike jam kundër idesë që për sigurinë, trupat gjermane të bashkëpunojnë me forcat bullgare (bëhet fjalë për zonën e Mitrovicës e Podujevës - shënimi ynë). Kam vënë në dukje se ky bashkëpunim duhet të bëhet me forcat shqiptare ...; 5) Von Scheiger ka mbërritur sot nga Kosova në Beograd. Nesër do më shoqërojë mua me aeroplan për në Tiranë”. Ndërkaq, në Itali ishin bërë mjaft ndryshime. Vetëm pas pesë ditëve nga fillimi i zbarkimit aleat në Sicili, më 15 korrik 1943, Këshilli Fashist italian do të shkarkonte Mussolinin, i cili do të izolohej (internohej) më pas me urdhër të Victor Emmanuelit. Kryeministër i Qeverisë fashiste do të bëhej Mareshali Pietro Badoglio, i cili do të hynte menjëherë në bisedime për armëpushim me Forcat Aleate (anglo-amerikane), fillimisht në rrugë diplomatike në Lisbonë të Portugalisë e më pas në nivel ushtarak, në fshatin apo qytezën siciliane Kasibile, në jug të Sirakuzes. Në këtë qytezë do të nënshkruhej më 3 shtator 1943 edhe Marrëveshja e Armëpushimit e Kasibiles (Waffenstillstand von Cassibile). Fillimisht u vendos që kjo të mbahej e fshehtë. Megjithatë, ajo do bëhej e njohur zyrtarisht vetëm pesë ditë më vonë, më 8 shtator 1943, përmes një deklarate të bërë në orën 18.00 në Radio “Algier” nga Kryekomandanti i Forcave Aleate, gjenerali amerikan Dweit Eisenhower dhe pak më vonë, më 19:42, edhe nga kryeministri Badoglio. Përveç armëpushimit, marrëveshja parashikonte edhe daljen e Italisë nga Koalicioni i Boshtit Qendror. Për këto arsye, shpesh 8 shtatori 1943 konsiderohet si dita e kapitullimit të Italisë Fashiste. Hitleri do të reagonte menjëherë. Pasi pushtoi që të nesërmen më 9 shtator Shqipërinë, një ditë më vonë, më 10 shtator 1943, me operacionin e koduar “Çështja e Boshtit” (Unternehmen Achse) pushtoi Romën dhe Italinë Veriore, nën drejtimin e Divizionit Elitë të komanduar nga gjenerali i njohur gjerman, Erwin Rommel. Po ashtu, më 12 shtator 1943, ai urdhëroi zhvillimin e Operacionit “Eiche” për të liruar nga izolimi Mussolinin. Ai do të takonte menjëherë Hitlerin dhe nën “regjinë” e tij, më 23 shtator do të formonte qeverinë e re kukull, të “Republikës Sociale Italiane”. Kjo qeveri do të binte formalisht me 25 prill 1944. Tri ditë më vonë, më 28 prill, Mussolini dhe e dashura e tij, Claretta Petacci, do të kapeshin të maskuar në afërsi të kufirit, duke ikur me kamion ushtarak drejt Gjermanisë. Të dy u ekzekutuan menjëherë nga partizanet italiane. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri situata ishte kaotike. Menjëherë pas kapitullimit të Italisë, që në darkën e 8 shtatorit, shefi i Shtabit Koordinues të Vermahtit në Ballkan, Gjenerali Hans Bessek, nxitoi t’i kërkonte komandantit të trupave italiane në vendin tonë, Gjeneralit Ezio Rosi, dorëzimin dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të të gjithë ushtarëve dhe oficerëve italianë që ndodheshin në Shqipëri. Gjenerali italian do të hezitonte në fillim, por më pas u detyrua të jepte pëlqimin dhe kështu, më 9 shtator 1943, trupa të shumtë gjermane nga Jugosllavia e Greqia marshuan drejtë Shqipërisë, duke vënë menjëherë nën kontroll të posaçëm bregdetin dhe aeroportet shqiptare. Fati i ushtarëve italianë do të ishte mjaft dëshpërues. Pjesa më e madhe e tyre do të dorëzonin armët dhe do të izoloheshin nga forcat gjermane. Një pjesë tjetër e konsiderueshme do t’i drejtohej Sarandës, me shpresën se do ta kishin më të lehtë për të kaluar në Itali. Shumica e tyre do të dorëzonin edhe armët te forcat partizane, me mendimin se do të ndihmoheshin prej tyre për të kaluar në anën tjetër të Otrantos. Me urdhër të Hitlerit u dha porosia që raste të tilla të identifikoheshin sa më shpejt dhe personat përgjegjës të pushkatoheshin. Kjo tragjedi e ushtarëve italianë do të përbënte më vonë edhe një prej akuzave me të cilat u ballafaquan në Procesin e Nurembergut disa nga drejtuesit nazistë (Procesi për masakrat në Evropën Juglindore). Së fundi, një pjesë e vogël e trupave italiane do t’u bashkoheshin partizaneve, duke krijuar Batalion “Antonio Gramshi”. Gjatë gjithë kësaj periudhe intensive, diplomacia naziste po vepronte me shpejtësi edhe në Shqipëri. Burimi kryesor i informacionit e bashkëpunimit të tyre për krijimin e qeverisë së re shqiptare ishin kontaktet që kishin në këtë kohë veçanërisht me Xhafer Devën, që vinte nga një familje patriote prej Mitrovicës së Kosovës, i cili kishte studiuar në Kolegjin Amerikan të Stambollit, si dhe me Vehbi Frashërin, djalin e patriotit e nacionalistit të njohur shqiptar Mehdi Frashëri. Sipas disa autorëve gjermanë, që të dy (Deva dhe Frashëri), prej kohësh kishin kontakte me autoritetet naziste, ndaj kishin fituar edhe statusin “V-Person” (Vertrauensperson), që do të thotë ishin të besuar për shërbimin informativ të Rajhut gjerman. Në këtë drejtim duhet të ketë luajtur rol të rëndësishëm edhe punonjësi i Konsullatës gjermane në Tiranë, Franz von Scheiger, përmendur më sipër. Pikërisht këta persona duhet t’u kenë propozuar autoriteteve naziste të vënë në “krye të punëve në Shqipëri” Mehdi Frashërin, që megjithëse në këtë kohë ishte 71 vjeç, dallohej si jurist i shquar (delegati shqiptar në Lidhjen e Kombeve dhe Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1921, ku u riafirmuan pavarësia e shtetit shqiptar dhe kufijtë e përcaktuara në Londër më 1913), e person me integritet, që sipas Neubacherit, “në qëndrimet e tij nuk ishte tërhequr apo ndikuar as nga ofiqet, as nga paraja dhe as nga kërcënimet e italianëve”. Ai kishte bërë thirrje për rezistencë të armatosur ndaj pushtimit italian dhe kishte kundërshtuar në vazhdimësi sundimin e tyre në Shqipëri. Ai mendonte se shqiptarët duhej të vepronin shpejt, pasi me rrëmbimin e sovranitetit nga Italia Fashiste, pas luftës, territoret shqiptare do të shërbenin si plaçkë tregu për vendet fqinje. Për këto arsye, Qeveria e Mussolinit e kishte marrë Frashërin në Itali dhe e mbante nën mbikëqyrje (lëvizje të kufizuara) në hotelin “Viktoria” të Romës. Mehdiun e shoqëronte aty vajza e tij, Mediha Frashëri. Këto ide përcillen qartë në telegramin e Karl Ritterit në Berlin më 11 shtatorit 1943, për ambasadorin gjerman në Romë, ku thuhet: “1) Personaliteti politik shqiptar Mehdi Frashëri është parashikuar të luajë rol të rëndësishëm në Qeverinë e Re shqiptare. Para disa kohësh është marrë nga italianët jashtë Shqipërisë dhe mbahet nën mbikëqyrje në Romë, në hotelin ‘Viktoria’. Nuk e dimë nëse vazhdon të jetë aty. Duhet ta gjeni sa më shpejt dhe ta dërgoni me aeroplan në Tiranë. Për efekt sigurie të shoqërohet nga një person. Në Tiranë ta dorëzoni z. Frashëri tek i dërguari i posaçëm Hermann Neubacher, te konsulli i përgjithshëm Martin Schliep, ose te majori Franz von Scheiger; 2) Për qëllime politike e ushtarake, në Shqipëri na duhen shuma të mëdha parash në monedhë shqiptare. Ndaj përpiquni të merrni sa më shumë kartëmonedha shqiptare që ndodhen në Banka di Roma, për t’i dërguar ato sa më shpejt me aeroplan në Tiranë. Nëse është e mundur, të dërgohen me të njëjtin aeroplan me të cilin do të fluturojë Mehdi Frashëri, por megjithatë, ai nuk duhet të ketë fare dijeni për dërgesën e këtyre parave ...”! Berlini, në një telegram të dytë drejtuar Ambasadës në Romë, kërkon “të bëhet ç’është e mundur për të marrë sa më shumë bankënota shqiptare për t’i dërguar në Tiranë ... dhe për të siguruar sa më mirë në ‘Banka di Roma’ makinerinë që prodhon kartëmonedhat shqiptare, në mënyrë që të kemi mundësinë ta përdorim sa më parë. Nëse këtë makineri do të duhet ta përdorim më vonë në Tiranë, varet nga zhvillimet në Shqipëri”. Në vijim të dy telegrameve të mësipërme, më 16 shtator 1943 afër mesnatës, Ambasada gjermane në Romë vë në dijeni ambasadorin Ritter se: “1) ... nesër paradreke, më 17 shtator, nën shoqërimin e një oficeri gjerman dhe një punonjësi të ambasadës sonë, Mehdi Frashëri do niset me aeroplan për në Tiranë. Atje do ta dërgojmë menjëherë tek i dërguari i posaçëm Neubacher, ose konsulli Schliep ...; 2) Marrja e arit dhe bankënotave u realizua sot me sukses përmes një aksioni të befasishëm nga një Komando SS, në praninë edhe të një zyrtari nazist të shërbimit me jashtë. Nga ky aksion u morën këto vlera: a) Bankënota shqiptare në prerje të ndryshme në vlerë prej 120.513.902 franga ari; b)Monedha ari në 23 thasë të vegjël, në vlerë monetare prej 435.070 franga ari; c) Lingota Ari në 49 arka (losen Barren) dhe 29 kuti më të vogla (Kistchen Barren) që sipas dokumenteve italiane, kanë një vlerë prej rreth 7.627.756.90 franga ari”. Siç dihet, bankënotat u dërguan që të nesërmen me aeroplan në Tiranë, së bashku me Mehdi Frashërin. Ari u dërgua në Berlin. Ai u gjet nga Aleatet në Kriporet e Merkersit, në Berlin në maj 1945. SHPALLJA E PAVARËSISË Duke u kthyer sërish në angazhimet e Neubacherit si i dërguar i veçantë i Rajhut për Evropën Juglindore, rikujtojmë se me këtë cilësi ai mbërriti në kryeqytetin jugosllav më 8 shtator 1943, ditën kur Eisenhower dhe Badoglio bënë të njohur Armëpushimin e Kasibiles. Një ditë më vonë, më 9 shtator 1943, Neubacher informonte ambasadorin Ritter në Shtabin Qendror nazist se në Shqipëri do të shkonte të nesërmen më 10 shtator, i gatshëm për të zbatuar planin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj me trojet e tjera shqiptare, përpunuar nga Shtabi Qendror në Berlin me vullnetin dhe dijeninë e Hitlerit dhe Goebbelsit (biseda e tyre mbi këtë temë ndodhet e zbardhur si dokument në Keesigs Archiv der Gegenwart). Në fakt, për arsye teknike, fluturimi u shty për datën 11 shtator. Në këtë ditë, shoqëruar nga majori Franz von Scheiger, Neubacher u nis me aeroplanin “Heinkel III” nga Beogradi, për të shkuar për herë të parë në Shqipëri (Tiranë). Aeroplani shoqërohej edhe nga tre aeroplanë të tjerë gjermanë JU52, në të cilët ishin të gatshëm 60 ushtarakë të Divizionit Brandenburg. Sipas Neubacherit, me një aeroplan tjetër gjerman, Storch kishte mbërritur po atë ditë në Tiranë nga Mitrovica edhe Xhafer Deva. Detyrat imediate të Neubacherit në Shqipëri do të ishin krijimi i një Komiteti Kombëtar me cilësinë e Qeverisë së Përkohshme, e cila duhej të shpallte sa më shpejt pavarësinë e Shqipërisë së Re. Pas këtij hapi, Komiteti Kombëtar duhej të mblidhte Asamblenë Kombëtare të shtetit shqiptar. Me të mbërritur në Tiranë, Neubacheri mori menjëherë informacion mbi çështjen e krijimit të Komitetit Kombëtar. Sipas këtij informacioni, mbi këtë çështje paraqiteshin dy grupime kryesore, njëri i përfaqësuar nga Ibrahim Bej Biçaku, i cili kishte studiuar në Vjenë (ishte djali i patriotit të madh shqiptar Aqif Pasha i Elbasanit), ndërsa grupin tjetër e përfaqësonte Xhafer Deva. Mes tyre kishte mosmarrëveshje të shumta lidhur me funksionimin e këtij mekanizmi. Pas shumë diskutimeve, më 14 shtator, dy grupimet ranë dakord që Komiteti Kombëtar të përbëhej nga “20 figura të njohura politike të respektuara në popull” dhe se në krye të këtij Komiteti të vihej Ibrahim Bej Biçaku, i cili do të ishte kështu njëkohësisht edhe kryeministër i kësaj Qeverie Provizore. Ministër i Brendshëm do të ishte Xhafer Deva. Po në këtë ditë, pra më 14 shtator 1943, Komiteti Kombëtar, përmes një deklarate të shkruar nga Neubacher e të miratuar edhe në Shtabin Qendror në Berlin, shpalli pavarësinë e Shqipërisë së Re, e cila do të përfshinte në territorin e saj edhe Kosovën, trojet shqiptare në Serbi e Maqedoni, si dhe Çamërinë. Në darkë, një delegacion i këtij Komiteti u prit nga Neubacher në Konsullatën gjermane në Tiranë, i cili i paraqiti atij lutjen që Shqipëria e Re të njihej sa më parë nga Rajhu. Neubacher kujton se ai u premtoi ta bënte shpejt këtë, gjë që shkaktoi “entuziazëm te delegacioni shqiptar”. Por, ai kujton gjithashtu me cinizëm se “kjo lumturi për këtë ditë historike u ndërpre kur bashkëshortja e konsullit të përgjithshëm, si mikpritëse, hapi dy shishe shampanjë, të cilat u pritën me padurim nga baballarët e etur të kombit shqiptar”. Të nesërmen, më 15 shtator, Neubacheri do të nisej për në Beograd dhe pasi përgatiti raportin për zhvillimet në Shqipëri, më 16 shtator u nis për në Shtabin Qendror në Berlin. Sipas tij, Hitleri u kënaq shumë për këto zhvillime pozitive në “cepin e fundit romantik të Evropës”. Nga Berlini, Neubacheri do të kthehej shpejt në Beograd dhe prej aty, me datë 20 shtator 1943 do t’i dërgonte Ribbentropit këtë telegram: “Sapo mbërrita në Beograd, u informova nga bashkëpunëtorët e mi në Tiranë se këto ditë ka arritur kulmin propaganda komuniste dhe ajo angleze kundër Komitetit Kombëtar. Javën që kaloi, në Shqipërinë e Mesme janë hedhur me parashutë disa oficerë britanikë. Konstatohet gjithashtu një rritje e dukshme e simpatizantëve anglofile në qytetet shqiptare. Në këto rrethana, Qeveria e Re shqiptare ka shumë nevojë për mbështetjen tonë”. KOMITETI KOMBËTAR Më pas, Neubacheri do të nisej në Shqipëri dhe informacioni i mësipërm do të plotësohej më tej 5 ditë më vonë, pra më 25 shtator 1943, përmes një telegrami relativisht të gjatë, që ai i nis nga Tirana ambasadorit Ritter në Berlin. Aty thuhet: “1)Për shkak të humbjeve në fronte të ndryshme në Evropë, në Shqipërinë e Vjetër, veçanërisht në qytete, mbisundojnë aktualisht vlerësimet jo të mira për trupat gjermane. Shumica e tyre shpresojnë për një zbarkim të shpejtë të Trupave Aleate në Shqipëri. Për këto arsye ne na kanë dalë shumë vështirësi në komunikim, biles edhe me simpatizantët tanë të shtresës së lartë të popullsisë, të cilët, për shkak të emrit të familjes dhe të pronave që kanë, ndikojnë shumë në mbështetjen sa më të gjerë që i duhet dhënë Komitetit Kombëtar ... Sot kisha një bisedë të gjatë mbi këtë temë me Mehdi Frashërin, i cili më paraqiti të njëjtat shqetësime ... Mehdi Frashëri ka ardhur nga Roma me besimin që së bashku me miqtë e tij me influencë në Shqipëri, të krijojë një qeveri kombëtare, por kohët e fundit është tërhequr pak, sepse ndjehet i zhgënjyer nga situata e përgjithshme e luftës në Evropë. Në këtë çështje mund të ketë megjithatë njëfarë lehtësimi, pasi ekziston mendimi se zbarkimi i mundshëm i Trupave Aleate në Shqipëri nuk mund të bëhet të paktën deri në fund të këtij viti (1943); 2) Situata e brendshme në Shqipëri është përkeqësuar ditët e fundit edhe për shkak të shpërbërjes anarkike të divizioneve italiane. Një bandë komuniste sulmoi pak ditë më parë në afërsi të Krujës trupat gjermane. Prandaj e udhëzova edhe një herë z. von Scheiger të angazhohet me të gjitha forcat për të përgatitur mbajtjen e Asamblesë Kombëtare që është parashikuar të organizohet më 4 tetor 1943. Nëse do të ketë pengesa për këtë qëllim nga armiqtë tanë, do të detyrohemi ta shtyjmë atë për më vonë”. Po më 25 shtator 1943, Neubacher do të niste nga Tirana për Ambasadorin Ritter edhe një telegram tjetër, në të cilin thekson se “së bashku me gjeneralin Geib dhe konsullin e përgjithshëm Schliep takuam mbrëmë me 24 shtator ora 21:00 Presidentin e Komitetit Kombëtar Shqiptar, i cili drejton Qeverinë Provizore. Atij i dorëzova deklaratën me shkrim të Qeverisë së Rajhut në mbështetje të Komitetit Kombëtar. Kryeministri Biçaku e pranoi me kënaqësi deklaratën, duke vënë në dukje simpatinë e shqiptarëve ndaj Gjermanisë së Re dhe Fyhrerit të saj”. Telegrami është i shkurtër e tepër formal, por Neubacheri vë në dukje manipulimin dhe situatën qesharake rreth paraqitjes së tij “dinjitarëve shqiptarë”. Sipas tij, në procesin e paraqitjes së dokumenteve të tillë ka formalitete që vlerësohen shumë më tepër në vendet e Lindjes sesa në Perëndim. Ndaj ky telegram duhej rishtypur, duhej qepur me spango në një dosje serioze dhe duhej vulosur. Zonjusha Lützen, në Konsullatë, u përpoq të sajonte diçka, por pa sukses. Megjithatë, u gjet një “zgjidhje”. Në fund të deklaratës u shënua se kopja origjinale e këtij dokumenti do të ruhej në arkivën e Konsullatës gjermane në Tiranë. Ky argument iu përcoll me gojë edhe palës shqiptare dhe ... çështja u mbyll. Megjithatë, risqarojmë se deklarata e mësipërme nuk shoqërohej me njohjen zyrtare dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë e Re. Ky veprim do të bëhej vetëm më 12 korrik 1944. ASAMBLEJA KOMBËTARE Siç kishte parashikuar edhe Neubacheri në telegramin e tij të datës 25 shtator, dërguar në Berlin, punimet e Asamblesë Kombëtare nuk filluan me 4 tetor, por u shtynë për më vonë. Praktikisht, punimet e saj u zhvilluan nga 16 deri më 23 tetor 1943, në Pallatin e Mbretëror (sot Pallati i Brigadave). Asambleja kishte rreth 250 delegatë të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare. Neubacheri përshkruan me hollësi punimet e Asamblesë, duke vënë në dukje ndër të tjera se që në fillim, si kryetar të saj zgjodhi studiuesin e shquar elbasanas dhe patriotin shqiptar, Lef Nosi, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë më 28 nëntor 1912. Më pas, Asambleja deklaroi mbështetjen për Fuqitë e Boshtit si dhe anuloi të gjitha aktet ligjore të miratuara gjatë pushtimit italian, që vinin në kundërshtim me interesat e vendit. Me detyrën e kryetarit të shtetit u zgjodh Këshilli i Lartë i Regjencës me karër persona, të cilët duhet të përfaqësonin katër besimet kryesore në Shqipëri. Konkretisht, si Kryetar i Parë u zgjodh Mehdi Frashëri i besimit bektashi, i cili pavarësisht hezitimeve për pranimin e kësaj detyre, i “mallëngjyer” u detyrua të dorëzohej nga “thirrjet e zjarrta” të pjesëmarrësve në Asamble. Tre të tjerët ishin Lef Nosi i besimit ortodoks, Pater Anton Harapi i besimit kristian dhe patrioti dibran Fuat Dibra i besimit mysliman. Kryetari i Regjencës parashikohej të ishte me rrotacion njëvjeçar, por praktikisht në këtë funksion qëndroi vetëm Mehdi Frashëri, pasi Lef Nosi dhe Fuat Dibra ishin shumë të sëmurë (Fuat Dibra do të ndërronte jetë në fund të shkurtit 1944), ndërsa dijetari i shquar e atdhetari Pater Anton Harapi fillimisht nuk mori pjesë për arsye se priste pëlqimin e Vatikanit për këtë detyrë, gjë që iu dha më 13 janar 1944. Megjithatë, ai do të deklaronte sërish se nuk do ta ushtronte në asnjë rrethanë detyrën e kryetarit të Regjencës, pasi në këtë funksion do t’i duhej të konfirmonte përfundimisht rastet e dënimit me vdekje nga gjykatat e vendit, gjë që binte në kundërshtim me besimin kristian. Më pas, Asambleja Kombëtare zgjodhi Qeverinë e Re që do të zëvendësonte Komitetin Ekzekutiv të Përkohshëm. Kryeministër do të ishte patrioti Rexhep Mitrovica, ndërsa Xhafer Deva mbetej ministër i Brendshëm. Ministër i Ekonomisë u zgjodh Ago Agaj, ministër i Jashtëm Bahri Omari, sekretar Shteti - Vehbi Frashëri. Në fund u ra dakord që Asambleja Kombëtare të kthehej në Kuvend Kombëtar. Meqë Lef Nosi u caktua në Regjencë, Kryetar i Kuvendit u zgjodh patrioti korçar Idhomene Kosturi, i cili shumë shpejt, më 5 nëntor 1943, do të vritej në rrugë nga një i ri i cili, sipas procesit gjyqësor, e kishte marrë këtë “detyrë” prej njësitit gueril të qytetit të Durrësit. Neubacheri vë në dukje se punimet e Asamblesë ishin të suksesshme dhe u zhvilluan në një atmosferë të qetë, me përjashtim të një incidenti të datës 18 tetor që shkaktoi një konfuzion të shkurtër. Ai sqaron se bëhet fjalë për një grup partizanësh që nga distanca qëlluan me një top italian në drejtim të Pallatit Mbretëror ku ishte Asambleja. Megjithatë, sipas tij, “shpejt ndërhynë ushtarët gjermanë, të cilët rikthyen menjëherë rendin e qetësinë”. Duke pasur parasysh këto zhvillime, më 30 nëntor 1943, Victor Emmanueli do të hiqte vetë dorë nga titulli Mbret i Shqipërisë. Megjithëse u bënë gjithë këto ndryshime dhe u krijuan Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë së Re, lidhja dhe varësia nga autoritetet pushtuese gjermane ishte jo vetëm shumë e madhe, por edhe e shumëfishtë. Kur e kërkonin interesat e tyre të drejtpërdrejta, ata ushtronin çdo ditë pushtet ekzekutiv në të gjitha nivelet. Të paktën katër autoritete gjermane paraqiteshin njëkohësisht si më të rëndësishmet, pa pasur aspak raporte hierarkike mes tyre. a) Martin Schliep ishte konsull i përgjithshëm, por praktikisht ishte ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, pavarësisht se nga ana formale këtë titull do ta merrte më 12 korrik 1944; b) Neubacheri ishte i dërguar i posaçëm i Rajhut gjerman në Evropën Juglindore, me fokus të posaçëm menaxhimin e situatës në Shqipëri; c) Gjenerali Josef Fitzthum, që nga tetori 1943 vepronte si i pavarur në funksionin e të dërguarit special të Himmlerit, për të drejtuar në Shqipëri shërbimin e trupave SS dhe të Gestapos; d) Sipas protokollit nazist, përgatitur nga Komanda Supreme e Forcave të Armatosura gjermane, pas pushtimit të një vendi, një nga gjeneralët e trupave pushtuese duhej të kryente edhe detyrën e komandantit të përgjithshëm ushtarak, si autoriteti më i lartë ekzekutiv në atë hapësirë territoriale. Kështu u vendos edhe për Shqipërinë. Megjithatë, pas ndërhyrjes së Neubacherit, për të shmangur çdo keqkuptim rreth “autoritetit e pavarësisë” së institucioneve të sapokrijuara në Shqipërinë e Re, Berlini zyrtar, siç kishte vepruar më parë edhe në Kroaci e Sllovaki, bëri përjashtimin për ta emërtuar formalisht këtë funksion jo më si “Komandanti i Përgjithshëm Ushtarak në Shqipëri”, por vetëm si “Gjenerali gjerman për Shqipërinë”. Këtë detyrë do ta kryenin me radhë në vendin tonë, fillimisht gjenerali i Korpusit 21, Paul Bader, dhe më pas gjenerali i Trupave Tankiste, Gustav Fehn, dhe gjenerali i Artilerisë Theodor Geib. Ishte pikërisht ky autoritet i forcave pushtuese gjermane që duhej të paraqiste në vazhdimësi pranë “Qeverisë miqësore” kërkesat dhe interesat e Vermahtit gjerman. E, në këto kërkesa e interesa përfshiheshin edhe miratimi i akteve ligjore, mbështetja financiare, krijimi i gjykatave speciale, lëshimi i urdhrave për autoritetet vendore e të tjerë. Nuk duhet harruar këtu veçanërisht organizimi i grabitjes së pasurive nëntokësore të Shqipërisë, ashtu siç kishin bërë edhe italianët. Pavarësisht se gjermanët thoshin zyrtarisht se ishin kalimtarë dhe u interesonte vetëm siguria e bregdetit, praktikisht ato ishin shumë të interesuar edhe te mineralet e Shqipërisë së Re, veçanërisht për kromin, bakrin, hekurin, boksitet, minierat e Trepçës etj. Arkitekti dhe miku i ngushtë i Hitlerit, Albert Speer, tashmë ministër i Armatimit, kërkonte me ngulm veçanërisht krom, pasi i duhej sa më parë për prodhimin e aeroplanëve luftarakë, tankeve, nëndetëseve, anijeve dhe artilerisë së rëndë. Dhe, kjo duhej organizuar e kontrolluar veçanërisht nga forcat ushtarake gjermane, aq më tepër që terreni malor i vendit “u krijonte mundësinë partizanëve të vështirësonin apo edhe të pengonin transportin e qetë e të shpejtë të mineraleve në drejtim të porteve shqiptare”. Kjo “ndërthurje” interesash përmes dirigjimit aspak të sinqertë të pushtuesve gjermane, duket qartë edhe në telegramin e Neubacherit, që më 31 janar 1944 dërgon nga Beogradi në Shtabin Qendror në Berlin. Aty thuhet se “përmes goditjeve të forta, terrori komunist në Shqipëri është zvogëluar shumë. Marshimi i ministrit të Brendshëm, Xhaver Deva, me rreth 1500 kosovarë në drejtim të Prizrenit, Shkodrës dhe Tiranës, synon eliminimin e tyre. Këtë aksion të ‘Frontit Nacional’ kundër bandave terroriste në Shqipërinë e Jugut e kemi mbështetur ne me armë e municione. Aksione të tjera të ‘Forcave Nacionale’ në Veri dhe në Lindje të Shqipërisë kanë dëmtuar rëndë kundërshtarët tanë komunistë”. Dhe, masakrat e trupave të Xhafer Devës do të ndodhnin menjëherë, fillimisht në Shkodër (ku sipas Neubacherit një pjesë e mirë e komunistëve arritën të shpëtojnë për shkak se ishin strehuar në Misionin Katolik të qytetit), e më pas në Tiranë. Pas një atentati të dështuar kundër Xhafer Devës në Tiranë më 3 shkurt 1944, ku mbeti i vrarë një prej nipave të tij që e shoqëronte, të nesërmen herët në mëngjes, më 4 shkurt 1944, forcat e tij do të vrisnin në sytë e familjarëve 84 qytetarë tiranas (!). Ky terror në kryeqytet do t’u bënte përshtypje negative edhe vetë ushtarakëve gjermanë, shumë prej të cilëve kujtojnë se gjatë gjithë shkurtit deri në fillim të marsit të këtij viti (1944) në sheshin “Skënderbej” qëndronte një trekëndësh për varjen e kundërshtarëve dhe thuajse çdo ditë në mëngjes “kishte aty kufoma të gjakosura, saqë vendi përreth dukej si kasaphanë”. Të gjitha këto nxitën revoltë e pakënaqësi jo vetëm në popull, por edhe në vetë qeverinë kuislinge. Mehdi Frashëri si kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës filloi të ketë mosmarrëveshje të shumta me Xhafer Devën për shkak të qëndrimeve ekstremiste të këtij të fundit. Nga ana tjetër, Deva e akuzonte Frashërin si të pabesë, që nuk e mban fjalën e dhënë. Në këto kushte, vetëm një muaj e gjysmë nga telegrami i 31 janarit, me kërkesën e ambasadorit Ritter në Berlin, me datë 16 mars 1944, Neubacheri detyrohet të nisë një telegram të dytë, ku përshkruan shkaqet e intensifikimit të luftës kundër forcave gjermane në Shqipëri. Duke radhitur argumentet kryesore, në këtë telegram thuhet se shkaqet e kësaj situate të re janë “a) Forcimi i veprimtarisë së Misionit Ushtarak Britanik, veçanërisht përgjatë vijës bregdetare Vlorë-Sarandë. Këtu duhet shtuar se edhe në pjesë të tjera të territorit shqiptar, kanë arritur të depërtojnë përmes detit trupa agjentësh britanikë, duke shfrytëzuar në mënyrë të veçantë Kanalin e Otrantos. Edhe përmes ajrit kanë arritur të depërtojnë në Shqipëri agjentë të tjerë britanikë e me sa duket, edhe oficerë e agjentë amerikanë e rusë; b) Përmes agjentëve të mësipërm është bërë e mundur që bandat shqiptare të furnizohen sërish me armë, municione dhe me ar; c) Rritja e propagandës armike, për shkak edhe të zbarkimit të afërt të Forcave Aleate; d) Sukseset ushtarake në Frontin Sovjetik. Të gjitha këto kanë bërë që forcat komuniste të shpejtojnë drejtë veriut të vendit, duke kontrolluar aktualisht territorin deri në rrugën Elbasan- Strugë ... Avancimi i mëtejshëm i tyre në drejtim të veriut në hapësirën Mat-Dibër për momentin kundërshtohet nga trupat zogiste ... Në Berat ka luftime mes komunistëve dhe grupeve nacionale. Në hapësirën e Tiranës së Jugut mbetet shumë aktive banda e komanduar nga drejtuesi tashmë i njohur Myslim Peza... Mes grupeve nacionaliste vazhdon të ketë mosmarrëveshje”. Duhet theksuar megjithatë, se në fillim të prillit 1944 ka një zhvillim interesant, falë angazhimit të Vehbi Frashërit. Si kudo në territoret e pushtuara, për të financuar qëndrimin dhe aktivitetin e trupave në vendin tonë, Qeveria gjermane u përgatit të prekë edhe arin shqiptar që ishte grabitur prej tyre në Romë më 16 shtator 1943. Për këtë qëllim ato i imponuan Qeverisë shqiptare një marrëveshje të nënshkruar më 28 dhjetor 1943. Por, menjëherë do të ndërhynte pranë autoriteteve gjermane Vehbi Frashëri, duke i bindur të tërhiqeshin nga kjo ide. Kështu, më 6 prill 1944, Vehbi Frashëri do të nënshkruante në Berlin një marrëveshje të re mbi këtë çështje me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme gjermane, Emil Wiehl. Përmes saj u ra dakord që ari të mos përdorej nga gjermanët, por t’i kalonte Bankës Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, “ruajtja e tij duhej të vazhdonte të bëhej në kryeqytetin gjerman, deri në përfundim të luftës”. Ky rregullim i ri shërbeu jo vetëm për ta mbajtur këtë sasi ari të paprekur, por edhe për trajtimin më vonë të kësaj çështjeje, bazuar në parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare. Në kushtet e kësaj anarkie e mungese të “kontrollit” mbi territorin shqiptar, Heinrich Himmlerit, kryekomandantit të trupave elitë SS, të njohura për bëmat çnjerëzore e famëkeqe në Gjermani e më gjerë (veçanërisht në kampet naziste të përqendrimit), i lind ideja të krijojë edhe në Shqipëri një divizion të veçantë SS, me rekrutë vendas, të cilët do t’i kishte në çdo moment në dispozicion për të shtypur apo luftuar egërsisht kundërshtarët e Vermahtit gjerman. Dhe, për këtë qëllim, u mendua me djallëzi rekrutimi i kosovarëve, si zgjidhja më e mirë e më e lehtë, pasi ata, duke qenë në dekada në kushtet e sundimit serb, mund të gënjeheshin e manipuloheshin më shpejt përmes evidentimit të ndjenjave nacionaliste, përmendur edhe më sipër. Neubacheri thotë në kujtimet e tij se fillimisht ai ishte kundër kësaj ideje, sepse vlerësonte se krijimi këtij divizioni do të pritej keq nga shumica e shqiptarëve, pasi praktikisht binte në kundërshtim me statusin dhe premtimet që i ishin bërë Qeverisë së Shqipërisë së Re. Megjithatë, Himmleri arrin të marrë me shkrim pëlqimin e Hitlerit. U vendos që kjo trupë rekrutësh kosovarë të quhej Divizioni i Armatosur Malor 21 SS, “Skënderbeu”. Qendra e tij do të ishte në Prizren dhe formalisht aktiviteti duhej të zhvillohej brenda territorit të Shqipërisë së Re. Për propagandë, këtë element u përpoq të “sqarojë” edhe Konsulli i Përgjithshëm gjerman në Tirane, Martin Schliep, kur me 28 qershor 1944 do të deklaronte se “ky Divizion do të ketë aktivitet vetëm në territorin shqiptar”. Ky prononcim bëhej në fakt në mbështetje të “përgjigjes” që qeveria shqiptare i kishte dhënë për këtë çështje në mes të qershorit 1944 një deklarate të kryekomandantit të Forcave Amerikane në Mesdhe, gjeneralit Henry Maitland Wilson. Konkretisht, që në fillim të qershorit ai kishte deklaruar se “... Qeveria e Tiranës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, po shkel neutralitetin e saj duke rekrutuar trupa për të mbështetur operacionet ushtarake të Vermahtit në Ballkan”. Qeveria Shqiptare do të reagonte menjëherë, por pa argumente konkrete, duke vënë në dukje thjeshtë se, ajo “asnjëherë nuk do të rekrutonte trupa për të mbështet ushtrinë gjermane ... dhe se veprimet me natyrë mbrojtëse ... kundër terroristëve komunistë, janë bërë në funksion të ushtrimit të të drejtës së vetëmbrojtjes”. Sipas Neubacherit, Qeveria shqiptare mendonte t’i përdorte më vonë këto trupa si bërthamë për krijimin e forcave të policisë dhe ushtrisë kombëtare. Por, si gjermanët, ashtu edhe qeveria shqiptare “nuk patën aspak fat” me divizionin SS. Ato nuk i ndihmoi as spekulimi me emrin e Skënderbeut. Në librin e tij me titull “Në mbështetje të Gjermanisë” të autorit Hans Neulen, thuhet ndër të tjera se megjithëse në fillim në këtë divizion u regjistruan disa mijëra kosovarë, shumica, pasi merrnin uniformën, armatim të ri e municione (që u interesonin shumë), largoheshin menjëherë në këmbë përmes maleve, në drejtim të vendbanimeve të tyre. Pjesa e mbetur arriti të bënte ndonjë aksion sporadik, shpesh në bashkëpunim me trupat gjermane, pa u dalluar shumë në luftime. Po në këtë libër citohet edhe raporti i një ushtari gjerman që luftonte në front të parë (deutsche Frontsoldat) i cili, duke iu referuar luftëtarëve të Divizionit “Skënderbeu”, vë në dukje se “kanë më shumë frikë nga një kuti e hedhur konservash, që ka pasur më parë mish derri, se sa nga një granate dore” të cilën, me sa duket, ua kalonin njëri-tjetrit si të ishte lodër. Për sa më sipër, vihet re edhe në debatin për çështjen e statusit të Shqipërisë së Re, temë të cilën e kishte për shumë zemër veçanërisht Mehdi Frashëri. Duke pasur mirë parasysh eksperiencën e Konferencës së Paqes së vitit 1919, në të cilën ai vetë kishte marrë pjesë me shumë sukses si delegat i shtetit shqiptar, Mehdiu insistonte vazhdimisht pranë autoriteteve gjermane që Shqipëria e Re të njihej shtet neutral si nga Boshti Qendror ashtu edhe nga Fuqitë Aleate. Sipas tij, kjo do të shmange edhe copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe do i krijonte Shqipërisë mundësinë që si vend i pushtuar, të merrte pjesë në Komisionin Aleat për Italinë, duke kërkuar prej saj reparacione. Këtë çështje, Neubacheri ia paraqiti me telegram z. Ritter në Berlin që më 8 tetor 1943. Aty thuhet se “z. Mehdi Frashëri ka ardhur dy herë tek unë me lutjen që Qeveria e Rajhut të marrë parasysh njërin prej dy varianteve të mëposhtme lidhur me neutralitetin e Shqipërisë: 1) Sipas variantit të parë, Gjermania dhe Aleatët duhet të njohin zyrtarisht neutralitetin e shtetit shqiptar, gjë që do të thotë se për të dyja palët Shqipëria nuk do të konsiderohet si zonë lufte. Për këtë variant i thashë z. Frashëri se ne e kemi krejt të pamundur të bëjmë realitet këtë ëndërr kaq të bukur të shqiptarëve ...: 2) Sipas variantit të dytë, për të qetësuar propagandën armike, Mehdi Frashëri propozon gjetjen e ndonjë formulimi përmes të cilit indirekt do të jepej karakteri neutral i Shqipërisë së Pavarur. Sipas tij, ky formulim duhej të përshtatej sa më mirë me konceptin gjerman ‘nicht kriegfuhrend’ (jo palë ndërluftuese) në luftën aktuale. Lidhur me këtë variant i thashë se e kuptoj rëndësinë politike të këtij formulimi për propagandën armike, pasi ju keni frikë se Gjermania do ju tërheqë edhe ju në frontin e luftës. Por, unë ju garantoj se Gjermania në asnjë mënyrë as që e mendon të përdorë ushtarë shqiptarë kundër armiqve të saj”. Mirëpo, Mehdi Frashëri nuk i ndahej kësaj teme. Ndaj, në janar 1944, ai i drejtohet sërish Neubacherit duke theksuar me forcë interesin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Gjermanisë mbi këtë çështje. Frashëri vë në dukje ndër të tjera se “praktikisht Shqipëria ndodhet në një neutralitet relativ, pasi vlerëson se trupat gjermane kanë ardhur aty thjeshtë për nevojat e tyre ushtarake, që të mbrohen nga një zbarkim i mundshëm i aleatëve në bregdetin shqiptar. Sipas tij, shqiptarët i trajtojnë gjermanët si miq, pavarësisht se vetë janë neutralë në luftën që ka shpërthyer mes fuqive evropiane ... Kjo do të thotë se nëse armiqtë e Gjermanisë vijnë dhe e sulmojnë atë me njësi të rregullta ushtarake, Shqipëria do të qëndrojë asnjanëse”. Sipas Neubacherit, me këto qëndrime Mehdi Frashëri kërkon “të jetë inovativ e të shpikë norma të së drejtës ndërkombëtare”, pasi e krahason rastin aktual të Shqipërisë me atë të Egjiptit në vitin 1922. Më konkretisht, bëhet fjalë për lëvizjen çlirimtare në Egjipt të viti 1919, për t’u çliruar nga protektorati britanik i vendosur në vitin 1914. Britania ishte fillimisht kundër kësaj lëvizjeje. Megjithatë, pas bisedimeve të fshehta me nacionalistë egjiptianë, përmes një deklaratë të njëanshme të Britanisë bërë më 28 shkurt 1922, njihej pavarësia e Egjiptit dhe neutraliteti i tij, me kushtin që ky shtet të respektonte disa “interesa jetike” të britanikëve aty, mes të cilëve ishte prezenca ushtarake dhe hapja e kontrolli e Kanalit të Suezit. Pra, neutraliteti i Egjiptit do të ishte i kushtëzuar, apo thënë ndryshe, relativ. Por, këtij propozimi të Frashërit, Neubacheri i bën një ndryshim esencial, që është njëkohësisht edhe cinik. Ai e përcakton jo neutralitetin, por sovranitetin e Shtetit të ri Shqiptar si “sovranitet relativ”, duke vënë në dukje se pavarësisht që trupat gjermane trajtohen nga shqiptarët si miq ... sovraniteti i Qeverisë shqiptare ka një kufizim të rëndësishëm, që do të thotë se ushtria gjermane do të detyrohej t’i kundërvihej çdo qeverie që bashkëpunon me armiqtë e saj. Sigurisht që përmes këtij sqarimi, Neubacheri indirekt donte të vinte në dukje se çdo interes ushtarak gjerman në Shqipërinë e Re ka përparësi absolute ndaj çdo të drejte sovrane të shtetit shqiptar. Këtë mesazh do të përcillte në qershor 1944 edhe Ribbentropi, kur u informua mbi përgjigjen e Qeverisë shqiptare ndaj deklaratës së gjeneralit amerikan Watson lidhur me krijimin e Divizionit SS “Skënderbeu”, përmendur më sipër. I nervozuar nga kjo përgjigje, ai do të theksonte se me këtë qëndrim Qeveria shqiptare ka shkuar shumë larg, dhe se “... nuk mund të imagjinohet që një qeveri e një vendi që falënderon Rajhun gjerman për politikën bujare dhe mbështetjen e pavarësisë së tij, të hyjë në kontakte me armiqtë tanë, duke u shprehur edhe kundër nesh”. Mehdi Frashëri do të përpiqej sërish edhe në vijim të tregonte me veprime se Qeveria shqiptare ishte e pavarur dhe jo vegël në duar të gjermanëve. Ai shfrytëzoi për këtë qëllim krizën qeveritare të periudhës maj-qershor 1944. Lidhur me këtë krizë, Neubacheri do të njoftonte Berlinin zyrtar nga Athina më 27 maj 1944. Aty thuhet se “Shqipëria po përjeton një krizë qeveritare. Këshilli i Lartë i Regjencës po bashkëpunon ngushtësisht edhe me drejtuesin e zogistëve, Abaz Kupi, kapedanin e Mirditës, Gjon Marka Gjoni, dhe me udhëheqësin dibran, Fiqiri Dine. Të gjithë së bashku kanë lidhur një pakt antikomunist. Nga ana tjetër, kryeministri shumë i dobët e tepër i sëmurë, Rexhep Mitrovica nuk mund të qëndrojë më në detyrë. Ka gjithashtu një lëvizje të fortë kundër ministrit të Brendshëm, Xhafer Deva”. Pak ditë më vonë, Rexhep Mitrovica do të jepte dorëheqjen dhe pas tij edhe Xhafer Deva. Më 18 korrik 1944 u krijua kabineti i ri qeveritar me kryeministër Fiqiri Dinen. Mehdi Frashëri, si kryetar i Këshillit të Lartë të Regjencës, nuk u konsultua dhe nuk vuri aspak në dijeni mbi këto zhvillime autoritetet gjermane. I indinjuar nga ky veprim, më 21 korrik 1944 Neubacheri do të merrte në telefon ambasadorin gjerman në Tiranë, Schliep, duke theksuar se “pa Vermahtin nuk do të kishte një shtet të ri shqiptar dhe se me krijimin e Kabinetit të Ri nuk mund të vihej Rajhu para faktit të kryer. Pa mbështetjen gjermane, asnjë qeveri shqiptare nuk do të kishte autoritet, mundësi e aftësi për ushtrimin e funksioneve”. Në këto kushte, vetëm pas rreth një muaji, më 29 gusht 1944, Fiqiri Dine do të jepte dorëheqjen. Pas tij, më 6 shtator 1944 do të krijohej sërish një Kabinet i Ri, me kryeministër Ibrahim Bej Biçakun. Atij s’i mbetej gjë tjetër veçse të vepronte si “likuidatori i një shoqërie tregtare të falimentuar” (konkurs Verwalters). “Shqipëria e Re” nuk mund të qeverisej më ... /Gazeta “Panorama”/