Arteta flet pas fitores së madhe ndaj Aston Villas dhe ka disa fjalë për Gabrielin

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse 4–1 ndaj Aston Villas, në kuadër të javës së 19-të të Ligës Premier. “Një mbrëmje e mrekullueshme. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, ashtu siç e prisnim. Aston Villa është një kundërshtar shumë i fortë”, deklaroi Arteta pas ndeshjes. Spanjolli pranoi se fillimi i ndeshjes nuk ishte ideal për ekipin e tij. “Luajtëm paksa të pasigurt në 10 minutat e para dhe na u desh kohë të përshtateshim. Duhet t’u japim merita kundërshtarëve, sepse arritën ta thyenin dy herë presionin tonë dhe të nisnin sulme shumë të rrezikshme. Më pas, ne morëm kontrollin e lojës dhe filluam të krijonim raste”. Arteta theksoi veçanërisht startin e pjesës së dytë, të cilin e cilësoi vendimtar. “E nisëm pjesën e dytë në mënyrë brilante. Ishim më aktivë dhe shumë efektivë në gjithçka që bëmë. Duhej të tregonim durim dhe të zgjidhnim momentin e duhur për të vepruar, gjë që nuk është aspak e lehtë kundër kësaj skuadre. Kjo është meritë e madhe e lojtarëve”. telegrafi.com Ai u ndal edhe te realizimi i rasteve, duke e krahasuar këtë ndeshje me takimet e mëparshme. “Në javët e fundit kemi krijuar shumë raste, por sot ishte ndryshe. Cilësia në përfundimin e aksioneve ishte e nivelit të lartë dhe kjo e vendosi fatin e ndeshjes”. Trajneri i Arsenalit vlerësoi maksimalisht edhe rikthimin e Gabriel Magalhães, i cili u kthye në fushë pas gjashtë javësh mungesë. “Pamë sa i rëndësishëm është Gabrieli për ne. Ai u rikthye më herët se sa pritej dhe u përball me qetësi Ollie Watkins, një nga sulmuesit më të mirë dhe më të vështirë për t’u markuar në Ligën Premier. Mendoj se luajti shkëlqyeshëm". Sa i përket faktit që trajneri i Aston Villas, Unai Emery, u drejtua menjëherë për në dhomat e zhveshjes pas fishkëllimës së fundit, Arteta nuk i dha shumë rëndësi. “Nuk është problem. Ndonjëherë ndodhin situata të tilla, ndaj për mua nuk ka asnjë çështje”, përfundoi ai për Sky Sports. /Telegrafi/