Nga: Nadia Khomami / The Guardian (titulli: 2025 was the year we grew tired of celebrity for celebrity’s sake ) Përkthimi: Telegrafi.com Kur Katy Perry dhe pesë gra të tjera u nisën në hapësirë me raketën Blue Origin të Jeff Bezosit, me siguri prisnin të përshëndeteshin si pioniere. Kthejeni mendjen te prilli, kur ngjarja po mbulohej gjerësisht nga mediat. Ekuipazhi, që përfshinte gjithashtu të fejuarën e atëhershme të Bezosit, Lauren Sánchez, dhe prezantuesen e CBS-it, Gayle King, ishte në hapësirë për rreth 11 minuta gjatë të cilëve Perry këndoi një version të What a Wonderful World të Louis Armstrongut dhe zbuloi listën e këngëve për turneun e saj Lifetimes . Pas kthimit, ylli i popit puthi tokën dhe tregoi një margaritar para kamerës - një homazh për vajzën e saj, Daisy. Eh, flasim për rënie me këmbë në tokë. Në vend që të përshëndetej si një hap gjigant për feminizmin e shekullit XXI, udhëtimi u kthye në një dështim kolosal të marrëdhënieve me publikun. Në një kohë të problemeve ekonomike, u tall si gjë e pakuptimtë, si një shëtitje luksi për super të pasurit e shkëputur nga realiteti. Kishte aq shumë meme tallëse dhe opinione ironike, saqë më vonë Perry pranoi se ndihej “e rrahur dhe e lënduar” nga fakti që ishte kthyer në një “pinjatë njerëzore”. “E marr me mirësjellje dhe u dërgoj dashuri”, tha ajo, “sepse e di që ka shumë njerëz që po vuajnë në shumë mënyra dhe interneti është vërtet një vendgrumbullim mbeturinash për të paqëndrueshmit dhe të pashërueshmit”. Por, reagimi ndaj Blue Origin -it pasqyroi një ndryshim më të gjerë kulturor. Siç thotë shprehja tashmë virale e Kourtney Kardashianit: “Kim, ka njerëz që po vdesin”. Po zhduket toleranca e publikut për promovimin e famës si qëllim më vete. Në një botë të mbushur me pasiguri ekonomike, tronditje politike, luftëra dhe degradim mjedisor, a është për t’u habitur që gjithnjë e më shumë duam që ata që kanë platforma të mëdha t’i përdorin ato për diçka më shumë sesa për vetëpromovim? Sigurisht, dasma e Jeff Bezosit në Venecie, këtë verë - me kosto të vlerësuar në rreth 37 milionë paundë [afro 43.4 milionë euro] - ishte jashtëzakonisht glamuroze, dhe çdo personazh i famshëm që vlente një qindarkë ishte i ftuar. Pamë fotot e Leonardo DiCaprios, Oprah Winfreyt, Ivanka Trumpit dhe Kardashianeve teksa hipnin në taksi ujore për të vizituar lagunën veneciane. Dikur këto imazhe do të kishin ngjallur zili ose aspiratë; tani nxisin zemërim dhe ushqejnë narrativa të stilit “haje të pasurin”. Yjet dikur ishin figura të largëta, jeta e të cilëve funksiononte si arratisje. Mediat sociale e kanë zvogëluar atë distancë, duke i sjellë yjet në të njëjtat faqe, kriza dhe biseda si të gjithë të tjerët. Tani, kur ata duken indiferentë, kjo lexohet si përçmim. Merrni rastin e Sydney Sweeney, reklama e së cilës për xhinset American Eagle shkaktoi një nga debatet më të mëdha në kulturën pop këtë vit. Në të, biondina me sy të kaltër - yll i [serialit] Euphoria - paraqitet si dikush me “xhinse madhështore” [Great Jeans] - lojë fjalësh me “gjene” [gene] - për të cilën kritikët thanë se evokonte eugjenikën dhe supremacinë e bardhë. Edhe Donald Trumpi u përfshi, duke e cilësuar si “reklamën më të nxehtë”, pasi u raportua se Sweeney ishte regjistruar si votuese republikane në Floridë, disa muaj para zgjedhjes së tij. Shumë vetë e panë heshtjen e Sweeneyt si bashkëfajësi. “Mendoj se kur kam një çështje për të cilën dua të flas, njerëzit do të më dëgjojnë”, tha aktorja në nëntor. Kaluan disa javë dhe Sweeney më në fund pranoi se duheh të kishte adresuar polemikën rreth reklamës. Ajo gjithashtu foli kundër “urrejtjes dhe përçarjes”. Interpretimi bujar është se iu desh një kohë për të gjetur përgjigjen e duhur, por cinikët mund të vërejnë se pendesa përkoi me daljen e dobët në arkëtim të filmit të saj të fundit, Christy . Drejtuesit e filmave mund të falen për besimin se thjesht një emër i famshëm në titull mund të tërheqë njerëzit në kinema - në fund të fundit, kjo ka qenë mënyra që nga lindja e Holivudit. Por, përvoja e Sweeneyt flet gjithashtu për një rikthim më të gjerë në industrinë e filmit. Këtë sezon, filmat që kanë protagonistë emrat si Margot Robbie, Dwayne Johnson, Julia Roberts, Keanu Reeves dhe Daniel Day-Lewis kanë pasur vështirësi në kthimin e investimeve. Një postim i njohur në Reddit ka thënë se kjo ndodhi “thjesht sepse sistemi i yjeve nuk ekziston më dhe një emër i vetëm nuk mjafton për të bindur dikë që të shkojë në kinema”. Në vend të kësaj, rezonuan filmat që sfiduan strukturat ekzistuese të pushtetit dhe që kishin një kastë solide, si Sinners i Ryan Cooglerit, një film vampirësh i rrënjosur në historinë afrikano-amerikane, apo One Battle After Another i Paul Thomas Andersonit për një revolucionar në pension dhe vajzën e tij me origjinë të përzier që përballen me shtetin. Duket se nuk mjafton më të çmosh famën. Edhe Taylor Swift, e cila ndërtoi karrierën mbi ndjeshmërinë emocionale, u përball me reagime të vakëta kur albumi i saj më i fundit, The Life of a Showgirl , i dha përparësi këngëve për shoubizin dhe burrërisë së të fejuarit të saj mbi çështjet madhore. Akuza se Swifti ishte e shkëputur nga ankthet e botës më të gjerë, u thelluan kur ajo dështoi të sfidonte administratën Trump për përdorim - në rrjetet sociale - të fragmenteve nga albumi i saj (për dallim nga muzikantët e tjerë si Sabrina Carpenter dhe Olivia Rodrigo, që kundërshtuar publikisht përvetësimet e ngjashme politike). Vitin e kaluar, Swifti ishte në listën e personazheve të famshëm që përdoruesit e rrjeteve sociale u inkurajuan t’i bllokonin sepse nuk kishin komentuar publikisht për konfliktin Izrael-Gazë. Ndoshta një ndjenjë kaq e fortë qëndron pas rritjes së numrit të artistëve që janë ndier të fuqizuar për të folur për shkallën e vdekjes dhe vuajtjes në Gazë gjatë 12 muajve të fundit. Por, ka gjithashtu pasoja të mundshme për ata që bëjnë deklarata politike - dhe jo vetëm për Lindjen e Mesme. Pezullimi i prezantuesit amerikan Jimmy Kimmel (për komentet rreth vrasjes së Charlie Kirkut) tregoi se institucionet e fuqishme janë të gatshme të veprojnë kundër figurave publike që i sfidojnë ato. Ekziston gjithashtu rreziku që të famshmit të rrëshqasin në aktivizëm performativ. Në [platformën] Substack -un e saj të ri, Charli xcx së fundmi reflektoi mbi përgjegjësinë e artistit ndaj publikut. “Disa njerëz duket se kanë krijuar një lidhje midis famës dhe përgjegjësisë morale të cilën unë në të vërtetë kurrë nuk e kam kuptuar”, tha ajo. Ndërkohë, Jennifer Lawrence ka thënë se barra nuk duhet të bjerë mbi artistët për të rregulluar problemet e botës. Por, në një kohë kur shumë njerëz kanë humbur besimin në institucionet që dikur formësuan moralin publik - nga liderët politikë te mediat - nuk është për t’u çuditur që të famshmit po shihen si ata që duhet të mbushin boshllëkun. Në vitin 2025, njerëzit nuk i duan të famshmit e tyre në hapësirë - ata duan të dinë për çfarë qëndrojnë ata këtu në tokë. /Telegrafi/