Refuzohet e pabazuar ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së

Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e subjektit politik: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, (PZAP). Kundër vendimit të PZAP-së, LVV ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme. “Gjykata vlerësoi pretendimet ankimore të subjektit politik, përkitazi me shkeljen e supozuar të nenit 36 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, dënimin me gjobë të shqiptuar dhe interpretimin e PZAP-së lidhur me përdorimin e pasurisë publike dhe pjesëmarrjen e zyrtarëve publikë gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, mirëpo këto pretendime i refuzoi si të pathemelta dhe jo të qëndrueshme. Gjykata duke u nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, lidhur me dënimin me gjobë të shqiptuar ndaj subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që janë mbajtur më 28 dhjetor 2025”, thuhet në njoftim. Tutje në njoftim thuhet se PZAP vendimin e atakuar e bazon në prova konkrete, të qarta dhe ekzistuese, pasi që gjatë shqyrtimit të provave gjegjësisht nga hulumtimi dhe verifikimi në llogarinë e rrjetit social Facebook, PZAP ka vërtetuar faktin se kandidatët e subjektit politik ankues: Arbërie Nagavci, Hysen Durmishi, Arben Vitia, Albulena Haxhiu dhe Hajrulla Ceko, kanë promovuar aktivitetet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke shfaqur logon dhe numrin zgjedhor të subjektit politik lëvizja Vetëvendosje, në hapësirat publike, përkatësisht në: Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës si dhe Urën në Mitrovicë. Gjykatë konstatoi se në këtë çështje juridike, gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe nuk është shkelur ligji në dëm të parashtruesit të ankesës. /Telegrafi/