Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, mund të mos rikthehet më kurrë në ring pas një aksidenti të rëndë automobilistik, sipas promotorit të njohur Frank Warren. Ngjarja tragjike, e cila ndodhi në Nigeri, ka lënë pasoja të rënda emocionale dhe ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e karrierës së boksierit britanik. Aksidenti ndodhi në qytetin Makuni dhe rezultoi fatal për dy miq të afërt dhe bashkëpunëtorë të stërvitjes së Joshuas, Sin Ghami dhe Latif Ayodele. Joshua i shpëtoi vdekjes për pak, vetëm sepse ndodhej disa centimetra më lart në sediljen e majtë të automjetit krahasuar me pasagjerët e tjerë. “Kjo është një periudhë e tmerrshme për të gjithë të përfshirët. Shpresoj që Anthony të jetë mirë fizikisht, por aspekti mendor është një çështje krejt tjetër. Nuk e di nëse ai do ta gjejë ndonjëherë forcën apo dëshirën për të luftuar përsëri, apo nëse do të rikthehet fare në ring. Vetëm koha do ta tregojë”, deklaroi Frank Warren për ITV News . Joshua, i cili ishte planifikuar të përballej me Tyson Fury në vjeshtën e vitit 2026, tani e ka të ardhmen sportive të mbuluar nga pasiguria. Humbja e dy miqve të ngushtë në këtë aksident tragjik pritet të ketë një ndikim të thellë në gjendjen e tij mendore dhe në motivimin për të vazhduar karrierën. Policia nigeriane ka konfirmuar se shkaku paraprak i aksidentit ishte shpërthimi i një gome, ndërsa automjeti Lexus SUV në të cilin udhëtonte Joshua u përplas me një kamion të ndaluar në autostradën e rrezikshme Lagos–Ibadan. Boksieri 36-vjeçar i shpëtoi vdekjes për pak në këtë përplasje fatale. telegrafi.com Sipas Babatunde Akinbiyi, komandant i Policisë së Trafikut dhe Zbatimit të Rregullave në Nigeri, hetimet fillestare tregojnë se automjeti humbi kontrollin për shkak të shpejtësisë së tepërt dhe shpërthimit të gomës gjatë një tentative për tejkalim. Fuoristrada drejtohej nga një shofer vendas. Ndërsa hetimet vazhdojnë, bota e boksit mbetet në pritje për të mësuar nëse Anthony Joshua do të jetë në gjendje – fizikisht dhe mendërisht të rikthehet ndonjëherë në ring pas kësaj tragjedie të rëndë. /Telegrafi/