ASH-Sela: Nga sot Këshilli i Komunës së Strugës nuk udhëhiqet në gjuhën shqipe

Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës ka reaguar ndaj përzgjedhjes së Mitko Stefkovskit në krye të Këshilllit Komunal në Strugë. "Ka qenë e qartë që në fillim se asnjë ndryshim nuk do të vinte me këtë lloj koalicioni për Strugën dhe qytetarët e saj. Kandidatura e ashtuquajtur e pavarur aspak nuk ishte e tillë, kishte shumë parakushte që fatkeqsisht i shohim çdo ditë tek plotësohen…Nëse “ndryshimi” është Merko dhe OBRM-PDUKM, kjo nuk quhet ndryshim po vazhdimësi”, thuhet në reagimin e ASH-së. Sipas Selës me këtë vendim të sotit kjo nuk është zero korrupsion por është vazhdim i korrupsionit. "Nëse kompromisi sot i arrire bëhet mbi kurrizin e drejtësisë dhe llogaridhënies nga pushtetarët e deri djeshem të komunës së Strugës, kjo nuk është zero korrupsion, por shumëfishim dhe vazhdim i korrupsionit. Nëse zgjedhja e një kandidati të VMRO-së për kryesues të këshillit e kamufloni me bashkëjetesë ndërmjet komuniteteve etnike dhe demokraci, atëherë lind pyetja: pse Buteli, me mbi 50 për qind trup votues shqiptar, nuk e ka kryesuesin e këshillit shqiptar? Pse Bervenica jo? Dhe pse, sipas së njëjtës logjikë, nuk kryesohet Këshilli i Qytetit të Shkupit nga një shqiptar”, ka shtruar pyetje Ziadin Sela. Nga ASH thonë se nga sot këshilli i komunës së Strugës nuk udhëhiqet në gjuhën shqipe!