Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren ka njoftuar se Arif Fazli nga Prizreni i është bashkuar radhës së vakëflënësve, duke dhuruar shtëpinë e tij si vakëf në dobi të Bashkësisë Islame. Sipas njoftimit zyrtar të KBI-Prizren, më 31 dhjetor 2025, z. Fazli, në emër të Allahut dhe fi sebililah, ka dhuruar shtëpinë e tij me sipërfaqe prej 800 metrash katrorë, me 182 metra katrorë truall, e cila ndodhet në lagjen Terzimahalla në Prizren. Vlera e pronës vlerësohet të arrijë deri në rreth gjysmë milioni euro. Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, kryetari Valon ef. Ibrahimi dhe kryeimami Dr. Orhan ef. Bislimaj kanë shprehur falënderimet e tyre për këtë akt madhor bamirësie, duke theksuar rëndësinë e kontributit për Bashkësinë Islame dhe për komunitetin e besimtarëve. Ata i uruan z. Fazli shëndet, bereqet dhe suksese të vazhdueshme për të dhe familjen e tij. Nga KBI-Prizren u bë e ditur se ky dhurim nuk është i pari nga ana e z. Fazli. Si biznesmen i suksesshëm që vepron në Zvicër, ai ka kontribuar ndër vite në projekte të ndryshme humanitare dhe bamirëse, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë. Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren i uroi Arif Fazlit shpërblime në dynja dhe ahiret për këtë vepër të çmuar humanitare.