Udhëheqësi çeçen, Ramzan Kadyrov, është shumë i sëmurë dhe së fundi u reanimua me vështirësi në Moskë. Ramzan Kadyrov u shtrua urgjentisht në spital në Moskë në natën e 24‑25 dhjetorit pas përkeqësimit të shpejtë të gjendjes shëndetësore dhe për këtë arsye nuk mori pjesë në takimin e Këshillit të Shtetit të udhëhequr nga presidenti rus, Vladimir Putin. Ai u transportua me ambulancë në Spitalin Klinik Qendror të Administratës Presidenciale të Rusisë, ndërsa takimi i Këshillit të Shtetit u mbajt pa përfaqësues të Çeçenisë. Sipas një burimi, në Moskë ia dolën me vështirësi ta ringjallin (reanimonin), dhe më pas ai u kthye në shtëpi, por që atëherë nuk është parë në publik. Raportohet se Kadyrov më herët këtë vit ishte hospitalizuar në një klinikë private në Grozni, dhe që atëherë gjendja e tij është përkeqësuar, raportojnë mediat . Vetë Kadyrov ka thënë se përjeton “çrregullime nervore” dhe “ndjenjë të vazhdueshme tensioni”, të cilat i ka lidhur me pjesëmarrjen e luftëtarëve çeçenë në luftën kundër Ukrainës. Sipas raporteve të mëparshme, shëndeti i tij është përkeqësuar dukshëm, dhe kjo ka nxitur ndryshime në drejtimin e pushtetit në Çeçeni. Në muajin maj, ai deklaroi se kishte kërkuar të lirohej nga detyra. /Telegrafi/