Një dialog mbi rolin e drejtuesit në shndërrimin e dijes në modele funksionale që integrojnë arsimin, shëndetësinë, sportin dhe inovacionin Fundviti është periudha kur reflektimi merr peshë të barabartë me arritjen dhe kur suksesi pushon së qeni një kategori numerike. Në këtë moment kohor, vlera e veprimit matet më pak me rezultate të menjëhershme dhe më shumë me drejtimin që ka marrë mendimi, me përgjegjësinë që mbart vendimmarrja dhe me ndikimin afatgjatë që ajo ushtron mbi shoqërinë. Në këtë kontekst reflektiv, Edmond Hajrizi shfaqet jo vetëm si drejtues institucional, por si përfaqësues i një qasjeje sistemore që e koncepton dijen si instrument veprimi shoqëror dhe zhvillimi, jo si qëllim në vetvete. Rrugëtimi i tij ndërthur arsimin, sipërmarrjen, shëndetësinë, sportin dhe inovacionin në një model funksional, ku teoria dhe praktika bashkëjetojnë dhe prodhojnë impakt të matshëm shoqëror. Për Hajrizin, dija nuk mbetet koncept abstrakt apo kapital simbolik, por shndërrohet në strukturë veprimi, në sistem dhe në arkitekturë vendimmarrjeje. Kjo qasje reflektohet në mënyrën se si ndërtohen institucionet, si projektohen politikat arsimore dhe si kuptohet roli i lidershipit akademik në një realitet gjithnjë e më kompleks dhe ndërdisiplinar. Biseda që vijon nuk synon të rendisë arritje individuale, por të hapë pyetje thelbësore mbi arsimin, etikën, inteligjencën artificiale, tregun dhe përgjegjësinë publike. Janë pyetje që nuk i përkasin vetëm një viti që mbyllet, por kohës që po ndërtohet. Prof.Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova Pyetja akademike si motor i dijes bashkëkohore Duke iu referuar mendimit të Henrik Ibsen se detyrë e krijuesit është njëkohësisht të pyesë dhe të përgjigjet, si e shihni sot këtë “tension” ndërmjet pyetjes dhe përgjigjes në rolin e akademikut bashkëkohor? Prof. E. Hajrizi: Duke marrë parasysh se si shoqëri ne zhvillohemi vazhdimisht dhe përballemi me gjëra të reja e të papritura, mendoj se është përgjegjësi e akademikut që të shtrojë pyetje problemore, të cilat çojnë drejt ecurive kreative për krijimin dhe studimin e dijeve të reja, që më pas, në të ardhmen, kanë potencial të përmirësojnë çështje të ndryshme jetësore. Pra, këto pyetje nuk duhet të trajtojnë çështjet thjesht në aspektin filozofik: “çka?” dhe “pse?”, por duhet të shërbejnë si tendencë dhe metodologji për t’i gjetur zgjidhje një problemi - “si?”. Në anën tjetër, dhënia e një përgjigjeje, edhe pse mund të mendohet si proces i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, sot është proces mjaft kompleks, për shkak të dinamikës, perspektivave dhe ndryshimeve të shpejta. Sigurisht, për shkak të dijes dhe përvojës që posedon, akademiku ka përgjegjësi të gjejë dhe të japë një përgjigje apo konkluzion, mirëpo, sidomos sot, jo si autoritet final dhe si përgjigje absolute, por thjesht si rrugëtim, nxitje e mendimit dhe kreativitetit për zgjidhjen e problemeve të universit. Ju nuk keni ndërtuar vetëm një institucion arsimor, por një sistem funksional në një mjedis konkurrues dhe kompleks. Në cilin moment e kuptuat se kjo përpjekje po tejkalonte kufijtë institucionalë dhe po artikulohej si një model me domethënie më të gjerë shoqërore? Prof. E. Hajrizi: Vërtet, sistemi që është ndërtuar është kompleks, konkurrues (ndërmarrës) dhe përfaqëson një ekosistem me një shumëllojshmëri mijëra funksionesh dhe komponentesh, të cilat krijojnë vlerë bashkërisht në shoqëri. Mendoj se pikërisht në momentin kur në UBT u arrit një llojllojshmëri e fushave të studimit që përfshijnë shumicën e fushave të jetës, dhe këto fusha zhvilluan një interaktivitet të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, si një reprezentim i jetës reale, atëherë u krijuan parakushtet për të kaluar në një model shoqëror. Atëherë u krijua baza dhe mundësia që, përveç edukimit, të shtoheshin edhe komponentë të tjerë, si hulumtimi i mirëfilltë me praktikë, bashkëveprimet me industrinë, kulturën dhe artin, impakti në to, bashkëpunimet e ndryshme, ndërmarrësia dhe inovacioni. Pra, realisht, në UBT filloi krijimi i një qyteti të tërë që përfshin jo vetëm edukimin, por gjithë spektrin e jetës. Modeli “UBT Smart Self-Sustain System” synon ta shoqërojë individin nga edukimi i hershëm deri në jetën profesionale. A mendoni se institucionet e arsimit të lartë të së ardhmes do të evoluojnë nga struktura klasike arsimore drejt rolit të arkitektëve të jetës shoqërore? Prof. E. Hajrizi: Transformimet që po ndodhin sot kërkojnë edhe kompetenca dhe atribute të reja të njerëzve, të cilat në vete janë komplekse dhe kanë ngjyrime të ndryshme, pra vijnë nga aspekti teknik, social, psikologjik dhe ambiental. Për t’i përfshirë këto dhe për t’i rritur gjasat e suksesit, formati klasik i edukimit nuk mjafton. Duhet të ekzistojë një sistem i së ardhmes, i cili përbëhet nga një ndërlidhje dhe harmoni e vazhdueshme mes jetës, komunitetit, edukimit, teknologjisë dhe ambientit, ku në njërën anë shfrytëzohen arritjet e fundit tekniko-teknologjike, si inteligjenca artificiale, dhe në anën tjetër ruhet me ngulm komponenti njerëzor. Pra, tashmë nuk mjafton vetëm shkolla, por nevojitet një qytet i tërë në miniaturë për t’i përgatitur individët që të kenë sukses. Këtë qytet ne e kemi ndërtuar, tashmë e quajmë UBT 5S apo Smart City, dhe e kemi testuar, duke parë rezultate të vazhdueshme në zhvillimin e atributeve që kërkojmë për njeriun e së ardhmes. Në procesin e ndërtimit të një institucioni nga themeli, në rrethana të resurseve të kufizuara, cila ka qenë sfida më e madhe që nuk shihet nga jashtë? Gjithashtu, a ka ekzistuar një pikë kthese kur kompromisi, megjithëse funksional, nuk përputhej më me vizionin tuaj strategjik? Prof. E. Hajrizi: Realisht, ndërtimi i institucionit për mua është një rrugëtim, ku gjatë gjithë ciklit të jetës kërkoj të gjej përgjigjen e një pyetjeje thelbësore që ia kam parashtruar vetes në fillim të karrierës sime, sa mund të ndikojë një individ në shoqëri duke kontribuar me një qasje proaktive, të bazuar vetëm në dije, në standardet më të mira dhe në pasion, pa asnjë parakusht financiar. Kosova ishte një vend në tranzicion, me nevoja shumë të mëdha për kapacitete dhe zhvillime, pa parakushte të tjera mbështetëse, prandaj ishte vendi perfekt për të gjetur këtë përgjigje. Është e rëndësishme të theksohet se pyetja që i kam shtruar vetes kishte si hipotezë besimin se, kur diçka zhvillohet dhe gjeneron një vlerë, përmbajtje që dikush e përdor dhe e zhvillon tutje, ky impakt nuk kërkon kompromis, por mision, vizion dhe arsye për të qenë proaktiv. Çfarëdo përfitimi lokal, momental apo më i lehtë nuk ka qenë alternativë e saktë, nëse nuk është përputhur me vizionin tim, i cili është bazuar në cilësi, ekselencë, inovacion, impakt dhe rritje të vazhdueshme. Pra, nuk ka pasur asnjëherë ndonjë alternativë tjetër, përveç një rrugëtimi të qëndrueshëm të bazuar në vlerë. Sigurisht që ky rrugëtim ka pasur sfida të mëdha dhe, përveç nevojës për të ndërtuar kapacitetet nga zero, sfida më e madhe ka qenë rezistenca dhe skepticizmi i rrethit dhe i shoqërisë kosovare ndaj besimit se ne mund të bënim diçka të madhe dhe të ishim pjesë e zhvillimeve të fundit të botës. Mendoj se ndoshta arritjet do të kishin ardhur më shpejt sikur të gjithë të kishim besuar dhe të ishim angazhuar së bashku, pasi është dashur punë shtesë, shtytje e vazhdueshme individuale, zhvillim dhe krijim i impakteve për të tejkaluar barrierat e këtij mentaliteti kufizues. Prof.Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova Edhe pse në planin strategjik arsimi konsiderohet shtyllë vertebrale e një kombi, në praktikë vërehen ngecje të ndjeshme. Ku mendoni se qëndron burimi kryesor i këtij hendeku? Prof. E. Hajrizi: Thashë më herët se modelet klasike të edukimit nuk janë të qëndrueshme dhe mjaftueshëm produktive për kërkesat dhe nevojat që njerëzimi i ka sot dhe do t’i ketë nesër. Kërkesat janë shumë të mëdha dhe evoluojnë shpejt, ndërsa sistemi arsimor është i ngadalshëm dhe jo aq i adaptueshëm sa kërkohet. Përkundër faktit se asnjëherë nuk kemi pasur financim më të madh, më shumë mësimdhënës dhe infrastrukturë më të mirë se sot, transformimet dhe kompleksiteti janë të shpejta dhe kërkojnë qasje tjetër, një qytet të tërë ku ndërlidhen shoqëria, teknologjia, ambienti, psikologjia, kultura dhe arti, të cilat krijojnë një strukturë të një “laboratori të jetës”, ku mund të arrihen atributet dhe kompetencat e nevojshme. Ky fakt nuk vlen vetëm për Kosovën, por kudo. Mirëpo, në Kosovë mungon prioritizimi i arsimit në mënyrë serioze, dhe kjo jo vetëm në nivel qeveritar, por edhe te qytetarët, industritë dhe institucionet. Shihen dukshëm arritjet dhe rezultatet në vendet që kanë reaguar me kohë dhe kanë integruar arsimin si pjesë kyçe të zhvillimit. Zhvillimi i arsimit është një model shumë kompleks që nuk mund të zgjidhet me një formulë klasike; kërkon modelim të ri, i cili ka për bazë edhe gjendjen aktuale të shoqërisë. Për këtë arsye kam dashur të krijoj një prototip apo model të ri, i cili mund të implementohet në gjithë sistemin e Kosovës e më gjerë. Ky model është aprovuar dhe vlerësuar në botë, për çka edhe jam ftuar të flas në universitete, kompani dhe institucione më prestigjioze botërore, dhe për të cilin janë zhvilluar edhe hulumtime të shumta globalisht. Sistemi i arsimit të lartë në Kosovë ka një rol jo vetëm akademik, por edhe shoqëror e kombëtar. A duhet ai të fokusohet në mbajtjen e të rinjve në vend, apo në përgatitjen e tyre për lëvizje të lirë dhe për një rikthim të mundshëm me dije dhe përvojë të reja? Prof. E. Hajrizi: Sistemi i arsimit është i lidhur drejtpërdrejt me aspektet shoqërore dhe kombëtare, pa dyshim; ky është parakusht në të gjitha vendet, por në mënyrë të theksuar për ne, sepse në Kosovë strukturat e tjera nuk janë mjaftueshëm të stabilizuara dhe të zhvilluara për të ndihmuar një individ pa edukim cilësor. Një edukim cilësor për qytetarin e Kosovës është i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një jetë cilësore, ndërsa në vendet e tjera janë krijuar struktura dhe alternativa të tjera, përveç edukimit. Për shkak se ne jemi një vend i vogël dhe i përkasim shoqërisë globale, duhet t’i pajisim të rinjtë me praktikat më të fundit të mundshme, në mënyrë që të kenë sukses kudo që jetojnë dhe veprojnë. Mirëpo, unë besoj thellësisht dhe jam vetë dëshmi se, nëse je i përgatitur dhe kompetent, perspektivat më të mëdha janë në vendin tënd sesa në një vend të huaj, për shkak të mbështetjes, harmonisë, qetësisë shpirtërore dhe ndjenjës së përkatësisë, të cilat shtojnë aktivitetin dhe kreativitetin e individit si pjesë e shoqërisë. E gjithë kjo krijon mundësinë që të rinjtë tanë të qëndrojnë në vend, por ata kurrsesi nuk duhet të jenë të izoluar. Dija në vetvete nuk është e izoluar; ajo duhet të lëvizë, të bartet, të shkëmbehet dhe të krijohet si bashkëpunim i perspektivave të ndryshme, sepse vetëm kështu krijohen vlera të reja për një jetesë më të mirë, dhe jo një nevojë e thellë për të lëvizur jashtë vendit. Cilësia dhe kuadrot e përgatitura madje do ta bëjnë edhe vendin tonë një destinacion të kërkuar për jetë më të mirë, gjë që më pas çon edhe në diversitet kulturor dhe mundësi më të mëdha për vlera të shtuara. Studentët shpesh theksojnë se modeli aktual i formimit intelektual favorizon përshtatjen, por jo gjithmonë guximin për iniciativa të reja. A pasqyron kjo një hezitim institucional ndaj ndryshimit? Prof. E. Hajrizi: Në përgjithësi, frika nga ndryshimet, apo rezistenca ndaj tyre, ekziston si te individët ashtu edhe te institucionet. Në aspektin individual, njeriu synon stabilitet dhe siguri në standardin e jetesës, mirëpo jeta na mëson se përshtatja ndaj ndryshimeve është kusht për suksesin. Ndërmarrja e riskut është thelbësore për realizimin e ambicieve dhe këtë jam përpjekur ta dëshmoj edhe vetë. Përkundër faktit se, pas arritjeve akademike dhe një stabiliteti të konsoliduar jetësor, mund të vazhdoja të punoja si profesor gjatë gjithë jetës sime, vendosa të dal nga ai cikël dhe, duke nisur nga zero, pa mbështetje dhe pa siguri të garantuar, të ndërtoj një institucion, duke arritur kështu një impakt shumë më të madh shoqëror. Duhet kuptuar se arsimi na prezanton me dijet ekzistuese, ndërsa jeta lidhet me veprimin drejt së ardhmes; dhe jo domosdoshmërisht e ardhmja është vazhdimësi lineare e së kaluarës. Studentët duhet të jenë vetë proaktivë, si në parashikim ashtu edhe në planifikim. Nga ana tjetër, kjo frikë ekziston edhe te institucionet dhe shpesh bartet pa nevojë, pasi ndryshimet po ndodhin pavarësisht hezitimit. Nëse institucionet nuk arrijnë të krijojnë kuadro më të mira se vetvetja, ato rrezikojnë të shuhen. Te ne ende mbizotëron tendenca për të ruajtur formatin klasik, thuajse autoritativ, jo vetëm në nivel institucional, por edhe në nivel shtetëror ndaj institucioneve, përmes një byrokratizimi që nuk nxit iniciativën, as zhvillimin e sistemeve të reja. Kultura e ndryshimit nuk është tipike as për shoqërinë tonë, e as për Evropën në tërësi, por fleksibiliteti dhe guximi për të shtruar pyetje jashtë kornizave ekzistuese tashmë janë domosdoshmëri. Prof.Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova A mendoni se inteligjenca artificiale do ta forcojë rolin e institucioneve të arsimit të lartë, apo do ta sfidojë vetë modelin universitar tradicional? Prof. E. Hajrizi: Mendoj se janë të vërteta të dy alternativat. I gjithë zhvillimi tekniko-teknologjik, pa dyshim, ka sfiduar modelin tradicional që nuk i plotëson nevojat e shoqërisë. Në anën tjetër, nëse përdoret në mënyrë të duhur dhe profesionale, inteligjenca artificiale e rrit kreativitetin, efikasitetin, produktivitetin dhe impaktin në arritjen e rezultateve të pritshme apo të objektivave që paraqiten në mësimdhënie, hulumtim etj. Ne po e vërtetojmë këtë çdo ditë përmes mënyrës se si inteligjenca artificiale, tashmë si pjesë përbërëse e ekosistemit të UBT-së në çdo funksion, nuk po e pengon zhvillimin, por përkundrazi po jep rezultate të mira në zhvillimin e kompetencave. Autonomia akademike përtej renditjeve dhe ekspozimit global Në kushtet e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe renditjeve si SCImago, si mund të ruhet bërthama akademike dhe autonomia intelektuale përtej numrave, klasifikimeve dhe ekspozimit global? Prof. E. Hajrizi: Institucioni apo individi është një sistem në vetvete, por konsiderohet unik pikërisht për shkak se jeton në një vend dhe kohë të caktuar, me kushte dhe kulturë të caktuar, dhe kjo e dallon nga një tjetër që jeton në një vend apo kohë tjetër, ose në kushte e kulturë të ndryshme. Për të pasur një zë në skenën akademike globale, ne patjetër duhet të ruajmë identitetin tonë dhe të jemi kontribues aktivë. Megjithatë, na nevojitet edhe shkëmbimi i përvojave, dijes, mundësive dhe praktikave, si dhe një krahasim që konfirmon se jemi në përputhje me parimet e arritjeve globale dhe që na mundëson një vizibilitet më të madh, i cili çon edhe në bashkëpunime ndërkombëtare më të shumta. Si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave, si e shihni përgjegjësinë e elitës akademike për të qenë zë jo vetëm i dijes shkencore, por edhe i reflektimit etik, drejtësisë shoqërore dhe orientimit publik? Prof. E. Hajrizi: Mendoj se kompetencat e akademisë dhe pyetjet që shtrohen prej saj lidhen drejtpërdrejt me përmirësimin e kualitetit të jetës, për rritje, progres dhe prosperitet, ku ndërlidhen edhe etika dhe vlerat njerëzore në përgjithësi. Ky mision është element kyç i përgjegjësisë që kemi ne. Gjenerimi i njohurive të reja, të cilat lidhen me parimet njerëzore që i koncipuojmë si etike, të drejta dhe zhvillimore, është vetë arsyeja pse shkenca dhe akademitë e tilla ekzistojnë; prandaj, përveç akademisë dhe hulumtimit, nga këndvështrimi im, nevojitet edhe pjesa e ndërmarrësisë për impakt të drejtpërdrejtë në shoqëri. Prof.Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova Formimi intelektual, burimet e mendimit dhe etika personale A ka një autor ose vepër që ka ndikuar thellësisht në formimin tuaj si mendimtar dhe së cilës i riktheheni ende në momentet e reflektimit? Prof. E. Hajrizi: Ndërtimi im, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë profesional, nuk ka qenë i një drejtimi të vetëm, por është realizuar nga drejtime, fusha dhe perspektiva të ndryshme. Literatura të shumta rreth qasjes sistemore, ndërmarrësisë, administrimit, psikologjisë, robotikës, cilësisë, projektet praktike në këto tema, shkëmbimet e ideve dhe kulturave me profesionistë dhe universitete partnere në mbarë botën, të gjitha këto aktivitete më kanë ndihmuar në formësimin e mendimeve të mia sot. Mirëpo, mund të veçoj se shpesh u rikthehem këshillave të prindërve, thënies së John F. Kennedy-t: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty - pyet çfarë ti mund të bësh për vendin tënd”, si dhe thënies së Sir Henry Royce-it: “Gjërat e vogla bëjnë perfeksionin, por perfeksioni nuk është gjë e vogël”. Shpesh, me thjeshtësinë e këtyre thënieve, vendimmarrja bëhet po aq e thjeshtë. E nëse më duhet të veçoj një libër, ai është Progresi Njerëzor nga Steven Pinker, ku, bazuar në statistika dhe të dhëna aktuale, autori dëshmon se jeta është duke u përmirësuar dukshëm. Sot, ky lloj optimizmi i bazuar në fakte është shumë i çmuar, sidomos duke pasur parasysh se jemi të ekspozuar kryesisht ndaj lajmeve dhe hapësirave negative. Cila ide, thënie ose mendim ju shërben si pikë referimi në momentet kur, pavarësisht arritjeve, shfaqen dyshimi ose skepsa? Prof. E. Hajrizi: Kryesisht, dyshimet më shfaqen kur has në prirjen e njerëzimit për të mos vepruar në mënyrë konsistente drejt një qëllimi të përbashkët, pavarësisht mundësive, kushteve të plotësuara dhe përfitimeve. Një kulturë e tillë nuk është aspak e dobishme. Mirëpo, thënë të drejtën, qasja sistemore që e ndjek vjen me një realizëm të bazuar në një optimizëm të thellë: se, nëse të gjitha komponentet trajtohen në mënyrat e duhura, çdo sistem do të triumfojë. Në fund, gjithmonë i rikthehem këtij mendimi. Koha, dija dhe kuptimi i arritjes akademike Martin Heidegger shkruante se “koha nuk është ajo që matet, por ajo në të cilën jetojmë”. Në këtë kontekst reflektiv të fundvitit, si do t’i përkufizonit arritjet akademike: si një renditje kronologjike suksesesh, apo si shprehje të një procesi të thelluar të formimit intelektual dhe etik? Prof. E. Hajrizi: Unë mendoj se jetëgjatësia bazohet në vëllimin dhe përmbajtjen që njeriu realizon gjatë jetës, e jo vetëm në formatin klasik të kohës. Vlera e jetës rritet kur ka diversitet dhe një sasi të madhe aktivitetesh. Nga qasja sistemore, në të cilën bazohem unë, arritjet e këtij viti kanë plotësuar vëllimin e nevojshëm për të krijuar një ndjenjë përmbushjeje, por gjithashtu kanë krijuar edhe një parakusht të mirë që e ardhmja të përjetohet dhe të shfrytëzohet sa më mirë. Pra, për mua, ky vit nuk shënon vetëm një kalendar suksesesh, por një vazhdimësi të realizimit të misionit dhe vizionit tim. Thënia sokratike “E di një gjë që s’di asgjë” shpesh interpretohet si një qëndrim epistemologjik i pjekurisë intelektuale. A e shihni atë si shprehje të kufirit të dijes, apo si pikënisje të saj më autentike? Prof. E. Hajrizi: Në përgjithësi, edhe dija, edhe ne si njerëz, jemi të kufizuar. Ne jemi të kufizuar fizikisht, sepse, pavarësisht avancimeve teknologjike, nuk mund të përmbajmë dijen e gjithë botës dhe të gjithë kohërave në vetvete, ndërsa dija është në zhvillim, transformim dhe rritje të vazhdueshme. Meqë e ardhmja bazohet në dije të reja, ku dijet aktuale mund të mos jenë më të dobishme dhe ku ekzistojnë papritshmëri, ky realitet na kufizon dhe nuk na lejon të jemi të gjithëdijshëm. Mirëpo, dija e akumuluar shërben njëkohësisht si pikënisje për zhvillimin e mëtejmë; ajo nuk na kufizon aspak për të qenë kontribuues dhe proaktivë për një jetë më të mirë për njerëzimin, sidomos kur shkëmbehet, koordinohet dhe ndërlidhet mes njerëzve. Nga laboratori i ideve drejt mbylljes së ciklit vjetor Thuhet se në laboratorin e shkencëtarit nuk ka asnjë ditë bosh. Me çka po merreni aktualisht, intelektualisht apo shkencërisht, që ende nuk është bërë publike? Prof. E. Hajrizi: Ka vërtet aq shumë potencial për zhvillim, sa që koha shpesh është e pamjaftueshme, pasi çdo moment mund të shfrytëzohet për të rritur kureshtjen dhe angazhimin për të hulumtuar e realizuar diçka të re. Angazhimet e mia kanë ngjyra të shumëfishta. Në aspektin shkencor, po vazhdojmë të konfirmojmë modelin UBT 5S dhe Smart City përmes testimeve dhe prototipeve të ndryshme, me qëllim që t’u japim përgjigje të shumta mënyrës së jetesës në të ardhmen. Në aspektin e ndërmarrësisë, po vazhdoj me krijimin e strukturave të reja globale të UBT-së, në mënyrë që të kemi një impakt global. Po ashtu, viti 2026 do të shënojë për ne një çerek shekulli angazhim. Kjo nënkupton reflektime mbi të gjitha projektet dhe programet që kemi realizuar, të cilat do të manifestohen si vëllim i shtuar i publikimeve dhe si përpjekje e vazhdueshme për impakt në shoqëri, përmes dizajnimit të politikave, krijimit të kapaciteteve të nevojshme dhe angazhimit në sfera të tjera, drejtpërdrejt me qytetarët. Prof.Dr. Edmond Hajrizi, Foto: Ridvan Slivova Në përmbyllje të këtij viti, kur reflektimi merr peshë të barabartë me arritjen, me cilin parim ose mendim e përmbyllni këtë periudhë dhe cilën vlerë do të dëshironit të mbetej përtej shënjimit kalendarik? Prof. E. Hajrizi: Mendoj se një angazhim akademik mbi 30-vjeçar dhe një angazhim ndërmarrësor prej një çerek shekulli, si dhe kulmimi i këtij angazhimi në një vit shumë pozitiv dhe të suksesshëm, krijojnë një segment kohor përmbajtësor, ku mund të reflektoj mbi punën dhe mbi pyetjen e parashtruar në fillim të iniciativave. Vlera kryesore që e bart nga ky reflektim është konfirmimi se edhe për ne arritjet e mëdha janë të mundshme dhe se edhe ne mund të jemi pjesë e elitës ndërkombëtare. Angazhimi proaktiv për të ndërtuar një sistem të bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, pa kompromis në cilësi dhe vlera humane, është i mundur, ia vlen plotësisht dhe ky është një besim që dua ta përcjell sa më fuqishëm te gjeneratat e reja. (Yes, we can!) /Telegrafi/