Kurti uron qytetarët për Vitin e Ri 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026 përmes një videoje të publikuar në profilin e tij në Facebook, duke i falënderuar për besimin për shërbim edhe për katër vitet e ardhshme. Në mesazhin e tij, Kurti ka paralajmëruar se pas formimit të qeverisë do të ndërmerren menjëherë një sërë veprimesh, përfshirë miratimin e buxhetit, ligjin për çmimet tavan, pagën e 13-të për shërbyesit civilë, heqjen e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së, si dhe pakon për përballje me inflacionin. Ai foli edhe për vitin 2025, gjatë të cilit Kosova u përball me katër palë zgjedhje, duke theksuar se ato u zhvilluan pa incidente dhe me rezultate të pranuara nga të gjithë. Sipas tij, Kosova nuk ka më nevojë ta kalojë testin e demokracisë. Në përshkrimin e videos, Kurti ka shkruar se u uron qytetarëve një mbrëmje të këndshme dhe një kremtim të paharrueshëm me familjen dhe miqtë, duke theksuar se është zotuar për siguri dhe begati dhe se viti i ri do të jetë i sigurt dhe i begatë për Kosovën.