Në ndërrimin e mot-moteve, fishekzjarret pritet të jenë të vetmet elemente që do ndriçojnë disa nga rajonet. Kjo pasi vala e reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike pritet të jetë prezente edhe më 31 dhjetor. E këtë e ka konfirmuar edhe KEDS duke shtuar se ka rritur numrin e njësive intervenuese në terren. Ju njoftojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik në mënyrë që natën e ndërrimit të mot moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër rritjes së lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara. Pra, ne kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar, afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm. Parashihet të ketë furnizim te rregullt me energji përkundër gjithë konsumit të lartë. Vendet më të afektuara mund të jenë: Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjan, si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve nga ana e transmisionit. Dje me datën 29 dhjetor, ne ora 23:00 është arritur piku më i lartë në nivelin e shpërndarjes me një vlerë prej 1418më, e cila e tregon një rritje prej 7.5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar. Për ekspert të energjisë, situata tregon një keqmenaxhim të kapaciteteve. ”Ramja e temperaturave dhe ardhja e diasporës në Kosovë ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet duke shfaqur kështu anomalitë e rrjetit, mungesën e investimeve, kapaciteteve duke detyruar operatorët e rrjetit, KEDS dhe KOSTT të bëjnë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kapaciteti gjenerues i Kosovës maksimal është diku 850 megavat/orë kur janë të gjitha kapacitetet gjeneruese të A dhe B në funksion ndërsa kërkesa maksimale në kohë të pikut arrin diku tek 1500 megavat/orë. Ky dallim duhet mbuluar nga importi që vijnë nga vendet e rajonit ç’ka tregon shkallë të lartë të vartësisë energjetike por edhe një keqmenaxhim enorm që është bërë në këtë sistem”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë. Mes të tjerash, Haxhimusa vlerëson se situata të kësaj natyre rrisin nevojën për investime urgjente. ”Furnizimi stabil me energji elektrike kërkon kapacitete të reja gjeneruese të transmisionit dhe distribucionit. Ato sigurojnë ramjen e humbjeve qpftë komerciale, qoftë teknike, duke e ditë që 20 përqind e energjisë elektrike e cila prodhohet në Kosovë, humbet. Është e domosdoshme që të bëjmë një modernizim të sistemit elektroenergjetik, trafo dhe kabllo e njesorë të ri”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë. Sipas KEDS-it, zonat më të prekura javët e fundit nga reduktimet kanë qenë Gjilani, Rahoveci, Vitia, Gjakova, Prizreni, Malisheva, Suhareka dhe Mitrovica.