Hera e parë në histori të New Yorkut - kryetari i ri do të betohet në Kuran

Kryebashkiak i ri i New Yorkut, Zohran Mamdani, do të japë betimin duke vendosur dorën mbi Kur’an, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e qytetit amerikan. Ai është 34 vjeç dhe është kryebashkiaku i parë mysliman i qytetit. Shumica e paraardhësve kanë dhënë betimin mbi Biblën, edhe pse ligji nuk kërkon përdorimin e ndonjë teksti fetar për të respektuar Kushtetutën. Gjatë fushatës së tij, Mamdani ka folur hapur për besimin dhe ka ndërtuar mbështetje mes zgjedhësve myslimanë dhe atyre nga Azia e Jugut, raporton nbc . Në ceremoni ai do të vendosë dorën mbi dy Kur’ane që i përkasin familjes së tij gjatë ceremonisë në një stacion metroje, dhe mbi një të tretë në ceremoninë që do të mbahet më vonë në Këshillin e Qytetit. Ky Kur’an i tretë është një kopje e shekullit të XVIII‑të ose të XIX‑të dhe bën pjesë në koleksionin e Qendrës Schomburg në Bibliotekën Publike të New Yorkut. Vendimi për të përdorur Kur’anin ka shkaktuar edhe kritika nga disa konservatorë. Pas inaugurimit, Kur’ani do të shfaqet publikisht në Bibliotekën Publike të New Yorkut. /Telegrafi/