Policia e AKI në aksion, sekuestrohen 20 mijë tableta ekstazi në vlerë 200 mijë euro, arrestohet një person

Policia e Kosovës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Ora e Fundit”, duke goditur një rast të rëndë të trafikimit të narkotikëve dhe duke sekuestruar rreth 20 mijë tableta ekstazi me vlerë të përafërt rreth 200 mijë euro. Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) – Sektori Qendror, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas një pune intensive hetimore që ka zgjatur rreth një muaj. Më 31 dhjetor 2025, rreth orës 19:00, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore në magjistralen Podujevë–Prishtinë, në afërsi të fshatit Trudë. Automjeti drejtohej nga një mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit policor, bazuar në dyshime të arsyeshme, në veturë janë gjetur dhe sekuestruar shtatë paketime me rreth 20 mijë tableta narkotike të llojit ekstazi (MDMA). Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se substanca narkotike është futur ilegalisht nga Serbia në territorin e Kosovës, me qëllim të shpërndarjes në tregun e brendshëm. Si pjesë e veprimeve policore, është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa përveç narkotikëve janë sekuestruar edhe prova të tjera materiale, përfshirë një veturë Daimler Chrysler E320 CDI, ngjyrë e zezë, me targa vendore. Po ashtu, është bastisur banesa e të dyshuarit në Prishtinë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar tri qese të vogla najloni me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Vlera e përafërt e narkotikëve të sekuestruar në tregun e zi vlerësohet rreth 200 mijë euro. Me urdhër të Prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti po trajtohet si vepër penale e trafikimit të narkotikëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, përmes njësive antidrogë dhe në bashkëpunim me institucionet relevante, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e shpërndarjes së substancave narkotike, me synim garantimin e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në vend.