Gjashtë persona po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga mjetet piroteknike, gjatë natës së ndërrimit të motmoteve. Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka bërë të ditur se dy nga të lënduarit kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe në organet e të pamurit, ndërsa gjendja e njërit prej tyre është e rëndë. Sipas tij, katër persona të tjerë janë paraqitur me lëndime në ekstremitetet e sipërme, kryesisht në duar. Syla ka theksuar se përdorimi i mjeteve piroteknike gjatë kësaj nate ka qenë në sasi të madhe, duke rritur ndjeshëm rrezikun për lëndime serioze tek qytetarët. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë t’u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të përdorimit të mjeteve piroteknike, për të parandaluar pasoja të rënda shëndetësore.