Angelina Jolie po përgatitet për një fillim të ri të shumëpritur, i cili nuk do të sillet më rreth jetesës në Shtetet e Bashkuara apo divorcit të saj të vështirë me Brad Pitt. Vetëm disa muaj pasi u raportua për herë të parë se fituesja e Oscar-it, 50 vjeç, po planifikonte të shiste shtëpinë e saj familjare, një burim i brendshëm konfirmoi për People se prona po u prezantohet aktivisht blerësve të parapërzgjedhur, pas rinovimeve të fundit. “Ajo është gati për një jetë që nuk është më e përqendruar në Los Angeles”, tha burimi. “Po e pret me padurim vitin 2026 dhe fleksibilitetin që do të ketë atëherë”. Jolie ka gjashtë fëmijë me ish-bashkëshortin e saj: Maddox (24), Pax (22), Zahara (20), Shiloh (19) dhe binjakët Knox dhe Vivienne (17). Ish-çifti finalizoi marrëveshjen e divorcit në dhjetor të vitit 2024, duke i dhënë fund një beteje ligjore që zgjati tetë vjet. Sipas burimeve, aftësia e Jolie për t’u zhvendosur ka qenë për një kohë të gjatë e lidhur me marrëveshjet e kujdestarisë. Pas ndarjes nga Pitt, Jolie bleu një rezidencë historike në Los Feliz, e cila më parë i përkiste regjisorit të famshëm të Hollivudit, Cecil B. DeMille. Ajo shpjegoi më vonë se ky vendim u mor për t’i mbajtur fëmijët afër babait të tyre. “Doja që të ishte afër babait të tyre, i cili është vetëm pesë minuta larg,” i tha ajo Harper’s Bazaar në vitin 2019. “Sapo të mbushin 18 vjeç, do të mund të largohem.” Ajo kishte deklaruar më herët për People se “kurrë nuk ka dashur të jetojë me kohë të plotë në Los Angeles”, por kishte qëndruar atje për hir të fëmijëve më të vegjël. Tani, me binjakët Knox dhe Vivienne që pritet të mbushin 18 vjeç më 12 korrik 2026, burimet thonë se Jolie planifikon të zhvendoset menjëherë pas kësaj date. Raportohet se ajo po shqyrton mundësinë për ta ndarë kohën e saj mes Kamboxhias, Francës dhe disa vendeve në Afrikë. Kamboxhia, ku ajo adoptoi djalin e saj të madh Maddox në vitin 2002, pritet të jetë baza e saj kryesore.