Rita Ora sfidon të ftohtin me gjashtë veshje spektakolare në natën e Vitit të Ri, teksa prezanton për të tretin vit radhazi në Times Square në New York

Rita Ora ka qenë një nga figurat më të spikatura të natës së ndërrimit të viteve, teksa ka shkëlqyer me gjashtë paraqitje të ndryshme glamuroze gjatë moderimit të spektaklit të famshëm amerikan “Dick Clark’s New Year’s Rockin’ Eve”, të mërkurën mbrëma. Këngëtarja 35-vjeçare iu bashkua prezantuesit Ryan Seacrest për vitin e tretë radhazi, duke udhëhequr traditën vjetore të festimeve në Times Square për publikun e New Yorkut, shkruan DailyMail . Gjatë orëve të fundit të vitit 2025, Rita sfidoi temperaturat e ulëta me një sërë veshjesh elegante, përfshirë pallto gëzofi, kombinime me print leopard dhe një paraqitje të guximshme me veshje tërësisht prej lëkure të zezë. Dita nisi herët për Ritën, e cila u shfaq në Midtown me një fustan mini saten ngjyrë vjollcë, që theksonte këmbët dhe kishte një pjesë të sipërme me dantellë transparente. Ajo e kombinoi pamjen me taka të larta rozë, një pallto të gjatë gëzofi, një varëse të madhe ari në formë zemre dhe një çantë saten blu. Në momentin që u drejtua drejt prapaskenës, këngëtarja tentoi të mbante një profil më të ulët, duke u shfaqur me një hoodie kamuflazhi, shall gri, syze dielli dhe pantallona sportive të zeza, të kombinuara me atlete dhe një pallto të gjatë me astar gëzofi. Me nisjen e spektaklit në orën 20:00 sipas kohës lokale, Rita u shfaq në skenë krah Ryan Seacrest me një veshje elegante ngjyrë të bardhë dimërore, që përfshinte një pulovër me jakë të lartë, pantallona të përshtatura, pallto të njëjtë dhe një shall të thurur që i jepte pamjes finesë. Flokët bionde i kishte stiluar në onde të mbledhura, ndërsa pamjen e kompletoi me çizme të bardha, doreza lëkure dhe vathë argjendi të mëdhenj. Gjatë mbrëmjes, ajo dhe Seacrest mirëpritën edhe ekipin e bejsbollit Savannah Bananas, duke u veshur me uniforma të verdha sportive dhe duke kërcyer së bashku në skenë. Më vonë, Rita ndryshoi sërish stil, duke veshur një pallto gëzofi me print leopard, të kombinuar me buzëkuq të kuq dhe vathë ari. Një tjetër paraqitje e saj përfshinte një pulovër të zezë, çizme të njëjta dhe një pallto të bardhë gëzofi, të shtrënguar në bel me një rrip të trashë të zi. Ajo ndryshoi edhe stilin e flokëve, duke kaluar nga onde elegante në një stil më minimalist dhe të drejtë. Për një nga paraqitjet e fundit të natës, këngëtarja u shfaq me një xhakete bomber prej lëkure të zezë dhe pantallona të drejta të së njëjtës linjë, të kombinuara me çizme të bardha me taka. Ndërkohë, Seacrest u shfaq me një smoking elegant, të kompletuar me një xhaketë kadifeje të kuqe. Festimet në Times Square u kurorëzuan me performancën kryesore të Diana Ross, si dhe me interpretime nga emra të njohur si Post Malone, Demi Lovato, Chappell Roan dhe artistë të tjerë. Përtej skenës, Rita Ora ka qenë në qendër të vëmendjes edhe për sukseset financiare. Sipas dokumenteve të fundit financiare, kompanitë e saj Ora Live dhe Ora Multi Services kanë gjeneruar 4.8 milionë paund fitim brenda një viti, duke e çuar pasurinë neto të këngëtares në rreth 31 milionë paund. Ajo vazhdon të jetë aktive në televizione si The Voice UK , The X Factor dhe The Masked Singer , si dhe në aktrim, ndërsa ka ndërtuar një portofol të gjerë bashkëpunimesh me marka të njohura të modës, bukurisë dhe industrisë së pijeve. Së fundmi, Rita ka theksuar se nuk dëshiron të kufizohet vetëm si muzikante, duke folur për fuqizimin e grave dhe thyerjen e kufijve profesionalë gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Detin e Kuq, ku u shpreh se është “gjithmonë duke mësuar dhe duke eksploruar fusha të reja”. /Telegrafi/