Para ndërrimit të motmoteve, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama së bashku me bashkëshorten Kristalen, Tigrin dhe Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet, vizituan Policinë e Kosovës. Gjatë vizitës, Rama vlerësoi profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë të punonjësve policorë, të cilët çdo ditë kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, rendit publik dhe besimit qytetar. “Policia e Kosovës përfaqëson shtyllën themelore të sigurisë dhe rendit publik. Me respekt dhe mirënjohje të thellë, vlerësojmë punën e palodhshme, guximin dhe sakrificën e zyrtarëve policorë, të cilët me integritet dhe dinjitet kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit,” tha Rama. Ai gjithashtu shtoi se angazhimi i vazhdueshëm i policisë mbetet i çmuar dhe i domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie të sigurt dhe demokratike. Në përfundim të vizitës, Perparim Rama uroi qytetarët për një vit të ri të lumtur dhe të shëndetshëm. /Telegrafi/