Me pikëllim të madh u bë i ditur lajmi për ndarjen nga jeta të ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Nexhat Daci, një figurë e shquar institucionale dhe akademike në vend. Figura e tij është përkujtuar nga shumë personalitete të jetës politike dhe publike të Kosovës. Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka shkruar se kontributi i Dacit do të kujtohet përherë. “Lajm i hidhur vdekja e ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Nexhat Daci. Kontributi i tij për institucionet dhe jetën publike në Kosovë do të kujtohet përherë. Në këto momente të rënda, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, ka shkruar Jahjaga. Për vdekjen e Nexhat Dacit, ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza i cili shprehu ngushëllimet e tij duke theksuar rolin e Dacit në zhvillimin institucional. “Ndarja nga jeta e Nexhat Dacit është një humbje e madhe për Kosovën. Ai ishte institucionalist dhe akademik i përkushtuar, që kontribuoi shumë në jetën publike, duke besuar në rendin kushtetues, dialogun institucional dhe dijen si udhërrëfyes të shoqërisë. Trashëgimia e akademik Nexhat Dacit është pjesë e pandashme e themeleve të shtetndërtimit të Kosovës”, u shpreh Hamza. Reagim ka pasur edhe nga ish-presidenti i Behgjet Pacolli, i cili ndau një kujtim personal me akademikun Nexhat Daci. “Kur u njoha me të për herë të parë, fjalët e tij, porosia dhe qetësia me të cilën i shprehu, u ngulitën përgjithmonë në kujtesën time dhe u shndërruan në një obligim moral për mua. Ai më tha: ‘Zotni Pacolli, do të doja shumë që kjo ndërtesë të marrë një frymë të re — hapësira moderne, dinjitoze, që të përfaqësojnë të ardhmen e Kosovës.’ Për të kam pasur gjithmonë një respekt të veçantë. U prehtë në paqe”, u shpreh Pacolli. re; web-share"> Edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar pas vdekjes së akademikut Nexhat Daci. “Nexhat Daci ishte njeri i dijes dhe i parimit, institucionalist i bindur dhe shërbyes i përgjegjshëm i shtetit. Ai i qëndroi besnik idesë së institucioneve, dialogut dhe rendit kushtetues, duke dhënë një kontribut të çmuar në ndërtimin e demokracisë parlamentare dhe të themeleve të shtetit tonë. Gjurmët e tij në jetën institucionale të Kosovës mbeten të pashlyeshme”, u shpreh Limaj. Ndër të tjerët, liderët politikë shprehën mirënjohje dhe dhimbje për humbjen e një njeriu që kishte një rol vendimtar në jetën publike dhe institucionale të vendit. /Telegrafi/