AUV asgjëson 19,200 kilogramë mish pule dhe njofton për Acrylamide në kafe të bluar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë dy veprime të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke asgjësuar një sasi të madhe mishi pule dhe duke njoftuar për prani të një substance të dëmshme në një produkt kafeje. Sipas njoftimit zyrtar të AUV-së, në kuadër të kontrollit zyrtar dhe me kërkesë të kompanisë APETIT Sh.p.k. nga Vushtrria, në një ngarkesë të mishit të pulës të importuar nga Polonia është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp. “Menjëherë pas konstatimit të këtij rasti, sasia e përgjithshme prej 19,200 kilogramë mish pule është asgjësuar në përputhje të plotë me procedurat ligjore në fuqi dhe standardet e sigurisë ushqimore,” thuhet në njoftimin e AUV-së. Agjencia bën të ditur se vazhdon monitorimin e tregut me vëmendje të shtuar dhe bashkëpunon ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me operatorët ekonomikë që merren me importin e mishit, me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme. Ndërkohë, AUV ka njoftuar edhe për një rast tjetër përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF). Sipas këtij sistemi, është pranuar njoftimi nr. 2025.10458 për prani të nivelit të lartë të Acrylamide në produktin kafe e bluar “Caffe Monaco” 400 gr, me origjinë nga Kosova dhe eksportues DEVOLLI Corporation. “AUV, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, po ndërmerr veprimet e nevojshme në përputhje me legjislacionin në fuqi,” thekson Agjencia. AUV rithekson përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë ushqimore dhe ofrimin e produkteve që janë në përputhje me standardet evropiane, duke theksuar se mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve mbetet prioritet kryesor. /Telegrafi/