Natë e dhunshme e Vitit të Ri në Holandë

Festimet e Vitit të Ri në Holandë u shndërruan në një natë kaotike dhe të dhunshme, ku policia raportoi një nivel dhune të paparë më parë. Forcat e rendit dhe shërbimet emergjente u përballën me sulme të shumta, kryesisht për shkak të përdorimit të pakontrolluar të fishekzjarrëve dhe sjelljeve të dhunshme të turmave në disa qytete të vendit. Sipas autoriteteve, policia dhe zjarrfikësit u sulmuan në disa raste me fishekzjarrë, gurë dhe mjete të tjera, ndërsa u shënuan dhjetëra zjarre dhe shpërthime në zona të banuara. Gjatë natës u kryen rreth 250 arrestime, kryesisht për dhunë ndaj policisë, prishje të rendit publik dhe vënie zjarri. Situata ishte veçanërisht e tensionuar në qytete të mëdha si Amsterdami, Roterdami dhe Breda. Në kryeqytet, një kishë historike u përfshi nga zjarri dhe pësoi dëme të konsiderueshme, ndërsa shërbimet emergjente u angazhuan në qindra ndërhyrje për shuarjen e flakëve dhe ndihmën ndaj të lënduarve. Autoritetet konfirmuan se të paktën dy persona humbën jetën në incidente të lidhura me fishekzjarrët, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë. Për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm të thirrjeve, linja emergjente 112 u mbingarkua, duke detyruar policinë të apelojë tek qytetarët që të telefononin vetëm në raste urgjente. Policia holandeze e cilësoi situatën si “të papranueshme” dhe paralajmëroi se do të pasojnë masa më të ashpra dhe hetime për incidentet e rënda të regjistruara gjatë natës së ndërrimit të moteve. /Telegrafi/