“Talenti që posedon Kosova i padiskutueshëm”, Dardan Shabanhaxhaj i hapur ta veshë fanellën dardane, komenton edhe formën te Rubin Kazani

Kosova ka bërë një progres të madh nën drejtimin e Franco Fodas dhe kanë fuqinë për të bërë diçka të madhe, kështu ka deklaruar ylli i Rubin Kazanit Dardan Shabanhaxhaj në një intervistë ekskluzive për Telegrafin. Shabanhaxhaj është bërë i padiskutueshëm në formacionin e Rubin Kazanit këtë edicion, ku ka zhvilluar 23 paraqitje, për të kontribuar me dy gola e dy asistime. 24-vjeçari në një intervistë për Telegrafi thotë se puna e madhe ka ndikuar që të arrijë në këtë pikë. “Falë shëndetit të mirë, punës së pandalur dhe përkushtimit maksimal, kam arritur të jem aty ku jam sot. Çdo hap ka qenë rezultat i sakrificës dhe besimit në veten time”. Edhe pse lojtari nga Kosova po kalon formë të mirë, Rubin Kazani ndodhet në mesin e tabelës. Ai e pranoi se objektivi gjithnjë është titulli, por kësaj radhe kanë për qëllim vetëm ta mbarojnë edicionin në top pesë. “Synimet e skuadrës janë të qarta: Premier Liga e Rusisë. Megjithatë, si Rubin Kazan, objektivi ynë real dhe afatshkurtër është të renditemi në pesëshen e parë dhe të ndërtojmë një ekip konkurrues për të ardhmen”. Dardan ShabanHaxhaj Te Rubin Kazani përpos Shabanhaxhaj luajnë edhe mesfushori i Kosovës Veldin Hoxha, si dhe sulmuesi i Shqipërisë Mirlind Daku. I pyetur se si po kalon me ta, Shabanhaxhaj deklaroi se po provojnë ta ndihmojnë Veldinin që ta mësojë sa më mirë gjuhën shqipe. “Padyshim është një ndjenjë shumë e mirë të kesh shqiptarë pranë vetes, dhe fatmirësisht jemi tre. Sa i përket komunikimit, me Veldinin përpiqemi vazhdimisht dhe ai tregon dëshirë të madhe për të mësuar gjuhën shqipe”. Dardan ShabanHaxhaj dhe Mirlind Daku kur ishin pjesë e Mura “Kalojmë shumë kohë së bashku, sidomos në hotele dhe gjatë udhëtimeve, gjë që e bën edhe më të lehtë këtë proces dhe forcon lidhjen mes nesh”. Shabanhaxhaj në fundin e muajit nëntor rinovoi me Rubin Kazanin pavarësisht ofertave të ndryshme, por konfirmoi se ka dëshirë që të ndryshojë kampionat në të ardhmen e afërt. “Po, ka pasur disa oferta, përfshirë edhe një nga Qiproja. Megjithatë, ato nuk përmbushnin kushtet dhe vizionin që Rubin Kazan ofron, veçanërisht në aspektin profesional dhe material”. “Dëshira për një hap të ri ka qenë gjithmonë prezente, por mbetem me shpresë dhe besim se shumë shpejt do të vijë momenti i duhur për një angazhim të ri, aty ku mund të jap maksimumin tim”. Dardan ShabanHaxhaj Shabanhaxhaj në nivelin ndërkombëtar ka përfaqësuar Austrinë, por ka të drejtë të luajë për Kosovën ose Shqipërinë, meqenëse ka luajtur vetëm në grupmoshat U21. Ai dha lëvdata të mëdha për përforcimin e Kosovës nën drejtimin e Fodas, ndërsa beson se “Dardanët” mund të kualifikohen në Botërorin 2026. “Si çdo sportist dhe qytetar, i kam ndjekur me vëmendje si Kombëtaren e Shqipërisë ashtu edhe atë të Kosovës. Megjithatë, zemra ime ndalet te Kosova”. “Franco Foda ka krijuar një klimë shumë pozitive brenda ekipit dhe talenti që posedon Kosova është i padiskutueshëm. Kjo u dëshmua edhe në ndeshjet e kualifikuesve për Botëror, ku shihet qartë progresi dhe rruga që kemi bërë”. Dardan ShabanHaxhaj “Play-offi? Edhe pse dy ndeshjet e fundit janë shumë të vështira, besoj fuqishëm se ekipi ka potencialin të bëjë diçka të madhe”. Shabanhaxhaj pranoi se është i hapur për ta përfaqësuar ndonjërën kombëtare, por fillimisht i duhet të bëjë paraqitje të mira me Rubin Kazanin. “Sinqerisht, jam shumë i fokusuar te fillimi i sezonit pranveror dhe te paraqitje ime me Rubin Kazan. Besoj se paraqitjet e mia do të flasin vetë dhe më pas është në dorën e ndonjërës Federatë që të më ftoj, kuptohet dëshira tek unë është e madhe”, përfundoi ai për Telegrafin. Dardan ShabanHaxhaj kur ishte pjesë e Kosovës U16 Përndryshe, Shabanhaxhaj e di si është të veshësh fanellën e Kosovës, pasi ishte pjesë e grupmoshës U16./ Telegrafi