Max Verstappen mund ta ketë humbur titullin e Kampionit të Botës për pilotë këtë sezon për një diferencë minimale, por për të katërtin vit radhazi ai kryeson listën e pilotëve më të paguar në Formula 1. Gjashtë nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse janë të përfaqësuara në TOP 10-shen e fitimeve për vitin 2025, bazuar në paga dhe bonuse. Të dhënat janë raportuar nga Forbes, ndërsa të ardhurat nga sponsorët nuk janë përfshirë. Ja renditja e plotë, duke nisur nga i vetmi “rookie” në listë. 10. Kimi Antonelli Pagë : 4.6 milionë € | Bonuse: 6.9 milionë € | Totali: 11.5 milionë € I vetmi debutues në listë, Kimi Antonelli mori një detyrë të vështirë nga Toto Wolff, duke zëvendësuar Lewis Hamilton te Mercedes. Italiani pati një sezon solid, me podiumin e parë (P3 në Kanada), shumë rezultate në TOP 10 dhe një vend të dytë në Brazil. Në moshën 19-vjeçare, ai u bë debutuesi me më së shumti pikë në histori dhe e mbylli kampionatin në vendin e 7-të. 9. Carlos Sainz Jr Pagë : 9.2 milionë € | Bonuse: 2.8 milionë € | Totali: 12 milionë € Pas largimit nga Ferrari, Sainz iu bashkua Williamsit me dëshirën për të dëshmuar veten. Fillimi ishte i vështirë, me aksident në Australi dhe shumë probleme teknike, por spanjolli shkëlqeu në gjysmën e dytë të sezonit, duke siguruar dy podiume (Azerbajxhan dhe Katar) dhe vendin e 9-të në renditje. 8. Lance Stroll Pagë : 11 milionë € | Bonuse: 1.4 milionë € | Totali: 12.4 milionë € Një sezon zhgënjyes për kanadezin, i cili përfundoi vetëm i 16-ti në kampionat. Vetëm gjashtë herë në TOP 10, me rezultatin më të mirë vendin e 6-të në Australi. Pavarësisht formës, ai do të vazhdojë me Aston Martin pas rinovimit të kontratës. 7. George Russell Pagë: 13.8 milionë € | Bonuse: 10.1 milionë € | Totali: 23.9 milionë € Në sezonin e tij të parë si piloti kryesor te Mercedes, Russell ishte konstant dhe efikas. Ai fitoi në Kanada dhe Singapor, siguroi 9 podiume dhe e mbylli kampionatin në vendin e 4-t, pavarësisht mungesës së ritmit krahasuar me Red Bull dhe McLaren. 6. Fernando Alonso Pagë: 22.1 milionë € | Bonuse: 2.3 milionë € | Totali: 24.4 milionë € Alonso kërkon ta mbyllë karrierën me dinjitet, por makina nuk e ndihmoi. Fillimi i sezonit ishte i dobët, por spanjolli u përmirësua në gjysmën e dytë dhe e mbylli kampionatin në vendin e 12-të. E ardhmja e tij pas 2026 mbetet e pasigurt. 5. Charles Leclerc Pagë: 27.6 milionë € | Bonuse: 0 € | Totali: 27.6 milionë € I konsideruar si kampion bote në pritje, Leclerc vuajti nga mungesa e konkurrueshmërisë së Ferrarit. Megjithatë, ai arriti 7 podiume dhe përfundoi i pesti në renditjen përfundimtare. 4. Oscar Piastri Pagë: 9.2 milionë € | Bonuse: 25.3 milionë € | Totali: 34.5 milionë € Piastri luftoi deri në fund për titull me shokun e skuadrës Lando Norris. Edhe pse humbi avantazhin prej 34 pikësh, australiani fitoi 7 gara dhe tregoi se është gati për titullin në të ardhmen. 3. Lando Norris Pagë : 16.6 milionë € | Bonuse: 36.3 milionë € | Totali: 52.9 milionë € Kampioni i Botës për vitin 2025. Norris shpërtheu në pjesën e dytë të sezonit, me fitore në Hungari, Meksikë dhe Brazil, duke u bërë kampioni i parë i McLarenit që nga Hamilton në 2008. 2. Lewis Hamilton Pagë : 64.4 milionë € | Bonuse: 0.5 milionë € | Totali: 64.9 milionë € Sezoni i parë te Ferrari ishte zhgënjyes për Hamiltonin. Pa podiume dhe vetëm një fitore Sprinti, britaniku shpreson që rregullat e reja të vitit 2026 ta rikthejnë në krye. 1. Max Verstappen Pagë : 59.8 milionë € | Bonuse: 10.1 milionë € | Totali: 69.9 milionë € Edhe pse nuk fitoi titullin, Verstappen mbetet piloti më i paguar në Formula 1. Me tetë fitore dhe një rikthim spektakolar në fund të sezonit, holandezi e mbylli kampionatin vetëm dy pikë larg titullit, duke treguar pse është katër herë kampion bote radhazi. /Telegrafi/