Prishtina këtë Vit të Ri mirëpriti edhe shumë mysafirë të huaj, të cilët për herë të parë zgjodhën Kosovën për të festuar ndërrimin e moteve. Temperaturat e ulëta, që zbritën deri në -11 gradë Celsius, nuk i ndalën as vendasit e as turistët. Me pije, vallëzim dhe muzikë, festa në sheshin e kryeqytetit vazhdoi deri në orët e vona. Edhe pse shumë prej tyre nuk e kuptonin gjuhën e këngëve, ritmi i muzikës i bashkoi të gjithë, duke krijuar një atmosferë festive dhe energjike. “Urime Vitin e Ri! Uroj që ky vit t’ua plotësojë shqiptarëve të gjitha dëshirat,” u shpreh një qytetar gjatë festës. Një tjetër pjesëmarrës theksoi se, përveç vendasve, kishte edhe shumë mysafirë që po e zbulonin Kosovën për herë të parë, duke e përshëndetur atmosferën dhe mikpritjen. “Po kalojmë shumë mirë. Kishim dëshirë të madhe që Vitin e Ri ta presim në Kosovë. Urime!” tha një nga turistët. Nga Turqia kishin ardhur disa vizitorë, të cilët u shprehën të impresionuar: “Është hera ime e parë këtu dhe më pëlqen shumë. I uroj gjithë botës sa më shumë paqe.” Ndërsa një mysafire nga Gjermania tha se, edhe pse kishte qenë më parë në Kosovë, kjo ishte hera e parë që po festonte Vitin e Ri në Prishtinë: “Kosovës i uroj të gjitha të mirat dhe njerëzve të saj, që janë të mrekullueshëm. Urime Vitin e Ri!” Në fund të festës, në shesh mbetën vetëm kutitë e fishekzjarrëve, të cilat më herët ndriçuan qiellin e Prishtinës, duke shënuar fillimin e vitit të ri mes gëzimit, muzikës dhe mikpritjes./KlanKosova - YouTube youtu.be