Në futbollin profesionist ekzistojnë disa raste lojtarësh që kanë qenë pjesë e ekipeve elitare në ligat më të mira dhe që kanë familjarë të cilët gjithashtu kanë arritur të njëjtin nivel, edhe pse jo gjithmonë ndajnë të njëjtin mbiemër. Në futboll, talenti shpesh trashëgohet. Ka qindra futbollistë që kanë spikatur në nivelet më të larta dhe janë bij, vëllezër apo kushërinj të ish-lojtarëve profesionistë. Këto raste janë veçanërisht të shpeshta në vende me traditë futbolli si Argjentina, Brazili, Holanda apo Anglia, por edhe në Afrikë. Kur lojtarët ndajnë të njëjtin mbiemër, lidhja familjare është e qartë, por ka edhe shembuj ku kjo marrëdhënie mbetet pak e njohur për publikun e gjerë. Më poshtë po rikujtojmë disa raste: Jay Jay Okocha dhe Alex Iwobi Ylli i madh nigerian që shkëlqeu me PSG-në dhe u tërhoq në vitin 2008 është xhaxhai i anësorit 29-vjeçar, i cili u formua te Arsenali, luajti për një kohë të gjatë me “Topçinjtë” dhe, që nga mesi i vitit 2023, mban veshur fanellën e Fulhamit në Angli. Jay Jay është vëllai më i vogël i nënës së Alexit, i cili është gjithashtu nip i Austin Okochës, ish-lojtar i përfaqësueses nigeriane. Leroy Fer dhe Patrick Van Aanholt Futbollistët holandezë janë kushërinj. Leroy, i cili ka edhe shtetësi të Curaçaos, u formua te Feyenoordi në Holandë dhe luajti në Premier League, veçanërisht me Swansea City. Në moshën 35-vjeçare, ai luan për Gulf United FC në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndërkohë, kushëriri i tij, që luan si mbrojtës i majtë, ka kaluar nga akademia e Chelseat dhe më pas ka veshur fanellat e PSV-së, Galatasarayt dhe Crystal Palace. Aktualisht ai është rikthyer në vendin e tij te Sparta Rotterdam. McDonald Mariga dhe Victor Wanyama Futbollistët kenianë janë vëllezër dhe ndajnë të njëjtin mbiemër, edhe pse i pari nuk njihet shpesh me të. Të lindur në Nairobi, kryeqytetin e Kenias, ata kanë vetëm katër vite diferencë moshe. McDonald, 38 vjeç, është tërhequr nga futbolli pasi ka luajtur për Interin, Parmën dhe Real Sociedadin, ndërsa Victor ka qenë pjesë e Celticut në Skoci, Southamptonit dhe Tottenhamit. Ai është i lirë që nga mesi i vitit pas largimit nga Dunfermline Athletic në Skoci. Lomana LuaLua dhe Yannick Bolasie LuaLua, 44 vjeç dhe aktualisht pa skuadër, ka lindur në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos, dhe është kushëriri më i madh i Bolasies, futbollistit 36-vjeçar që aktualisht luan për Cruzeiron, pas një karriere të gjatë në Ligën Premier. Sulmuesi ka luajtur gjithashtu për Evertonin, Crystal Palace dhe Sporting Lisbonën, ndërsa kushëriri i tij, po ashtu sulmues, ka kaluar nga Newcastle dhe Olympiacos. Thiago, Rafinha dhe Rodrigo Moreno Dihet se ish-futbollistët Thiago Alcantara dhe Rafinha, brazilianë të natyralizuar spanjollë që shkëlqyen në klube elitare si Barcelona dhe Bayern Munich, janë vëllezër. Por ajo që shpesh anashkalohet është se, edhe pse nuk kanë lidhje gjaku, ata kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë me Rodrigo Morenon, sulmues gjithashtu i lindur në Rio de Janeiro dhe i natyralizuar spanjoll. Kjo për shkak se prindërit e tyre, Mazinho dhe Adalberto Machado, ishin miq shumë të afërt. Vëllezërit janë tërhequr nga futbolli, ndërsa Rodrigo luan aktualisht për Al-Rayyan në Katar./ Telegrafi /