Në një shtet të Shteteve të Bashkuara, policia tani mund të përdorë të dhënat e kërkimeve në Google për të identifikuar të dyshuarit në raste serioze kriminale. Gjykata në Pennsylvania ka nxjerrë një vendim që i lejon policisë të përdorë informacionet e kërkimeve në Google për të identifikuar persona të dyshuar gjatë hetimeve penale, raportojnë mediat . Ky vendim erdhi në një rast që lidhej me një rrëmbim dhe përdhunim nga viti 2016, kur hetuesit kërkuan të shikonin kërkimet në Google që lidhen me adresën e viktimës në ditët para krimit. Gjykata tha se ky lloj veprimi nuk shkel të drejtat kushtetuese, sepse, sipas saj, përdoruesit nuk kanë një “pritshmëri të arsyeshme privatësie” kur kryejnë kërkime në Google. Nga të dhënat që Google i dorëzoi autoriteteve, policia zbuloi se disa orë para sulmit, nga një adresë IP ishte kërkuar saktësisht vendndodhja e viktimës. Kjo ndihmoi identifikimin e të dyshuarit, dhe më vonë prova shtesë – përfshirë edhe gjurmë ADN-je – konfirmuan përfshirjen e tij në krim. Në arsyetimin e vendimit, gjykata tha se gjurmët digjitale si kërkimet në Google mund të krahasohen me dokumente bankare ose shënime telefonike, të cilat autoritetet i përdorin prej vitesh në hetime. Gjithashtu u theksua se Google në rregullat e veta thotë qartë se mund të ndanë të dhëna me organet shtetërore. Megjithatë, vendimi është kritikuar nga organizatat për mbrojtjen e privatësisë, të cilat paralajmërojnë se ky precedent mund të çojë në kërkime të gjera të të dhënave të kërkimeve, përfshirë edhe ato të personave që nuk janë direkt të dyshuar. /Telegrafi/