Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka njoftuar për disa raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm të regjistruara gjatë ditës së parë të vitit 2026 në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës. Sipas policisë, më 1 janar 2026, rreth orës 00:00, në Prizren është raportuar se në një rrjet social janë publikuar pamje ku shihen disa persona duke shtënë me armë zjarri. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 41 gëzhoja si dhe dy pistoleta pa fishekë. Lidhur me këtë rast, tre persona të dyshuar janë shoqëruar në stacion policor. Pas inicimit të rastit, dy prej tyre janë liruar, ndërsa një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Në një rast tjetër, i cili ka ndodhur rreth orës 02:00 në Suharekë, një qytetar ka raportuar se xhami i veturës së tij ishte dëmtuar, dyshohet si pasojë e të shtënave me armë gjatë festimeve të ndërrimit të viteve. Në këtë rast nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Po ashtu, më 1 janar 2026, rreth orës 14:47, në Prizren është raportuar një rast tjetër, ku një qytetar ka gjetur në oborrin e tij një predhë të kalibrit të panjohur. Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar predhën si provë materiale. Edhe ky rast është duke u trajtuar nga organet kompetente. / Telegrafi /