Policia e Kosovës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, i dyshuar për veprën penale të vrasjes. Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, përkatësisht njësiti FAST, ka arritur të identifikojë dhe arrestojë të dyshuarin gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm. Arrestimi është realizuar rreth orës 00:30, në bashkëpunim dhe koordinim me njësitet e Policisë Kufitare. Personi i arrestuar është shtetas turk dhe ishte në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, lidhur me një rast të veprës penale “Vrasje”, që dyshohet se ka ndodhur një ditë më herët në qytetin e Shkupit. Me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërsa autoritetet përkatëse kanë bërë të ditur se do të vazhdohet me procedurat e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe marrëveshjet ndërkombëtare. / Telegrafi /