Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave preferenciale për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit po vijon me intensitet. Sipas të dhënave të fundit, janë përfunduar 2,309 vendvotime nga 2,557 sa janë gjithsej, që përbën rreth 90.30 për qind të procesit të numërimit. Në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, prin Albin Kurti me mbi 313 mijë vota, duke ruajtur një epërsi të konsiderueshme. Pas tij renditet Glauk Konjufca me rreth 243 mijë vota. Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati ndodhen shumë afër njëri-tjetrit, me mbi 128 mijë, përkatësisht 126 mijë vota. Lista e më të votuarve të VV-së plotësohet nga Donika Gërvalla, Xhelal Sveçla, Hajrulla Çeku, Avni Dehari, Mimoza Kusari-Lila dhe Ejup Maqedonci. Edhe në Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka ndryshime të mëdha në renditje. Bedri Hamza vazhdon të jetë kandidati më i votuar, me mbi 141 mijë vota. Arian Tahiri dhe Përparim Gruda mbajnë vendet pasuese, ndërsa pas tyre renditen Uran Ismaili, Sala Jashari dhe Vlora Çitaku. Në mesin e dhjetë kandidatëve më të votuar të PDK-së janë edhe Enver Hoxhaj, Arben Mustafa, Nait Hasani dhe Rrahman Rama. Ndërkohë, në Lidhjen Demokratike të Kosovës kryesimin e mban Lumir Abdixhiku me mbi 71 mijë vota. Hykmete Bajrami pozicionohet e dyta, e ndjekur nga Ukë Rugova. Në vazhdim renditen Avdullah Hoti, Doarsa Kica-Xhelili, Kujtim Shala, Anton Quni dhe Armend Zemaj, ndërsa listën e dhjetëshes së parë e mbyllin Lutfi Haziri dhe Jehona Lushaku Sadriu. Procesi i numërimit pritet të vazhdojë edhe në orët në vijim, deri në përmbylljen e plotë e kësaj faze, për të vazhduar më pas me votat e diasporës. / Telegrafi