Burgim i përjetshëm për vrasjen e gruas, dënime afatgjata dhe procese gjyqësore për raste vrasjesh në vitin 2025

Gjatë vitit 2025 u raportuan dhe u trajtuan në gjykata disa raste vrasjesh, përfshirë vrasje brenda familjes, vrasje në ambiente publike, raste të ndodhura si pasojë e konflikteve personale ose mosmarrëveshjeve financiare, si dhe vrasje të planifikuara në bashkëkryerje e sulmi terrorist në Banjskë. Janë përfshirë edhe raste të mbetura nga vitet e mëparshme që gjatë 2025 hynë në faza të reja procedurale, si rigjykime, lirime nga paraburgimi apo vazhdim i seancave gjyqësore. “E vrava gruan dhe çoje një patrullë të policisë” Edmond Lajqit i është vërtetuar dënimi me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Gj.U. Pas kryerjes së veprës, Lajqi kishte telefonuar policinë duke u thënë: “E vrava gruan dhe çoje një patrullë të policisë”. Lajqi kishte pranuar fajësinë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gj.U. Në aktakuzë thuhet se më 16 prill 2024, rreth orës 08:00, në Pejë, në rrugën “Bill Clinton”, konkretisht në banesën e tij, i pandehuri me dashje dhe me armë zjarri – pistoletë, e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën Gj.U. Vrasja e biznesmenit Bedri Rexhepi Të akuzuarve, vëllezërve Agron dhe Nexhat Vllasaliu, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, në bashkëkryerje. Sipas aktakuzës, pas vrasjes, dy vëllezërit e kishin varrosur dhe rivarrosur trupin e viktimës. Rasti ndodhet në procedurë ankimore në Gjykatën e Apelit. Në aktakuzë thuhet se nga 9 janari 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu, në bashkëkryerje dhe pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për ta privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore. 24 vjet burgim për Dibran Hoxhën, të njohur si “Kobra City”: Dibran Hoxha, i njohur në publik me nofkën “Kobra City”, nga Gjykata Themelore në Prishtinë u dënua me 24 vjet burgim për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë, V.C., në lokalin e natës “Kobra City”. Sipas aktakuzës, rasti kishte ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve lidhur me pagesën e shpenzimeve të bëra, të cilat kishin eskaluar deri në vrasjen e shtetasit të Shqipërisë. Vrasja si rezultat i konfliktit në komunikacion Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi 20 vjet burgim të akuzuarit Orges Zhugolli për vrasjen e A.Zh., pas një konflikti paraprak në komunikacion. Gjykata e Apelit ka mbajtur seancë për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimit të Gjykatës Themelore. 12 vjet burgim për vrasjen e vjehrrit Të akuzuarit Edon Bujupi i janë shqiptuar 12 vite burgim për vrasjen e vjehrrit në banesën e tij në Prishtinë, pas një konflikti paraprak, ku vrasja kishte ndodhur në prani të gruas së tij. Gjykata e ka ricilësuar veprën penale nga “Vrasje” në “Vrasje e kryer në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme”. Vrasja në Interex Gjykimi pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë po vazhdon ndaj të akuzuarit Arsim Syla për vrasjen e V.B. në qendrën tregtare Interex, ku Syla kishte shtënë në drejtim të viktimës derisa ata ndodheshin duke bërë blerje në sektorin e produkteve të qumështit. Vrasja në “City Club” Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte dënuar me 24 vjet burgim Granit Elshanin, të akuzuar për vrasje në lokalin “City Club” në Pejë. Pas kthimit në rigjykim, Apeli e kishte liruar Elshanin nga paraburgimi. Sipas aktakuzës, Elshani akuzohet se më 2 janar 2010, në diskotekën “City Club” në Pejë, kishte shtënë me armë zjarri, ku për pasojë kishte mbetur i vrarë B.Sh. Vrasja e policit Afrim Bunjaku në sulmin terrorist në Banjskë Më 24 shtator 2023, nga sulmi terrorist i grupit të udhëhequr nga Milan Radoiçiç, kishte humbur jetën polici Afrim Bunjaku. Në gjykim janë tre të akuzuar: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve. Sulmi ishte cilësuar si më i rëndi ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa gjatë hetimeve ishin konfiskuar dhe sekuestruar mjete luftarake, prona dhe pajisje të ndryshme. Vrasja e Liridona Ademaj Më 29 nëntor 2023, e ndjera Liridona Ademaj kishte humbur jetën pas një plani të organizuar, sipas aktakuzës, nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, ku ky i fundit kishte shtënë në drejtim të kokës së viktimës, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Aktualisht, gjykimi është në zhvillim në Gjykatën Themelore në Prishtinë., pa epilog përfundimtar. Vrasja e trefishtë në Gjilan: Nga të shtënat me armë zjarri në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan, mbetën të vrarë tre persona, ndërsa një tjetër u plagos rëndë dhe u dërgua në QKUK. Policia po heton nëse personi i arrestuar ka pasur rol të drejtpërdrejtë në ngjarje. Të dyshuarit, përfshirë edhe Mefail Shkodrën, ndodhen në arrati, ndërsa Prokuroria Speciale ka marrë rastin në kompetencë. Vrasja në Lipjan, viktima e groposur në arë misri: Sipas kërkesës për caktim të paraburgimit, të siguruar nga Betimi për Drejtësi, i dyshuari Tom Kolshi, mes datave 3 dhe 4 gusht 2025, në fshatin Baicë të Lipjanit, në bashkëkryerje me persona ende të paidentifikuar, dyshohet se ka privuar nga jeta të ndjerin E.B. Pas ngjarjes, trupi i viktimës ishte gjetur i groposur në një arë misri, i mbuluar me dërrasa dhe dhe. Vrasja e 89-vjeçarit Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 16 gusht 2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në fshatin Bibaj të Ferizajt, të pandehurit F.R. dhe J.M., për motive të ulëta, kishin vepruar në bashkëkryerje për ta privuar nga jeta të ndjerin S.S. Si pasojë e të shtënave, viktima kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, duke u rrezikuar edhe persona të tjerë të pranishëm. Rasti është cilësuar si “Vrasje e rëndë”. Vrasje e dyfishtë në Malishevë, viktimat vëllezër – i dyshuar dhëndri Dy persona kishin mbetur të vrarë në fshatin Golluboc të Malishevës, ku viktimat ishin vëllezër. Më herët, Astrit Isufi ishte dënuar me tre muaj burgim për dhunë në familje dhe kanosje ndaj bashkëshortes së tij. Lidhur me vrasjen e dyfishtë, policia ka njoftuar se viktimat ishin dërguar në QMF-në e Kijevës, ku ishte konstatuar vdekja e tyre. Një person i dyshuar është identifikuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit. /BetimipërDrejtësi Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.