Numërimi i votave për deputetë po shkon drejt fundit, kush janë më të votuarit

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit po shkon drejt përmbylljes, me më pak se katër për qind të vendvotimeve që ende mbeten pa u numëruar. Me avancimin e këtij procesi, tashmë janë qartësuar edhe emrat e kandidatëve më të votuar në secilën parti politike. Lëvizja Vetëvendosje Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të mbajë epërsinë si subjekti më i votuar në këto zgjedhje, duke kaluar shifrën e 400 mijë votave në total. Kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, kryeson listën me mbi 331 mijë vota të fituara. Pas tij, renditen Glauk Konjufca me më shumë se 256 mijë vota, ndërsa Albulena Haxhiu dhe Hekuran Murati kanë secili mbi 134 mijë vota. Donika Gërvalla është gjithashtu ndër më të votuarat, me mbi 120 mijë vota. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, kandidati për kryeministër dhe kryetar i partisë, Bedri Hamza, ka dalë më i votuari me mbi 146 mijë vota. Vendin e dytë e mban Arian Tahiri, ndërsa pesëshja e parë plotësohet nga Përparim Gruda, Uran Ismaili dhe Sala Jashari, secili me mbi 43 mijë vota. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Te Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku ka marrë mbi 76 mijë vota, duke u renditur i pari në listë. Pas tij vjen Hykmete Bajrami, ndërsa Ukë Rugova, Avdullah Hoti dhe Doarsa Kica-Xhelili përbëjnë pesëshen e kandidatëve më të votuar në këtë subjekt. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka siguruar gjashtë ulëse në Kuvend, kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj është më i votuari me mbi 39 mijë vota. Pas tij renditen Daut Haradinaj, Besnik Tahiri, Bekë Berisha dhe Agim Çeku. Ndërkohë, ka nisur edhe procesi i numërimit të votave të ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit. Aktualisht janë duke u numëruar votat në përfaqësitë diplomatike dhe pritet që deri të dielën (4 janar) të përfundojë i gjithë procesi. / Telegrafi /