Qytetarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u është ndaluar hyrja në Mali dhe Burkina Faso, pasi këto dy vende afrikane njoftuan se do të vendosin një masë reciproke si përgjigje ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ndaluar hyrjen e shtetasve të tyre në Shtetet e Bashkuara. Ministria e Jashtme e Malit njoftoi se qeveria do të zbatojë të njëjtat kushte për shtetasit amerikanë që janë vendosur ndaj shtetasve malianë, dhe se masa hyn në fuqi menjëherë. Burkina Faso, përmes Ministrit të saj të Jashtëm, Karamoko Jean-Marie Traoré, bëri të njëjtin njoftim, duke thënë se do të aplikojë masa ekvivalente të vizave ndaj qytetarëve të SHBA, raporton bbc . Ndryshe, kjo është një masë reciproke e vendosur nga Mali dhe Burkina Faso si përgjigje ndaj vendimit të Trumpit më 16 dhjetor 2025, kur administrata amerikane zgjeroi listën e vendeve prej të cilave shtetasit ndalohen të hyjnë në SHBA. Në këtë listë u përfshinë edhe Mali dhe Burkina Faso, si dhe disa vende të tjera. Shtetet e Bashkuara argumentuan se vendimet ishin për arsye sigurie kombëtare dhe për shkak të problemeve me verifikimet dhe informacione të pasakta për shtetas të vendeve të listuara. /Telegrafi/