Trajneri Pep Guardiola ka mohuar spekulimet për largimin e tij nga Manchester City, duke theksuar se nuk ka asnjë paqartësi rreth të ardhmes së tij në “Etihad”. Trajneri spanjoll ka rikujtuar edhe një herë se ka kontratë me kampionët e Anglisë dhe se ndihet i vlerësuar nga drejtuesit e klubit. “Do të jem trajner i City sezonin e ardhshëm? Oh Zoti im… kam kontratë. E kam thënë 1 milion herë”. “E di që shumë njerëz janë lodhur nga unë pas 10 vitesh këtu. Një ditë do të largohem, e premtoj. Por tani jam i lumtur, dua të luftoj me ekipin tim dhe klubi më respekton – kjo u dëshmua sezonin e kaluar”. Guardiola veçoi mbështetjen e drejtuesve edhe në momentet më të vështira të sezonit. “Ne nuk fituam asnjë ndeshje për tre muaj dhe ata më qëndruan pranë. Çfarë më shumë mund të kërkoj?”, u shpreh tekniku katalanas. Në fund, ai konfirmoi se ka edhe një vit kontratë dhe dëshiron të vazhdojë në krye të Cityt. “Kam edhe një vit kontratë. Do të doja të isha këtu, pastaj do të shohim”. Këto deklarata vijnë pas raportimeve të shumta se ky është viti i fundit i Guardiolas me Cityn dhe që klubi anglez ka shprehur interesim për trajnerin e sapo shkarkuar nga Chelsea, Enzo Maresca./ Telegrafi