Fondi i Sigurisë sekret– buxheti për ushtrinë publik

Sa para do t’i ketë Forca e Sigurisë së Kosovës për vitin 2026 ende nuk dihet për shkak se nuk ka buxhet të miratuar për këtë vit. Projektligji për Buxhetin 2026 që ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31.10.2025 nuk qe shqyrtuar fare në Kuvendin e Kosovës nga legjislatura e nëntë. Megjithatë, dihet se 202.8 milionë euro ishin ndarë për ushtrinë me buxhetin e vitit 2025. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një konferencë për media më 27.11.2025 kishte thënë se është arritur shifra prej 430 milionë eurove për blerje të sistemeve të armatimit, ndonëse nuk e kishte specifikuar periudhën kohore se për sa vite janë shpenzuar këto mjete. Ndonëse këto shifra janë publike, Qeveria e Kosovës e mban sekret shumën e mjeteve të mbledhura në Fondin e Sigurisë, i cili u themelua më 01.03.2022. Në vendimin e themelimit të këtij Fondi thuhet se mjetet do të buxhetohen tek Ministria e Mbrojtjes si buxhet shtesë dhe do të përdoren për mbështetjen e prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes dhe sigurisë shtetërore, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm. Neni 120 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thekson se shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës. Megjithëse vet Kushtetuta kërkon llogaridhënie e transparencë, Fondi i Sigurisë nuk është bërë publik asnjëherë. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KALLXO.com lidhur me fondet e mbledhura dhe për alokimin e tyre. Në DebatPërnime që u zhvillua gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, duke folur për sektorin e Mbrojtjes, kandidatët për deputetë, Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Besa Kabashi-Ramaj nga Partia Demokratike e Kosovës, kërkuan transparencë për Fondin e Sigurisë. “Ku mbeti Fondi i Sigurisë? Pesë vite kanë kaluar”- ka pyetur Kabashi-Ramaj, duke shtuar se të gjitha shtetet i kanë publike fondet për sigurinë dhe mbrojtjen. “Vetëm fondet për operacione sekrete kanë të drejtë me u mbajt sekret”- ka shtuar ajo. “Kurrë s’keni dhënë llogari për Fondin e Sigurisë, me tregu kaq janë grumbulluar dhe këtu janë destinuar. Kurrë s’ka ndodhë kjo! Ai fond bile është zhdukë, nuk dihet ku është”- ka kritikuar Isufi, nga ana tjetër. Por, Enver Dugolli nga Lëvizja Vetëvendosje e cila është në pushtet si qeveri në detyrë, e ka arsyetuar mungesën e transparencës sa i përket këtij fondi. “Sipas legjislacionit, ai fond është i rregulluar si sekret, dhe nuk kam qasje as unë, as ti… Qeveria e ka klasifikuar si informacion të klasifikuar… Ato mjete shkojnë në destinacion për çka janë dhënë prej qytetarëve”- ka deklaruar Dugolli. Me këtë nuk pajtohet Anton Çuni nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai thekson se te ushtritë që i nënshtrohen kontrollit civil e demokratik, sekret mbahet vetëm mënyra dhe koha e veprimit. “Fondet sekrete janë të natyrës së shteteve ku udhëhiqen nga diktatorët. Nëse ne pretendojmë të jemi pjesë e NATO-s, çdo gjë do të duhej të deklarohej, të mbikëqyrej, të jetë transparente dhe të ketë llogaridhënie”– tha Anton Çuni. Ligji i vitit 2023, për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar, e përcakton që në kategoritë e informacioneve që klasifikohen përfshihen edhe: projekte, plane, sisteme apo operacione që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe sigurinë e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës; sisteme, instalime, infrastruktura, projekte, plane apo shërbime të mbrojtjes që lidhen me interesat e sigurisë të Republikës së Kosovës; veprimtari shkencore, teknologjike, ekonomike, financiare që lidhen me interesat e sigurisë së Republikës së Kosovës. Për Fondin e Sigurisë së Kosovës, të dhëna publike nuk ka, përveç hapësirës brenda platformës e-Kosova përmes së cilës qytetarët mund të japin donacione që shkojnë në këtë Fond. Më 01.03.2022 kur u themelua Fondi i Sigurisë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pati shkruar se Fondi u themelua në përputhje me nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatës dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtar. “Mjetet e mbledhura financiare synohet të përdoren në përputhje me strategjinë e sigurisë shtetërore të Republikës së Kosovës që pritet të miratohet nga Qeveria e Republikës se Kosovës”, shkruante Kurti. Fondi, siç thoshte ai, do të përdorej ekskluzivisht për qëllimin e përcaktuar nga qeveria. Gjatë kohës së rezistencës paqësore në vitet ’90-ta ishte krijuar Fondi i 3 përqindëshit, ndërsa gjatë periudhës së luftës, ishte krijuar edhe Fondi “Vendlindja Thërret”. Mënyra e shfrytëzimit të parave të derdhura në këto dy fonde, në vazhdimësi është përcjell me dyshime për keqpërdorimin e tyre. Strategjia e Sigurisë e Kosovës 2022-2027 është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 24.10.2022 dhe mund të qaset në këtë vegëz . Në Kosovë kanë qenë dy fonde të tjera të mëhershme e të cilat janë përfolur gjatë. Fondi prej 3% i Qeverisë në Ekzil të Bujar Bukoshit dhe Fondi “Vendlindja Thërret” ende vazhdojnë të përcillen me dyshime për keqpërdorime të mjeteve të derdhura në to nga qytetarët./ Kallxo.com