Ministri izraelit i Kulturës thotë se Gaza i përket Izraelit, palestinezët janë thjesht “mysafirë”

Ministri i Kulturës dhe Sportit i Izraelit, Miki Zohar nga partia qeverisëse Likud, deklaroi se Gaza i përket Izraelit dhe rreth 2.3 milionë palestinezë që jetojnë atje janë “mysafirë” që Izraeli u lejon vetëm të banojnë për momentin. Ai bëri këto komente gjatë një interviste për transmetuesin publik Kan, teksa shpjegonte pse po konsideron të refuzojë fonde për industrinë filmike izraelite, pasi filmi “The Sea” (Deti) fitoi çmimin Ophir - çmimi më i nderuar kinematografik në Izrael - dhe trajton historinë e një djali palestinez nga Bregu Perëndimor i cili nuk i lejohet një leje hyrjeje për të shkuar në plazh në Izrael, raporton timesofisrael . Kur prezantuesi i radios Chen Liberman e pyeti se çfarë saktësisht e justifikonte mundësinë e heqjes së fondeve, Zohar sugjeroi se filmi e paraqet Forcën Mbrojtëse të Izraelit (IDF) në një dritë të keqe dhe bën shtetin hebre të duket si një “vend apartheid që vret palestinezë”. Kur Liberman vuri në dukje se ushtaraku fiktiv i IDF-së kryen detyrën e tij duke ndaluar vetëm fëmijën pa leje hyrjeje, ndërsa lejoi fëmijët e tjerë të hyjnë, Zohar u kthye në një argument tjetër. Ai përmendi fëmijë izraelitë nga Be’eri dhe Kfar Azza që nuk do të shohin më kurrë detin - duke iu referuar atyre të vrarë gjatë masakrës së 7 tetorit. Ai gjithashtu mohoi se Izraeli është fuqi pushtuese, duke thënë se nuk janë “pushtues” në tokën e tyre, dhe përdori termet biblikë Judea dhe Samaria për të përshkruar Bregun Perëndimor, duke thënë se ato janë “të tijat”. Përsa i përket Rripit të Gazës, ai tha se “Gaza është edhe ajo e jonë. Ne i lejojmë të qëndrojnë aty si të ftuar deri në një pikë, por Gaza është e jonë”. /Telegrafi/