Igli Tare thotë se Fullkrug e ka befasuar Milanin, e mohon largimin e Nkunkut

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për afrimin e Niclas Fullkrug dhe situatën e Christopher Nkunku, duke sqaruar zërat e afatit kalimtar dimëror. Tare pranoi se klubi u befasua pozitivisht nga forma e sulmuesit gjerman pas transferimit nga West Ham United. “Është e vërtetë që kishte edhe klube të tjera të interesuara, por pas lëndimit të Gimenezit na mungonin disa karakteristika në këtë skuadër. Për këtë arsye bëmë mirë që e transferuam Fullkrug herët, në marrëveshje me West Ham”, deklaroi Tare për Sky Sport Italia. “Ai sjell shumë fizik, një prezencë të fortë në zonë, por mbi të gjitha entuziazëm të madh. Të gjithë u befasuam nga forma shumë e mirë që tregoi në stërvitje këtë javë dhe është një lojtar që do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona”. Ndërkohë, Tare mohoi kategorikisht zërat që e lidhin Christopher Nkunkun me një transferim te Fenerbahçe, pavarësisht raportimeve se ai mund të përfshihej në negociata me klubin turk. “Është normale që gjatë merkatos të ketë zëra, por ai nuk ka qenë asnjëherë në dyshim këtu”. “Ai pati nevojë për kohë për t’u ambientuar dhe lëndimet nuk e ndihmuan. Në dy muajt e fundit kemi parë përmirësime, dy golat që shënoi javën e kaluar do t’i japin shumë besim. Ne besojmë se ai do të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”, përfundoi Tare. AC Milani ndërkohë synon ta nis vitin 2026 me fitore ndaj Cagliarit./ Telegrafi