Përkundër 13 mijë votave, Eliza Hoxha njofton se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e re

Këngëtarja dhe arkitektja e njohur Eliza Hoxha ka njoftuar se në këtë legjislaturë nuk do të jetë pjesë e Kuvendi të Kosovës, ku ka shërbyer si deputete që nga viti 2019. Artistja, e cila ka ushtruar mandatin e deputetes nga radhët e Partia Demokratike e Kosovës për tri legjislatura, garoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit me numrin 21. Përkundër një fushate intensive dhe mjaft të përkushtuar, Eliza Hoxha nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të hyrë sërish në Kuvend. Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ajo falënderoi të gjithë qytetarët që e kanë mbështetur ndër vite, duke theksuar se angazhimi i saj politik dhe civil ka pasur si synim përmirësimin e legjislacionit, forcimin e proceseve demokratike dhe adresimin e shqetësimeve të qytetarëve. Hoxha kujtoi edhe punën e saj si deputete në kuadër të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se është deputetja e vetme në historikun e Kuvendit të Kosovës e vlerësuar me çmimin “Joanat e Kosovës” për Përfshirje Sociale dhe Drejtësi – 2023, për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve jo-shumicë, përfshirë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, veçanërisht në çështjet e diskriminimit, arsimit, punësimit dhe integrimit kulturor. “Këtë herë, përkundër mbështetjes me mbi 13 mijë vota, nuk do të jetë e mundur të jem pjesë e Kuvendit të Kosovës. Gjithsesi, do të mundohem që rolin tim ta ushtroj në kapacitete të tjera për të mirën e vendit, ashtu si kam bërë përherë”, ka shkruar interpretuesja e hitit "Rruga e Zemrës". Në fund të reagimit, Eliza Hoxha uroi kolegët e saj nga radhët e PDK-së për suksesin në zgjedhje dhe u dëshiroi një rrugëtim të mbarë në legjislaturën e re, duke theksuar se angazhimi i saj për demokraci dhe për një Kosovë më të mirë do të vazhdojë edhe jashtë Kuvendit. /Telegrafi/