Historia e Toros Shahnnaian, shqiptaro-armeni që ka lidhje familjare me motrat Kardashian-Jenner: Shqipëria na mirëpriti, jetuam në harmoni dhe jo si minoritet

Emri Kardashian është ndër më të njohurit në botë, një mbiemër që lidhet me famë globale, media dhe ndikim kulturor. Pak kush e di se rrënjët armene të kësaj familjeje lidhen, edhe pse në mënyrë të largët, edhe me Shqipërinë. Pikërisht këtu hyn historia e Toros Shahnnaian, një shqiptaro-armen që ka lidhje familjare të largëta me familjen Kardashian–Jenner. Përmes linjës armene të Robert Kardashian, babait të Kim Kardashian, Torosi ndan me Telegrafin një origjinë të përbashkët historike, edhe pse jo një raport të drejtpërdrejtë familjar. Edhe pse kjo afërsi nuk ka qenë pjesë e përditshmërisë së tij, Torosi e sheh rëndësinë e saj më shumë në plan simbolik sesa personal, sidomos në mënyrën se si Kim Kardashian ka folur publikisht për identitetin armen. Kim Kardashian ishte pritur me nderime të larta nga presidenti armen Armen Sarkissian gjatë vizitës së saj në vendin e origjinës në vitin 2019 (Foto: Getty) "Gjyshi im vjen nga Kars në Turqi dhe ka banuar ne Yozgat, pot tashmë janë vendosur në Stamboll ku kushërinjtë e mi jetojnë atje aktualisht. Po ashtu dhe Kardashian ka origjinë nga prindër etnikë armenë nga Kars, tani Turqi, të quajtur "Hanna" (Shaharian), dhe kjo është lidhja e largët farefisnore që kemi", tregoi Toros. Shpjegimi i origjinës armene të Kim Kardashanit (Foto: Wikipedia) Kim Kardashian ka ngritur vazhdimisht zërin për Armeninë dhe origjinën e saj, duke e bërë këtë identitet të dukshëm në arenën ndërkombëtare dhe duke i dhënë një peshë që shkon përtej botës së showbiz-it. "Kim për ne është një Armene famshme ajo ka viziton Armeninë shpesh herë. Këtë vit ajo ishte në Venecia ku unë jetoj. Ishte e ftuara e miliarderit Jeff Bezos, ajo u rikthyhe në Festivalin e Filmit të Venecias dhe vizitoi Kishën Apostolike Armene. Për fat të keq isha shumë jashtë Italisë kur ajo vizitoi Kishën. Vizita è saj ishte një rikthim në shtëpi, priftërinjtë që jetojnë e pritën si vajzë shtëpie ajo ngeli e kënaqur, shijoji reçelin e trëndafilit dhe mori dhe me vete. Publikoi në instagramin e saj foto të Kishës Armene që u dhurua nga Republika e Venedikut në vitin 1717", tha Toros. Kim Kardashian kishte ndarë me ndjekësit në Instagram fotografi nga vizita e saj në Kishën Apostolike Armene në Venecia (Foto: Kim Kardashian/InstaStory) Fatkeqësisht ai ende nuk ka pasur rastin që të takojë nga afër Kim Kardashianin, por megjithatë e ka të qartë se çfarë do t'i thotë po t'i jepet mundësia që të takohet me të. "Shiko nëse do u takonim do t'i tregoja që gjyshërit tanë vijnë nga i njëjti qytet, gjyshi i saj kishte jgyshen me mbiemrin tin. Dp t'i fliska se si në Shqipëri dhe Kosovë të duan shumë dhe të ndjekin lëvizjet e tua", tregon shqiptaro-armeni. “Ne nuk jemi minoritet, jemi një me shqiptarët” Toros Shahnaian (Foto: Top Channel) Pas lidhjes me një nga familjet më të famshme në botë, rrëfimi i Toros Shahnnaian kthehet aty ku ai e ndien veten më të rrënjosur: te identiteti i tij shqiptaro-armen dhe historia e komunitetit armen në Shqipëri. “Identiteti im është unik dhe jo vetëm i imi, por i të gjithë komunitetit armen që ka jetuar dhe vazhdon të jetojë në Shqipëri”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Ai kujton se komuniteti armen ka ardhur në Shqipëri që në vitin 1915, duke ndërtuar një bashkëjetesë të qëndrueshme me popullin shqiptar për më shumë se një shekull. “Komuniteti armen në Shqipëri ka ardhur që në vitin 1915, pra përpara 110 vjetësh. Nga fëmijëria mbaj mend se kemi jetuar në harmoni të plotë me popullin shqiptar dhe nuk kemi pasur kurrë asnjë divergjencë, nuk kemi ndjerë kurrë asnjë paragjykim si të huaj”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Ilir Meta në vitin 2021, vlerësoi me Titullin “Martir i Demokracisë” të dënuarin politik dhe veprimtarin e spikatur për demokraci dhe të drejtat e njeriut, Isahak Toros Shahnaian (pas vdekjes) Sipas tij, kjo ndjenjë përkatësie nuk ka ardhur nga asimilimi, por nga afërsia natyrore mes dy komuniteteve. “Ne jemi ndjerë po aq shqiptarë sa edhe armenë, jo për shkak të ndonjë asimilimi të supozuar, por për shkak të afërsisë që kemi pasur me shqiptarët”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Torosi thekson se integrimi nuk ka cenuar kurrë ruajtjen e identitetit armen. “Jemi integruar në Shqipëri pa humbur asnjë element të identitetit armen. Kemi ndarë të njëjtat halle me shqiptarët, kemi kaluar të njëjtat vuajtje, kemi pasur të njëjtat gëzime”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Para se të bëheshin të famshme në botën e telvizionit, Kardashian-Jenner që aso kohe kishin një llogari të përbashkët në rrjetet sociale - mbanin kontakte të afërta me kushërinjtë e tyre të largët (Foto: Arkiv) Një kapitull i dhimbshëm i kësaj historie lidhet me periudhën e diktaturës, e cila preku drejtpërdrejt familjen e tij. “Edhe në kohën e diktaturës, kur babai im u dënua dhe kreu 20 vjet burg politik, vuajtëm njësoj si shqiptarët. Nuk kemi parë ndonjë trajtim tjetër për arsye të kombësisë”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Ai shton se armenët nuk kanë qenë vetëm bashkëjetues, por edhe kontribuues aktivë në shoqërinë shqiptare. “Shumë armenë kontribuuan në shumë fusha të shoqërisë, dhe nga ana tjetër shoqëria shqiptare i nderoi”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Në vitin 2021, Kim Kardashian kishte bërë homazhe në memorialin e Gjenocidit Armen në Jerevan me rastin e 100 vjetorit të përkujtimit (Foto: Instagram) Për Torosin, harmonia ka qenë aq e fortë, sa edhe në çështjet kombëtare shqiptare qëndrimet kanë qenë të njëjta. “Edhe për çështjet patriotike të kombit shqiptar, armenët kanë mbajtur të njëjtin qëndrim si i gjithë opinioni publik shqiptar. Mendojmë ashtu siç mendon çdo shqiptar”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Ai është i prerë në përkufizimin e komunitetit të tij. “Ne nuk jemi minoritet. Ne jemi një me shqiptarët duke ruajtur me shumë fanatizëm identitetin armen”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Nga Big Brother Albania te jeta sot - YouTube youtu.be Publiku shqiptar e njeh Toros Shahnnaian edhe si ish-banor të edicionit të katërt të Big Brother Albania, një eksperiencë që ai e sheh si pjesë të rrugëtimit të tij, por jo si përcaktim përfundimtar. Sot, Torosi shprehet se është në një fazë tjetër të jetës, më reflektive dhe më e përqendruar te roli i individit në shoqëri, përtej spektaklit televiziv. "Big Brother-i të jep mundësinë të njohësh më shumë njerëz, por dhe fama ka çmimin e saj. Duhet të punosh për ditë ose të jesh prezent kudo. Big-u ishte eksperiencë shumë e bukur, vazhdoj të jap opinione herë pas here në Top Channel, raporti me gazetarë është perfekt". Planet për të ardhmen dhe politika Familja Shahnnaian e dekoruar nga Presidenti Ilir Meta në vitin 2021 (Foto: Presidenca Shqiptare) Në pjesën e fundit të bisedës, Toros Shahnnaian flet hapur për të ardhmen dhe për një rikthim të mundshëm në angazhimin politik. “Nëse Doktor Berisha merr pushtetin do të rikthehem në politikën shqiptare. Mbështesim PD dhe interesat e mia janë t’i shërbejmë kombit shqiptar”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Një dëshirë personale mbetet ende e parealizuar për të. “Nuk kam qenë për vizitë as në Armeni dhe as në Turqi për të takuar kushërinjtë e mi. Shpresoj sa më shpejt”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Ai përmend edhe zhvillimet e fundit mes dy vendeve, të cilat i sheh si një mundësi për të realizuar këtë udhëtim. “Turqia dhe Armenia kanë njoftuar bashkërisht se kanë rënë dakord të thjeshtojnë procedurat e vizave duke filluar nga 1 janari 2026. Qytetarët e të dy vendeve do të jenë në gjendje të marrin viza elektronike falas”, thotë Totoros Shahnaian për Telegrafin. Me një histori që lidh Shqipërinë, Armeninë dhe një nga familjet më të famshme në botë, Toros Shahnnaian sjell një rrëfim ku identiteti nuk është kufi, por urë. Një histori që nis me Kardashianët, por përfundon aty ku ai e ndien veten më fort: te përkatësia shqiptare dhe rrënjët armene që i mban gjallë. /Telegrafi/