Cluj po negocion shitjen e Meriton Korenicës për një shifër marramendëse

CFR Cluj është gati të fitojë para këtë dimër dhe pasi shiti Louis Munteanu te DC United, ata po përgatiten të shesin një tjetër yll në MLS. Nelutu Varga, pronari i klubit me seli në Gruia, është në bisedime të avancuara me zyrtarët e DC United për transferimin e mesfushorit kosovar Meriton Korenica. Sipas informacioneve të marra nga Fanatik , asgjë nuk është finalizuar ende, por ka shumë mundësi që marrëveshja të përfundojë. Korenica vlerësohet shumë nga trajneri i DC United, Rene Weiler, i cili e pa atë në një ndeshje të Cluj. Madje duket se trajneri zviceran i ekipit të Amerikës së Veriut e pëlqen Korenicën edhe më shumë sesa Louis Munteanu. Fanatik ka mësuar se bisedimet në lidhje me transferimin e Meriton Korenicës te DC United janë rreth shumës 4 milionë euro. Kjo do të ishte një tjetër lëvizje e shkëlqyer për Clujin, një klub që po përballet me disa vështirësi financiare. I transfeuar një vit e gjysmë më parë nga Manisa, Korenica ka performuar vazhdimisht mirë për Clujin. Këtë sezon, ai ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 7 asistime në 29 ndeshje të luajtura në të gjitha garat./ Telegrafi /