Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka bërë të ditur se votat e ardhura nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, ndonëse në shumicë dërrmuese në favor të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk kanë asnjë efekt në numrin e mandateve që pritet të marrin partitë politike në Kuvend. Sipas tij, as votat me kusht nuk pritet të prodhojnë ndryshime, pasi ato zakonisht ndjekin trendin e votimit brenda vendit. Të vetmet vota që mund të kenë ndikim janë ato me postë, por edhe aty, efekti është i kufizuar maksimalisht në një deri në dy mandate. Cakolli ka sqaruar se, për të ndodhur një lëvizje e tillë, Lëvizja Vetëvendosje do të duhej të fitonte mbi 80 për qind të votave me postë, çka historikisht është vështirë e arritshme. “Edhe sikur të gjitha rreth 58 mijë dërgesat postare të arrijnë në kohë dhe të jenë valide – gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë – LVV-së do t’i duhej rreth 80–85 për qind e tyre për ta siguruar mandatin e 57-të. Për mandatin e 58-të, do t’i nevojiteshin rreth 90 për qind e këtyre votave”, ka shkruar ai. Sipas Cakollit, aktualisht – pas verifikimit dhe procesimit të të gjitha vendvotimeve brenda Kosovës – ndarja e mandateve është si vijon: LVV – 56 mandate (të paktën 17 gra) PDK – 23 mandate (të paktën 7 gra) LDK – 15 mandate (të paktën 5 gra) AAK – 6 mandate (të paktën 2 gra) Ai thekson se votat nga përfaqësitë diplomatike, njësoj si në zgjedhjet e kaluara, nuk prodhojnë asnjë ndryshim në këtë shpërndarje, pavarësisht përqindjes së lartë për LVV-në. Duke marrë parasysh trendet aktuale dhe përvojat nga ciklet e mëparshme zgjedhore, Cakolli vlerëson se skenari më realist në fund të procesit zgjedhor mbetet: LVV – 57 ulëse PDK – 22 ulëse LDK – 15 ulëse AAK – 6 ulëse Ai shton se çdo lëvizje eventuale e mandateve mes PDK-së dhe LDK-së do të varet nga performanca e tyre në votat me postë, me logjikën që partia me koeficientin më të ulët humb mandatin e parë./Telegrafi/