Nëse jeni të aftësuar në financë, teknologji informacioni apo kujdes shëndetësor… atëherë 2026-a është viti juaj. Nuk është parashikim astrologjik, por analizë e mirëfilltë e bazuar te kërkesa dhe oferta e tregut të punës. “Bazuar te artikujt e (revistës) Forbes dhe parashikimeve të ndryshme ndërkombëtare, aftësitë më të kërkuara të 2025-s vazhdojnë të jenë ato kompjuterike, inteligjenca artificiale… por me rritje të fokusit te aftësitë ndër-personale si dhe aftësitë teknike që kanë të bëjnë kryesisht me kujdesin shëndetësor”, tha Lutjona Lula, eksperte e tregut të punës. “Teknologjia, inteligjenca artificiale do të jenë gjithmonë pozicione me kërkesë. Por nuk mendoj se kjo vlen për ne. Ne kemi të tjera probleme më emergjente”, u shpreh Emin Shini, ekspert i tregut të punës. Me krizë edhe më të thellë për burime njerëzore, e alternativa më të kufizuara, Shqipëria i ka të orientuara nevojat kryesisht te turizmi, ndërtimi e më pas te teknologjia e informacionit. “Në vijim të trendit nga 2024-s, sigurisht një kërkesë e madhe mbetet për disa profesione që ne i quajmë “teknikë të mesëm” si elekstriçistë, mekanikë apo hidraulikë. Turimi dhe ndërtimi janë dy sektorët e tera që vuajnë dhe do të vuajnë për fuqi punëtore”, tha Shini. Kriza e veçanërisht dy viteve të fundit ka kthyer vëmendjen e sipërmarrjeve si kurrë më parë te punonjësit. Por bizneset ende nuk po arrijnë të joshin “Gjeneratën Z”, të rinj të lindur në fund të viteve 90’. “Të rinjtë e ‘Gjeneratës Z’ i mëshojnë më shumë rëndësisë së mirëqenies mendore, trajtimit të barabartë në punë, të ndierit të motivuar për të bërë detyra kuptimplota. Ndaj shpesh ata kanë një përplasje kulturore”, u shpreh Lula. 2025-a ishte viti i katërt radhazi në Shqipëri ku pagat pësuan rritje. Mesatarisht një kamerier po paguhet nga 800 deri në 1 mijë euro, një shef kuzhine deri në 1 mijë e 200 euro. Me 700 deri në 900 euro paguhet edhe një punonjës ndërtimi, ndërsa rroga e një inxhinieri IT apo ndërtimi luhatet nga 1 mijë e deri në 2 mijë euro. (A2 CNN)