Kur fillojmë realisht të plakemi fizikisht? Ja çfarë tregojnë rezultatet e një studimi 47-vjeçar

Plakja fizike nis më herët sesa mendojnë shumica e njerëzve, por lajmi i mirë është se lëvizja dhe ushtrimet kanë kuptim në çdo moshë të jetës Një ekip studiuesish nga Suedia, pranë Institutit Karolinska, ka ndjekur për 47 vjet mënyrën se si ndryshojnë kondicioni aerobik, forca muskulore dhe qëndrueshmëria te burrat dhe gratë në moshë të rritur. Rezultatet tregojnë se aftësitë fizike mund të fillojnë të bien që rreth moshës 35-vjeçare, pavarësisht nivelit të aktivitetit fizik të individit. Megjithatë, studimi sjell edhe një përfundim inkurajues: ushtrimet sjellin përfitime edhe kur fillohen në moshë më të vonshme. Në kuadër të projektit Swedish Physical Activity and Fitness Study (SPAF) , shkencëtarët kanë ndjekur disa qindra persona të përzgjedhur rastësisht, të moshës nga 16 deri në 63 vjeç. Studimi është publikuar në revistën shkencore Journal of Cachexia, Sarcopenia and Muscle dhe ofron një pasqyrë të detajuar mbi mënyrën se si aftësia fizike zhvillohet dhe ndryshon gjatë dekadave. Ndryshe nga studimet e mëparshme, të cilat krahasonin grupe të ndryshme moshore në një moment të vetëm, ky hulumtim ka matur disa herë kondicionin dhe forcën te të njëjtët individë në mbarë Suedinë. Kjo qasje jep një pamje shumë më të saktë të procesit të plakjes fizike, transmeton Telegrafi. Pse pikërisht mosha 35 vjeç? Të dhënat tregojnë se rënia e kondicionit dhe forcës fillon në mesin e të tridhjetave dhe përshpejtohet me kalimin e kohës. Njëkohësisht, është vërejtur se të rriturit që janë bërë fizikisht aktivë gjatë jetës kanë arritur të përmirësojnë performancën e tyre me pesë deri në dhjetë për qind, gjë që tregon qartë se përparimi mbetet i mundur edhe në moshë më të avancuar. - Nuk është kurrë vonë për të filluar të lëvizësh. Studimi ynë tregon se aktiviteti fizik mund ta ngadalësojë rënien e aftësive fizike, edhe pse nuk mund ta ndalë plotësisht. Tani duam të hetojmë pse pothuajse të gjithë arrijnë kulmin e formës fizike rreth moshës 35 vjeç dhe pse lëvizja mund ta ngadalësojë, por jo ta ndalë këtë proces, thotë Marija Vesterstol, autorja kryesore e studimit. Hulumtimi do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, kur pjesëmarrësit do të jenë rreth 68 vjeç. Studiuesit shpresojnë se atëherë do të mund të lidhin më qartë ndryshimet në aftësinë fizike me stilin e jetesës, gjendjen shëndetësore dhe mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas procesit të plakjes. /Telegrafi/