Suksese të pjesshme dhe sfida të mëdha, bilanci i arsimit në Kosovë për vitin 2025

Viti 2025 ka qenë një vit sfidues dhe kompleks për sektorin e arsimit në Kosovë, me rezultate të dukshme në disa fusha, por edhe me probleme të theksuara që prekin nxënësit, mësimdhënësit dhe komunat. Drejtuesit e drejtorive komunale të arsimit dhe ekspertët shprehen se sfidat janë të shumta, duke filluar nga bllokada buxhetore dhe mungesa e fondeve, deri te cilësia e teksteve shkollore dhe mbyllja e disa shkollave fillor, raporton KosovaPress. Në Prishtinë, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Samir Shahini, ka përshkruar vitin 2025 si një ndër vitet më sfiduese për arsimin. Sipas tij, për herë të parë ka pasur një mungesë buxheti të paparë më herët dhe një “bllokadë buxhetore” nga Ministria e Financave që ka penguar realizimin e projekteve për arsim. Shahini për KosovaPress ka theksuar zgjerimin e mësimit tërëditor nga pesë në shtatë shkolla, duke përfshirë edhe pesë fshatra rurale, ku numri i nxënësve ka kaluar nga 3 mijë e 100 në mbi 5 mijë, ndërsa pritet të shtohen edhe 10 shkolla të tjera në vitin 2026. Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për trajtim të arsimit si prioritet kombëtar. “Viti 2025 ka qenë një vit shumë kompleks, në fushën e arsimit ka shënuar disa rezultate të prekshme dhe shumë të rëndësishme për zhvillimin edhe të cilësisë por edhe të infrastrukturës në shkolla. Në anën tjetër ka qenë viti më sfidues i mundshëm për të udhëhequr drejtorinë e arsimit por edhe për mësimdhënësit dhe nxënësit prindërit, duke qenë se si vit është shoqëruar për herë të parë me një mungesë buxheti të paparë më herët dhe në një injorim të thellë të komunës së Prishtinës në shtrirjen e mësimit tërëditorë... Zgjerimi i mësimit tërëditorë nga pesë në shtatë shkolla duke përfshi edhe prej tyre në zona rurale në pesë fshatra, në total nga 3 mijë e 100 nxënës sot kemi mbi 5 mijë nxënës. Do të shtojmë edhe 10 shkolla të tjera në shtatorin që vjen.. 20:08 Buxheti i vitit 2025 nuk ka arrit të shfrytëzohet në formën që është aprovuar që ka qenë rreth 37 milionë euro duke përfshirë pagat dhe mëditje, as ky buxhet nuk ka qenë i qasshëm gjatë gjithë kohës..21:58 Si shtet duhet të ulemi dhe rishikojmë urgjentisht se çka po shkon keq me arsimin. Është momenti i fundit që arsimi të trajtohet si një urgjencë kombëtare dhe në aspektin e seriozitetit”, ka thënë Shahini. Në Prizren, drejtuesja e DKA-së, Luljeta Gutaj, ka theksuar realizimin e projekteve të planifikuara dhe investimet në zhvillimin profesional të mësimdhënësve. Sidoqoftë, ajo ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për shpërndarjen e dobët të teksteve shkollore, veçanërisht për shkollat me tri gjuhë mësimore (shqip, turqisht dhe boshnjakisht), duke dëmtuar komunitetin prindëror dhe nxënësit. Tekstet kanë pasur gjithashtu gabime dhe nuk përkojnë me metodologjitë moderne të mësimdhënies. “Të gjitha projektet tona, të planifikuara edhe në planin zhvillimor të arsimit në komunë, janë realizuar plotësisht, përjashto projektet që i kemi pasur në partneritet me ministrinë e arsimit, si psh funksionalizimi i institucioneve të edukimit të hershëm. Bashkëpunimi ka qenë deri diku i mirë, përveç në rastet e furnizimit me tekstet shkollore. Prizreni ka tri gjuhë mësimore, që nënkupton furnizimin edhe me tekste shkollore në të tria gjuhët mësimore, turqisht dhe boshnjakisht. Konsideroj se me mënyrën e shpërndarjes së teksteve shkollore është dëmtuar komuniteti prindëror, sidomos në zvogëlimin e buxhetit familjar të tyre. Shpesh jemi detyruar të kompensojmë mësimdhënësit nga buxheti i komunës, planifikimi i dobët buxhetor i ministrisë së arsimit na ka sjellë para sfidave të mëdha, të cilat megjithatë i kemi tejkaluar me ndihmën e komunës. Sa për tekstet shkollore, mësimdhënësit tanë kanë gjetur mjaft gabime dhe ata konsiderojnë se nuk përkojnë me zhvillimin e nxënësve duke pasur parasysh arritjet e reja dhe metodologjitë që zhvillojnë mendim kritik tek nxënësit”, ka thënë Gutaj. Ndërsa, në Kamenicë, drejtori Afrim Dervishi ka raportuar se vitin 2025 e konsideron të suksesshëm për shkak të përmbushjes së projekteve të planifikuara dhe si projekt kryesor për 2026 realizimin e mësimit tërëditor. Ai ka shtuar se punimet për ushqimin e shëndetshëm për nxënësit janë në zhvillim dhe po rishikohen tekstet shkollore për të përmirësuar rezultatet e nxënësve. “Viti 2025 ka qenë një vit i suksesshëm për ne, kemi arritur t’i përmbyllim të gjitha projektet që kemi planifikuar t’i realizojmë. Jeta në sistemin arsimor në shkolla është shumë dinamike dhe ne kemi arritur t’i dalim ballë, t’i realizojmë sukses dhe të përmbushim të gjitha kërkesat e shkollave për suksese më të larta.. Buxheti për drejtorinë e arsimit për 2025 ka qenë 1 milion e 200 mijë euro, për 2026 1 milion e 100 mijë euro.. Realizimi i planit tërëditor në shkollat e komunës, kemi bërë të gjitha përgatitjet përveç ushqimit, po punojmë në realizimin edhe të ushqimit të shëndetshëm për të gjithë fëmijët, ky është projekti më i madh që do të na marrë kohë ta realizojmë.. Rishikimi i teksteve ka filluar, do vazhdoj, është kompetencë e ministrisë, po përmirësohet, evidentojmë çdo vit përmirësim të tyre, ka me ndikuar në avancimin e rezultateve shkollore të nxënësve”, ka shtuar ai. Sipas Sekretarit të Këshillit të Prindërve, Enver Balaj, arsimi ka përparuar në disa fusha, por mbyllja e disa shkollave fillore (1-5) dhe mungesa e vendeve të punës për mësimdhënësit mbetet shqetësuese. Ai ka kritikuar gjithashtu ngarkesën e lëndëve në tekstet shkollore dhe mungesën e përkujdesit qeveritar për rishikimin e tyre. “Ne e kemi parë arsimin kosovarë për vitin 2025 që është bërë punë e madhe, për rritjen e cilësisë në procesin arsimorë dhe krijimin e mundësive dhe kushteve të mira, për të nxjerrë student sa më të mirë për të vazhduar tutje. Kemi një problem që dominon vitet e fundit në Kosovë, disa shkolla fillore 1-5 janë duke u mbyllur dhe mendoj se është shumë alarmante dhe shumë shqetësuese për sistemin arsimor. Shumë mësimdhënës të sistemit para universitar kanë mbetur pa vende pune për shkak të mbylljes së shkollave..4:26 Nuk do të ishte e arsyeshme me diskutua pjesën e teksteve shkollore e cila po krijon shumë probleme. Ne si prind kemi shqetësim te sistemi arsimor që do të duhej më tepër qeveria.. Ne duhet të rishikojmë shumë në tekste shkollore se 1-5 është shumë e ngarkuar në lëndë të ndryshme”, është shprehur Balaj. Eksperti i arsimit, Rinor Qehaja, ka theksuar se gjatë vitit 2025 nuk ka pasur ndryshime substanciale në sistem, përkundër debatit publik mbi temat kryesore. Ai ka nënvizuar sfidat e vazhdueshme: tekstet shkollore jo të përshtatura, mungesa e llogaridhënies në rekrutimin e mësimdhënësve, dështimi në digjitalizim dhe mungesa e shkathtësive praktike tek nxënësit, duke u bërë një alarm për institucionet për ndryshime të domosdoshme. “Sistemi arsimor nuk ka pasur një ndryshim substancial përgjatë këtij viti, ka pasur shumë debat publik për plotë tema, mirëpo shumë pak nga këto tema janë konvertuar në një ndryshim të prekshëm përbrenda arsimit. Ne vazhdojmë të ballafaqohemi me probleme të ngjashme, ato të teksteve shkollore, të mungesës së llogaridhënies brenda sistemeve arsimore të rekrutimeve të mësimdhënësve, të dështimit në digjitalizim, të gjitha këto të përmbledhura na rikthehen dhe barten tutje si probleme nga viti në vit.. 3:14 Pisa na tregon sa shumë nxënësit tanë mungojnë në shkathtësi të vërteta për jetë që ata do të mund të ktheheshin mësimet në përfitim për ta për gjenerim të vendeve të punës. Edhe këtë vit na rikujtoj se kush është rezultati, por mbi të gjitha është një alarm për institucionet tona për ndryshimet e domosdoshme”, ka thënë Qehaja. Në këtë kontekst, viti 2025 shënoi një kombinim të përparimeve në disa fusha dhe sfidave strukturore që kërkojnë ndërhyrje urgjente për të garantuar një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë nxënësit. /KP/