Më 14 janar do të mbahet seanca e parë në vitin e ri 2026 për tragjedinë në diskotekën "Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan. Me marrjen në pyetje të të mbijetuarve nga zjarri i tmerrshëm, do të vazhdojë dëshmia për tragjedinë pasi në seancën e kaluar prindërit e viktimave rrëfenin çfarë kishte ndodhur minutat pas shpërthimit të zjarrit. Derisa prindërit mes lotëve flisnin për momentin kur kuptuan se fëmijët e tyre kishin vdekur, një inspektor ndërtimi i akuzuar i pyeti – përse, nëse donin që fëmijët t’u mbeteshin gjallë, i kishin lënë të shkonin në diskotekë, duke aluduar se një pjesë e madhe e mysafirëve ishin të mitur. Pas kësaj, në sallën e gjyqit u dëgjuan britma, ndërsa shumë prindër i drejtonin fyerje verbale inspektorit Ognen Georgiev. Përballja e prindërve me Georgievin vazhdoi edhe jashtë sallës së gjyqit. “Fëmija yt a komentoi? Fëmijët e tu janë pranë teje, imi nuk është më!”, tha një nënë. As Georgievi, as ndonjë tjetër nga të akuzuarit në seancën e parë nuk pranoi fajin, ndërsa një pjesë e madhe e të akuzuarve madje pretenduan se nuk e dinin as pse ndodheshin aty. I akuzuari kryesor, Dejan Jovanov – Deko, pronar i klubit që punonte pa licencë dhe pa kushte teknike bazë, pretendoi se nuk e dinte që diskoja e tij e paligjshme nuk i plotësonte kushtet. “A mendoni seriozisht se nëse do ta dija që mungonte diçka, nuk do të ndërmerrja gjithçka për ta rregulluar me kohë? Në atë klub kanë kaluar dhjetëra gjenerata, të gjithë që më njohin mirë e dinë sa dhe si jam kujdesur për sigurinë e të gjithë mysafirëve”, tha Dejan Jovanov – Deko, i akuzuari kryesor. Edhe gjatë fjalës së tij hyrëse, prindërit protestuan në sallën e gjyqit, duke e quajtur “monstër”, ndërsa gjykatësja Diana Gruevska- Ilievska disa herë u detyrua t’i paralajmërojë prindërit që të ruajnë rendin dhe qetësinë në sallë. Edhe pse seanca e kaluar ishte me dëshmitë më tronditëse për tragjedinë, pritet që e njëjta atmosferë të vazhdojë edhe në seancat e para të vitit të ri me dëshmitë e të mbijetuarve. Përveç më 14 janar, Gruevska Ilievska caktoi edhe datat për seanca në muajt e ardhshëm me ritëm të përshpejtuar, kështu që në mars dhe prill pritet të mbahen gjithsej 12 seanca. Deri tani ka pasur vetëm një shtyrje, ndërsa janë mbajtur gjithsej tetë gjykime. Aktakuza përfshin gjithsej 35 persona fizikë dhe 3 persona juridikë për vepra të rënda kundër sigurisë publike. Përveç Jovanovit, të akuzuar janë edhe ish-kryetarë komunash, drejtorë institucionesh shtetërore, si dhe dy ish-ministra të ekonomisë.