Si ta dalloni intuitën e vërtetë nga frika, stresi dhe ankthi kolektiv Nëse keni ndjesinë se duhet të bëni diçka sepse ju duket e drejtë dhe e mirë për ju, dëgjojeni atë zë të qetë të brendshëm. Por nëse që në mendimin e parë për një vendim shfaqen frikë, parehati ose shtrëngim në stomak, ndoshta kjo është pikërisht shenja se nga ajo ide duhet të hiqni dorë. Çfarë është intuita? Frikë, stres i akumuluar apo intuitë: mes ankthit kolektiv dhe mbingarkesës së informacionit Në kohën ku jetojmë, të mbushur me pasiguri, shqetësime dhe lajme të këqija të vazhdueshme, është pothuajse e pamundur të mos kemi parandjenja ose mendime të errëta - qoftë për veten, të afërmit tanë apo për botën në tërësi. Kufiri mes intuitës dhe frikës bëhet atëherë shumë i hollë. A po na “vjen” vërtet diçka e rëndësishme, apo kemi të bëjmë me pasojë të stresit kronik ndaj të cilit jemi të ekspozuar? Psikologjia bashkëkohore flet gjithnjë e më shpesh për fenomenin e ankthit kolektiv. Ëndrra intensive, imazhe katastrofash dhe ndjesia se diçka e keqe do të ndodhë, janë shpesh reagime të pavetëdijshme të trurit ndaj ekspozimit të zgjatur ndaj kërcënimeve dhe pasigurisë. Truri përpiqet të përpunojë sasinë e madhe të informacionit që marrim përmes lajmeve, bisedave, filmave dhe rrjeteve sociale, duke i projektuar ato në ëndrra dhe përjetime të forta të brendshme. Çfarë thotë shkenca: a është intuita mit apo fakt? Interesant është fakti se studimet neurologjike tregojnë se intuita nuk është një dukuri mistike, por një proces i shpejtë dhe automatik i përpunimit të informacionit. Pjesë të trurit si amigdala dhe insula reagojnë ndaj sinjaleve nga mjedisi dhe trupi edhe përpara se mendja e vetëdijshme t’i analizojë ato në mënyrë racionale. Me fjalë të tjera, intuita është shpesh një “vlerësim i shpejtë” i bazuar në përvoja të mëparshme, edhe kur ne nuk jemi të vetëdijshëm për to. Pikërisht për këtë ndodh që njerëzit krijojnë një ndjesi të fortë për një person ose situatë që në takimin e parë. Ai përshtypje e parë ndonjëherë rezulton e saktë më vonë, sepse truri, brenda një çasti, ka lidhur mikro-sinjale: tonin e zërit, gjuhën e trupit, shprehjet e fytyrës ose ngjashmëritë me përvoja të mëparshme, transmeton Telegrafi. Ku qëndron çelësi? Ëndrrat dhe “vizionet” funksionojnë shpesh sipas të njëjtit parim. Ajo që kemi parë ose dëgjuar rastësisht mund të personalizohet dhe të marrë peshë emocionale. Mendja krijon imazhe të forta që na duken si paralajmërime ose parandjenja, edhe pse në thelb janë kombinim i informacionit të jashtëm dhe frikërave të brendshme. Çelësi është të mësojmë të dallojmë intuitën nga paniku. Intuita zakonisht është e qetë, e qartë dhe jo dramatike. Ajo nuk krijon kaos në mendime, por një ndjesi të thjeshtë: “e di, edhe pse nuk e di pse”. Frika, përkundrazi, vjen me zhurmë, përmes skenarëve katastrofikë, mendimeve obsesive dhe tensionit trupor. Një mënyrë e mirë për ta bërë dallimin është t’i kushtoni vëmendje ndjesisë së parë, më të shkurtër që shfaqet. Ky reagim fillestar shpesh është më pranë intuitës. Gjithçka që vjen më pas - “filma” të gjatë në mendje, skenarë të këqij dhe rishqyrtime të pafundme, zakonisht është produkt i imagjinatës dhe ankthit. Pse është e rëndësishme të mbani një “ditar të intuitës”? Shënimi i këtyre ndjesive dhe i rezultateve të mëvonshme mund t’ju ndihmojë me kalimin e kohës të kuptoni kur intuita ju ka drejtuar vërtet mirë. Shkenca konfirmon se njerëzit që zhvillojnë aftësinë për të dëgjuar trupin dhe sinjalet e brendshme marrin vendime më të qeta dhe shpesh më të mira. Prandaj, besojini vetes, por me masë. Nëse diçka ju qetëson dhe ju duket e drejtë, shpesh është rruga e duhur. Nëse ju paralizon frika, ndaloni. Ndonjëherë, pikërisht tërheqja është vendimi më inteligjent që mund të marrim. /Telegrafi/