Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se aktivitetet e numërimit të votave po përfundojnë më herët sesa ishte planifikuar, duke lënë të hapur mundësinë që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallen para afatit të paraparë, më 19 janar. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se përfundimi i aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit ishte planifikuar deri më 7 janar, mirëpo dinamika e punës ka bërë që ky proces të përmbyllet që në mesditën e 3 janarit. Po ashtu, numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe votimi me postë, i planifikuar të fillonte më 7 janar, ka përfunduar po ashtu më 3 janar dhe pjesa e më e madhe e votave me postë është kryer. KQZ ka bërë të ditur se edhe numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, i planifikuar të fillonte më 16 janar, pritet të nisë gjatë ditës së sotme. “Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për votim me kusht. Ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit për personat me nevoja të veçanta është 2,860”, ka thënë Elezi. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, KQZ vlerëson se rezultatet përfundimtare mund të shpallen shumë më herët sesa afati maksimal i paraparë. Ndërkohë, në QNR po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës. Deri më tani janë numëruar fletëvotime nga mbi 28 mijë pako, të cilat janë tërhequr para Vitit të Ri nga kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bern. Gjithashtu, më 2 janar janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera me fletëvotime nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, të cilat pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditës. Procesi i tërheqjes së pakove nga jashtë vendit përmbyllet sot. Të gjitha fletëvotimet, pasi të mbërrijnë në Kosovë, do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit, ndërsa ato që miratohen do të përfshihen në numërim. /Telegrafi/