Telefon i fshehur në rroba, vizita në paraburgim në Prizren anulohet

Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se sot në Qendrën e Paraburgimit në Prizren është parandaluar një tentativë për futje të kontrabandës në institucion. Gjatë kontrollit të rrobave të sjella nga një vizitor, është gjetur dhe konfiskuar një telefon mobil, i fshehur në mënyrë të kamufluar në rrobat e destinuara për një të burgosur. Vizita u anulua menjëherë, ndërsa ndaj vizitorit janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me procedurat ligjore në fuqi. Shërbimi Korrektues i Kosovës thekson se mbetet i përkushtuar ndaj kontrolleve të rregullta dhe masave të sigurisë, me qëllim parandalimin e veprimeve të kundërligjshme dhe garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet korrektuese. / Telegrafi /